Ose ta dorëzojnë detyrën, ose të distancohen nga agresioni serb”/ Borrell e Lajçak manipuluan situatën për ta sanksionuar Kosovën

Politika

Ose ta dorëzojnë detyrën, ose të distancohen nga agresioni serb”/ Borrell e Lajçak manipuluan situatën për ta sanksionuar Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 korrik 2023 Në ora: 20:59
Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Ka dy ditë që një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka konfirmuar se Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën, për shkak të mos ndërmarrjes së veprime për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës.

Siç është konfirmuar, është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Për këto masa BE-ja ka njoftuar institucionet e Republikës së Kosovës më 28 qershor, ka konfirmuar ky zëdhënës i BE-së.

Mirëpo sa është Kosova e përgatitur për këto sanksione dhe a është ky një ndëshkim i padrejtë i BE-së?

Krasniqi: Ne ende jemi shtet i ri dhe as nuk mund ta paramendojmë avancimin e vendit, duke qenë të sanksionuar nga BE

Image
Rrezarta Kransiqi

Deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që sanksionet e dhëna nga BE-ja, përbëjnë avancim për Serbinë.

“Duhet ta bëjmë të qartë për publikun, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, përbëjnë avancim për Serbinë. Besoj i keni përcjellë edhe raportimet e djeshme, në të cilat thuhet se Kosova, ka mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që Serbia ka përfituar nga këto investime.

Pra thënë me fjalë tjera, kjo qeveri ia ka bërë argatin Serbisë me veprimet e ndërmarra në pjesën veriore të vendit, të cilat nuk kanë qenë të koordinuara me aleatët tanë si SHBA dhe BE”, thotë ajo.

Deputetja ndër të tjera shtoi që Kurti duhet të lëshojë pe dhe të tërhiqet nga siç i quajti “aventurat e tij të rrezikshme” dhe të veprojë konform kërkesave të ndërkombëtareve.

“Ne ende jemi shtet i ri dhe as nuk mund ta paramendojmë avancimin e vendit, duke qenë të sanksionuar nga BE. Një vend me ekonomi të brishtë siç është Kosova, ku vlera e inflacionit ka shkuar në shifra rekorde, ku ikjet e qytetarëve janë masive, nuk mund të presim ditë të mira. Albin Kurti duhet të lëshojë pe dhe të tërhiqet nga avanturat e tij të rrezikshme dhe të veprojë konform kërkesave të ndërkombëtareve, në mënyrë që mos t'i shkaktojë më tepër dëme vendit dhe të kthej çdo gjë në pikën zero”, u shpreh Krasniqi për “Bota sot”.

Voca: Lajçak janë duke e dështuar politikën e jashtme të BE-së

Image
Mirasd Voca

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, ka thënë që përfaqësuesit dhe Ndërmjetësuesit e BE-së Borrell dhe Lajçak janë duke e dështuar politikën e jashtme të BE-së.

Sipas tij, përfaqësuesit po favorizojnë agresorin ndërsa fajësojnë viktimën.

“Përfaqësuesit dhe Ndërmjetësuesit e BE-së Borrell dhe Lajçak janë duke e dështuar politikën e jashtme të BE-së, një nga tri shtyllat e saj që ka qenë pothuaj in-ekzistente dhe Kosova ishte dhe mbetet si një nga testet më të rëndësishme dhe të para të saj.

Politikën aktuale të këtyre dy përfaqësuesve do ta quaja një politikë të jashtme anti-feministe e cila favorizon agresorin ndërsa fajëson viktimën sikur tek rastet kur viktima zakonisht femër fajësohet ndërsa mashkulli kryen dhunë ndaj saj.

Një qasje e tillë jo vetëm që është dekonstruktive por nuk ka dyshim që mund të sjellë edhe konflikte tjerë sepse po i krijohet hapësirë agresorit të ushtrojë dhunë të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Voca më tej, kërkon vigjilencë nga Kosova për të iu ikur dhunës në veri të vendit.

“Kosova duhet të ketë sa më shumë kujdes e vigjilencë të lartë nga dhuna në veri të vendit e cila po zhvillohet me iniciativën e shtetit serb dhe agjentët e saj brenda territorit të Kosovës, një ndërhyrje ilegale dhe agresion i ngjashëm me atë të Rusisë në Ukrainë”, thotë Voca.

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare thekson që duhet larguar kryetarët përkohësisht në vende alternative në mënyrë që të ia dëshmojnë BE-së se nuk kryen punë as ky veprim.

Voca potencon që në veri të Kosovës kemi krim të organizuar nga Beogradi.

“Në njërën anë, për t’ia ilustruar BE-së se nuk do të kryente punë tërheqja e dy kryetarëve dhe e njësisë speciale nga Veriu, është imperative dhe urgjente që të largohen kryetarët përkohësisht në vende alternative dhe të reduktohet njësia speciale por jo dhe policia. Kosova nuk bëhet as më shumë apo as më pak Shtet, me realizimin e këtyre kërkesave, dhe askush nuk po i kërkon Qeverisë së Kosovës të jetë kundër kushtetuese.

Në anën tjetër, të gjithë e dimë se në veri të Kosovës ka krim të organizuar i mbështetur nga Beogradi zyrtar, ka dhunë nga grupe të ndryshme e që nuk kanë të bëjnë me Serbët lokal. Prandaj, Kosova duhet të inkurajojë ofrimin e mbështetjes tek Serbët lokalë, të cilët natyrisht që janë po ashtu kundër dhunës dhe krimit të organizuar ani pse ka shumë presion mbi ta nga regjimi politik populist e autokratik i Beogradit. Duhet dëshmuar BE-së, që Kosova nuk mund të diskreditohet përmes « victim blaming » (fajësimit të viktimës).

Kosova nuk mund të lejojë që të fajësohet dhe duhet mbaj përgjegjës dhunuesit dhe agresorin ( Serbinë) për veprimet e tyre dhe të mos lejojë që ata të justifikohen për të fajësuar viktimën, (Kosovën)”, shpjegon ai.

Sipas Vocës, dy përfaqësuesit e BE-së, z. Lajçak dhe z. Borrell ose duhet të dorëzojnë detyrën ose duhet të distancohen nga agresioni i Shtetit serb mbi Kosovën.

“Tani, para së gjithash Borrell dhe Lajçak janë në lajthitje. Sidomos Borrel, si mund të deklarohet që arrestimet e kriminelëve nga autoritetet e Kosovës për të cilët ka fakte të bollshme, janë ilegale? Këta dy përfaqësues të BE-së, të njëanshëm, ose duhet të dorëzojnë detyrën ose duhet të distancohen nga agresioni i shtetit serb mbi Kosovën, dhe të pranojnë zyrtarisht se të mbijetuarit e dhunës janë ekspertët më të mirë të cilët mund të japin mbështetje dhe nga kjo perspektivë Kosova duhet t’u ofrojë ndihmë dhe mbështetje popullatës në pjesën veriore pa marrë parasysh origjinën e tyre etnike.

Kurse, kur është fjala tek Qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës, ministrat e tij dhe këshilltarët apo deputetët e tij duhet të kuptojnë dallimin mes aktivizmit dhe politikës. Nuk mund të sillen si të paarritshëm dhe të krijojnë një lloj dogme politike brenda shoqërisë në Kosovë”, foli ai.

Ndër të tjera, Voca nënvizon që me këtë qëndrim aktivizmi politik të Qeverisë aktuale Kosova po pëson në shumë drejtime.

“Pastaj gabimin themelor e shoh tek fakti që A. Kurti ende nuk po bën politikë, të cilën e shoh më shumë si zanat, e të cilin me sa duket ky kryeministër nuk po e kupton dhe kjo paraqet rrezik për një shoqëri nga një lider i tillë. A. Kurti, nëse dëshiron të qëndroje në politikë duhet të filloj të sillet si politikan e jo si aktivist. Politika kërkon fleksibilitet përkundër aktivizmit që kërkon obstinim dhe fiksim. Me këtë qëndrim aktivizmi politik të Qeverisë aktuale Kosova po pëson në shumë drejtime, si në politikën e jashtme, ku Kosovës po i mbyllen dyert aktualisht në çdo aspekt (integrime, njohje etj.), si në atë të brendshme ku ekonomia mund të pësoj dhe më shumë sidomos me manifestimin e ikjes çdo herë e më shumë të fuqisë punëtore jashtë vendit. Shto tani sanksionet e padrejta të BE-së, rrugëdalja mund të prognozohet si goxha e vështirë”, tha Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat