“Zgjidhje nuk është tërheqja prapa, por...”/ Çfarë po paralajmërohet për Veriun e Kosovës? Ky është plani serb

Politika

“Zgjidhje nuk është tërheqja prapa, por...”/ Çfarë po paralajmërohet për Veriun e Kosovës? Ky është plani serb

Nga: Petrit Rudi Më: 29 maj 2023 Në ora: 22:03
Pamje nga Veriu i Kosovës

Pas tensioneve që u krijuan ditën e premte, sot gjendja në Veri të Kosovës ka esklauar, ku serbët kanë protestuar që nga mëngjesi në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave dhe duke kërkuar largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

E si pasojë e përplasjeve dhe dhunës që ka shpërthyer, janë lënduar mbi 20 pjesëtarë të KFOR-it, të cilët janë sulmuar nga serbët lokalë dhe strukturat kriminale që veprojnë në veri të vendit.

Për krejt dhunën e nxitur në veri, Qeveria e Kosovës e ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, ka thënë qeveria përmes një komunikate për media pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Image
Gurakuç Kuçi

E për situatën e krijuar në veri të Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Situata në Kosovë është krijuar si pjesë e procesit të një diplomacie mbi tehun e thikës ku kryetarët e zgjedhur shqiptarë do të kryenin punët për të cilat punë nëse do t’i kryenin serbët duke qenë në krye të komunave do të shpalleshin tradhtarë. Pas këtij procesi do të krijohej asociacioni i komunave me shumicë serbe ku para themelimit do të mbaheshin prapë zgjedhjet e reja në këto komuna ku do të merrnin pjesë edhe serbët”, thotë Kuçi.

Sipas tij, synimi i Serbisë është që çështjen e Kosovës ta dërgojë në një konferencë ndërkombëtare, bashkë me Ukrainën.

“Megjithatë, Serbia nuk ka ndërmend të përkrahë më vullnetin e saj ndonjë plan paqeje me Kosovën pasi synon që çështjen e Kosovës ta dërgoj në një konferencë ndërkombëtare ku do jetë e përfshirë edhe çështja e Ukrainës me Rusinë”, thekson Kuçi, sipas të cilit, një plan të tillë nuk do ta lejojë bashkësia ndërkombëtare.

“Sidoqoftë si plan Perëndimi nuk duhet ta lejojë të ndodhë sepse realisht përveç që do ishte humbje për Kosovën do të ishte humbje edhe për Perëndimin, pasi këta të fundit do të humbnin terren strategjik”.

Por cilët duhet të jenë hapat e radhës pas gjendjes së krijuar në veri të Kosovës?

“Hapat e radhës duhet të jenë jo rikthimi prapa por vazhdimi i krijimit të asociacionit dhe themelimi i këtij asociacioni të ndodhë atëherë kur në veri do jetë plotësisht sovraniteti i Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të ndjekë politikë paqësimi me Serbinë sepse kjo është vetëm duke prodhuar edhe një Hitler apo Putin të dytë në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Kuçi.

“Pra si konkluzion nuk është tërheqja prapa sepse kjo do e bënte të dobët edhe perëndimin para Rusisë, por të vazhdohet me zbatimin e planit evropian dhe aneksit të dakorduar në Ohër”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat