Vuçiq bëri dy shkelje të rënda, publicisti kërkon ndëshkime edhe ndaj Listës serbe dhe nxjerr të vërtetën e hidhur për serbët

Politika

Vuçiq bëri dy shkelje të rënda, publicisti kërkon ndëshkime edhe ndaj Listës serbe dhe nxjerr të vërtetën e hidhur për serbët

Nga: A.Zh Më: 21 maj 2023 Në ora: 11:52
Pamje nga zgjedhjet e mbajtura me 23 prill në veri të Kosovës

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka akuzuar Beogradin se ka bërë shkelje të rëndë, me thirrjen e përsëritur për bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 23 prillit në veri të Kosovës.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shkelur dy herë marrëveshjen e Ohrit.

“Thirrja e fuqishme, madje e përsëritur e Beogradit, për të bojkotuar zgjedhjet për pushtetin lokal, është shkelje e rëndë. Presidenti Vuçiq bëri dy shkelje, njëherësh, të marrëveshjes dialoguese:

a) Pika 4 e plan-kornizës të BE-së, obligon palët të mos agjitojnë, përkatësisht, të mos pengojnë njëra tjetrën, në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe nisma të tjera ndërkombëtare. Ndërkohë, Serbia bëri thirrje publike e ngulmuese kundër aprovimit fillestar, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës!

b) Me gjithë vullnetin e mirë të serbëve të Kosovës, për të garuar e votuar në 4 (katër) komunat në veriun e Kosovës, personalisht presidenti Vuçiq nuk u mjaftua vetëm me thirrjen për bojkotimin e zgjedhjeve, por edhe kërcënoi të gjithë ata që do ta sfidojnë atë, duke ushtruar të drejtën e ligjshme për të votuar!”, është shprehur publicisti për gazetën.

Ai ka kritikuar edhe opozitarët e Kosovës, për qëndrimin e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me zgjedhjet që u shënuan pa incidente në katër komuna në veri të vendit.

“PAN-istët ishin në unison me Serbinë, duke e quajtur të dështuar procesin zgjedhor të 23 prillit! Dhe, po të mos ndodhte pranimi entuziast i zgjedhjeve, nga zyrtarët e lartë amerikanë e britanikë, si dhe disa shtete të tjera, PAN-i do ta kalonte edhe vet Listën Serbe. Megjithatë, mbizotëroi opinionin i brendshëm dhe i jashtëm se prolongimi, zgjatja-pritëse e mëtejme, për t`i mbajtur zgjedhjet, do të ishte hendikep dhe nonsens i madh”, ka thënë më tej Idriz Zeqiraj.

Teksa e ka quajtur “organizim kriminal”, analisti ka kërkuar ndëshkime ndaj Listës serbe, e cila bojktoi zgjedhjet. Sipas tij, opozitarët serbë më të sigurt ndihen në Prishtinë se sa në Beograd.

“Lista Serbe, si organizëm kriminal, duhet të disiplinohet. Serbët e Kosovës atdhe faktik kanë Kosovën dhe shteti i Kosovës ka për obligim moral e ligjor, t`i mbrojë ata nga bandat e veriut të Kosovës. Opozitarët serbë e pranojnë dhe dekarojnë hapur se "me të sigurtë ndjehemi në Prishtinë, se sa në Beograd". Dhe, kjo e vërtetë e hidhur, duhet t`i turpërojë parlamentin, presidentin, kryeministrin dhe opozitën serbe, e cila mbron krimin dhe kriminelët në veriun e Kosovës, duke e sakatuar, rrënuar dhe shuar opozitën, ngjashëm me Putinin në Rusi dhe Edvin Ramën në Shqipëri!”, ka shtuar Zeqiraj për “Bota sot”.

Ndryshe, Erden Atiq ka pranuar dy ditë më parë detyrën si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Teksa po betohej, në ndërtesën e komunës u vendos flamuri shtetëror i Kosovës. Betimi i tij që erdhi pas zgjedhjeve të 23 prillit, u shënua pa incidente. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat