Tensionet në veri skenar i Aleksandër Vuçiqit/ Alarmi: Ja çfarë nuk duhet të pranojë assesi Kosova

Politika

Tensionet në veri skenar i Aleksandër Vuçiqit/ Alarmi: Ja çfarë nuk duhet të pranojë assesi Kosova

Nga: P.Rudi Më: 25 maj 2023 Në ora: 07:59
Foto arkiv

Sipas drejtuesit të Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, Aleksandër Popov, tensionet në veri të Kosovës, i konvenojnë vetëm presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Vuçiç është tronditur mjaft në terrenin vendor me këto protestat që po ndodhin tash. Ai ka paralajmëruar edhe kundërtubim. Atij, madje, i konvenon që vëmendja të kthehet kah çështja e Kosovës, duke thënë ‘ja, ju tash po e dobësoni Serbinë dhe regjimin, ndërkaq në veri të Kosovës po rrezikohen të drejtat e serbëve’”, tha Popov.

E këtë paralajmërim të Popov-it, për gazetën “Bota sot”, e ka komentuar doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Qëndrimi i Serbisë për marrëveshjen e Ohrit është se ndërsa e pranojnë atë si koncept, nuk pajtohen me përmbajtjen e saj. Ata argumentojnë se kushtet aktuale nuk janë të përshtatshme për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë, duke theksuar preferencën e tyre për ruajtjen e status quo-së në vend që të kërkojnë zgjidhje”, thotë Kuçi.

Sipas tij, në veçanti, Serbia synon të ruajë gjendjen ekzistuese në komunat në veri të Kosovës.

“Vendimi i serbëve, nën drejtimin e Vuçiqit, për të bojkotuar zgjedhjet minon më tej përpjekjet për paqe me Kosovën. Këto veprime i shërbejnë një qëllimi të veçantë: të sigurohet që çështja e Kosovës të mbetet e pazgjidhur derisa të mbahet një konferencë ndërkombëtare, e cila gjithashtu përkon me dëshirën e Rusisë për paqe në mes të konfliktit me Ukrainën. Këtë kërkesë Rusia ia ka përcjellë publikisht Serbisë para takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë në Bruksel, gjatë të cilit është diskutuar për planin evropian (franko-gjerman)”, shprehet për “Bota sot” Gurakuç Kuçi,

“Rrjedhimisht, Serbia do të vazhdojë masat e saj hakmarrëse për të parandaluar zgjerimin e autoritetit të Kosovës në veri të Republikës. Ka shumë gjasa që këto veprime të provokojnë trazira dhe potencialisht të eskalojnë në akte lufte nga popullata serbe në Kosovë. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë duhet t’i kishin parashikuar më herët këto zhvillime”, shpjegon më tej Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Kuçi thotë se nëse Qeveria nuk e ka bërë këtë, atëherë duhet të veprojë urgjentisht duke formuluar një strategji gjithëpërfshirëse për të garantuar sigurinë dhe për të mbështetur sundimin e ligjit.

“Rasti i fundit ku tre nga katër kryetarët e komunave veriore që nuk do e bëjnë betimin në zyrat komunale, e inkurajon Serbinë më tej, duke përforcuar perceptimin se Kosova është e frikësuar dhe nuk ka besim në strategjinë dhe veprimet e saj, nënvizon Kuçi.

Për fund, Kuçi ka edhe një thirrje për Qeverinë e Kosovës.

“Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë që çështja e Kosovës të zgjidhet përmes një konference ndërkombëtare. Është e domosdoshme që Kosova të mbajë një qëndrim proaktiv dhe të ndjekë rrugë alternative për zgjidhjen e konfliktit”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat