A duhet Qeveria të themelojë Asociacionin dhe të japë dorëheqje? Analisti vjen me skenar – Ja si duhet të veprojë pas presionit ndërkombëtar?

Politika

A duhet Qeveria të themelojë Asociacionin dhe të japë dorëheqje? Analisti vjen me skenar – Ja si duhet të veprojë pas presionit ndërkombëtar?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 5 qershor 2023 Në ora: 09:21
Albin Kurti

Nuk ka dyshim, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë “mollë sherri” gjatë gjithë viteve të dialogut Kosovë-Serbi.

Pala serben uk ka hequr dorë asnjëherë nga presioni dhe kërkesat për formimin e Asociacionit, duke u thirrur në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, të nënshkruar nga ish kryeministri Isa Mustafa.

Mbase, për palën shqiptare janë të njohura mirë qëllimet dhe prapavija hegjemoniste, se për cilat shkaqe Beogradi zyrtar insiston me kaq këmbëngulje që të formohet ky asociacion, apo siç e quajnë serbët, “Zajednicë” (Bashkësi), përmes të cilës ata duan që ta de-funksionalizojnë shtetin e Kosovës, si dhe në veriun e Kosovës ta shpallin autonominë për serbët lokalë, që në një ditë më të volitshme, atë territor t’ia bashkëngjisin Serbisë.

Një mendim të tillë e thotë analisti politik Rexhep Elezaj, i cili shton se Serbia ka bërë presion te ndërkomëbtarët për të detyruar Kosovën që të formojë Asociacionin.

“Është pala serbe ajo e cila u ka bërë presion të vazhdueshëm faktorëve ndërkombëtarë që ta detyrojnë Prishtinën ta formojë AKS, pra duke bërë presion të madh mbi qeverinë e Kosovës që ta përmbushë obligimin e marrë në Bruksel në vitin 2015, por edhe Pikën 7 të Planit së BE-së (Franko-gjerman), të cilin e ka pranuar pala kosovare me 27 shkurt në Bruksel”, thotë Elezaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në këtë pikë, siç dihet, është përfshirë sigurimi i një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

“Kështu që ky presion vazhdon të jetë gjithnjë më i madh kohëve të fundit ndaj palës kosovare, si nga përfaqësuesit e BE-së, ashtu dhe nga ndërmjetësuesi amerikan për Ballkanin perëndimor, z. G. Escobar, se Kosova duhet t’i zbatojë obligimet e marra për themelimin e AKS, dhe atë sa më parë që që të jetë e mundur, ku për fat, miqtë tanë amerikanë janë deklaruar qartë se në Kosovë nuk do lejojnë formimin e një “Republika srpsa”, e që nënkupton, se asociacioni duhet të formohet vetëm në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kurse qëndrimi i përfaqësuesve të BE-së, ndryshon esencialisht me qëndrimin amerikan, ku, Borrell dhe Lajçak, insistojnë që serbëve në veri t’iu jepet një autonomi (Self Menagement) vetëqeverisëse, e që do ishte në kundërshtim të plotë me normat kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thotë Elezaj.

Analisti thekson se, Kosova duhet të formojë Asociacionin në harmoni me Kushtetutën, që të heqë qafe presionin ndërkombëtar.

“Ajo që tanimë është e sigurt, se qeveria e Kosovës pa humbur kohë duhet ta formojë AKS-në, dhe atë ekskluzivisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, për të hequr qafe njëherë e mirë presionin ndërkombëtar si dhe kërkesat neveritëse të A. Vuçiqit, se pa u formuar “Zajednica” për serbët e Kosovës, Beogradi zyrtar nuk do të implementojë asnjë pikë nga Aneksi i implementimit të marrëveshjes së BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi..!?”, shton ai.

Analisti tutje pohon se themelimi i Asociacionit nuk është përfundimi i marrëveshjes me Serbinë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të japë dorëheqje dhe as nuk duhet të bëhet shkaktare për suspendimin e dialogut.

“Sido që të jetë, themelimi i AKS nuk do të jetë përfundim i marrëveshjes Kosovë-Serbi, por as qeveria e Kosovës nuk duhet të japë dorëheqje në asnjë rrethanë, ngase askush në botë nuk mund ta detyrojë atë që të formojë ndonjë asociacion apo bashkësi për asnjë pakicë etnike në Kosovë, qoftë edhe për pakicën serbe, me të cilin do cenohej integriteti territorial i Kosovës si dhe kushtetutshmëria për funksionim normal të shtetit të Kosovës. Po ashtu, qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të bëhet shkaktare për suspendimin e dialogut me Serbinë, përveç nëse detyrohet që ta themelojë një asociacion jashtë normave kushtetuese, gjë që nuk besoj se kjo mund të ndodhë në të ardhmen”, përfundon analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat