Parashikimi për propozimin e Edi Ramës për Asociacionin: Ky është synimi kryesor

Politika

Parashikimi për propozimin e Edi Ramës për Asociacionin: Ky është synimi kryesor

Nga: P.Rudi Më: 8 qershor 2023 Në ora: 21:47
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili njihet për raportet vëllazërore me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ani pse ky i fundit pothuajse çdo ditë e kërcënon Kosovën me luftë, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se i ka dërguar Gjermanisë dhe Francës një propozonim për Asociacionin e Komunave serbë në Kosovë.

"Jam këtu për t'ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane. Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] çon ushtrinë në kufi. Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata ia kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por këtë propozim të Edi Ramës për Asociacionin e Komunave serbe po e quan të pa pranueshme analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti.

Sipas tij, Rama po tenton që ta nxjerrë nga situata e vështirë mikun e tij, presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“E papranueshme, ndonëse jo e papritur nga Edi Rama një propozim i tillë. Pa dakordimin e Kosovës, sikur te ishte një vend i zakonshëm fqinj për Kosovën dhe jo vëlla, Edi Rama po ia bën argatin Vuçiqit. Si asnjë herë më parë Vuçiqi është i izoluar, së fundi edhe i padëshiruar edhe nga populli vet në protesta, Rama po tenton ta nxjeŕrë nga situata e vështirë Vuçiqin”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Ai thotë se Shqipëria duhet të jetë një ndihmesë për Kosovën, e jo ta bëjë të kundërtën.

“Një propozim i tillë s’ka asnjë arsye dhe logjikë të shëndoshë të bëhet nga Rama, është Kosova ajo që për veten e saj bën propozime, Shqipëria duhet të jetë vetëm ndihmëse e këtij procesi, e jo të merr rolin e neutralitetit në kontekstet e raporteve historike shqiptaro-serbe, e turpshme”, thekson Mehmeti, sipas të cilit, propozimi i Ramës pa dyshim që është në favor të Serbisë.

“Pa dashur të paragjykoj, duke njohur raportet e Ramës me Vuçiqin, jam i sigurt se propozimi në fjalë do të pranohet nga Vuçiqi, meqenëse me shumë shanse është në favor të Serbisë. Në anën tjetër synohet izolimi i Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat