Letra që i jep shpresë Kosovës dhe shënon fundin e Vuçiqit

Politika

Letra që i jep shpresë Kosovës dhe shënon fundin e Vuçiqit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 gusht 2023 Në ora: 23:33
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe ndërmarrja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë, ka bërë që vendet t’i “mbajnë hapur sytë” rreth dialogut dhe ecurisë së tij.

Madje, të dielën është raportuar se politikanët kryesorë nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, që të kenë qasje më të ashpër ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kanë bërë thirrje të reagohet ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë.

Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Jashtëm të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

Kjo letër u është drejtuar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Përmes kësaj letre, i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, që ta ashpërsojnë qasjen ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovës duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer.”

Analistët politikë e konsiderojnë letrën si të arritur të madhe dhe gjë e mirë për Kosovën. Sipas tyre, letra është shans i madh sepse Vuçiq nuk mund të mashtrojë më.

Zogaj: Vuçiqi e di se nuk ka shpëtim

Analisti politik Skënder Zogaj, thotë letra e politikanëve kryesorë perëndimor është gjë e mirë për Kosovën.

“Lëvizja më e angazhuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe SHBA-ve ndaj krizës së improvizuar serbe në Kosovë, ka filluar të jetë më konkrete, sepse tashmë po nxirret nën giotinë Aleksandar Vuçiqi, kryelojtari i destabilizimit të Ballkanit. Kjo është gjë shumë e mirë për Kosovën e cila duhet të jetë shumë e kujdesshme, dhe nëse nuk mund ta ndihmojë, të paktën mos të bëhet pengesë e iniciativës së BE, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë që të bëjnë punën e tyre!”, pohon Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, pas kësaj Vuçiq nuk mund të mashtrojë më dhe e di se ai nuk ka shpëtim.

“Ky është shans i madh sepse, Vuçiqi nuk mund të mashtrojë më, e ka harxhuar kohën e qeverisjes dhe të qenit argat i Rusisë, e cila është në fazë të rëndë. Vuçiqi e di se nuk ka shpëtim prandaj ka me u përkulë dhe me ua puthë këmbët të fortëve!”, deklaron Zogaj.

Letra e politikanëve perëndimorë gjithashtu kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi.

“Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politike ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.

Në letër politikanët perëndimorë kanë bërë thirrje të kthehet ekuilibri në proporcionaliteti në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për të mbajtur përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike.”

Gjithashtu, këta politikanë kanë shprehur shqetësimin për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën.

Ndryshe, në disa raste, edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kishin fajësuar faktorin ndërkombëtar për qasjen e butë ndaj Serbisë, gjë që shpesh kishte nxituar edhe reagime të ndryshme.

Qarri: Të gjitha që nuk po arrin më, t’i realizojë Vuçiqi dhe Serbia, tani fatkeqësisht këtë rol të pazakontë e tejet negativ, e ka marrë mbi vete, opozita e inkriminuar

Kurse, analisti politik Gani Qarri, shprehet se gjersa kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore bëjnë thirrje publike për qasje më të ekuilibruar në bisedime, opozita vazhdon luftën e paskrupullt kundër qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Ai shpreh çudi se pse opozita nuk u bashkohet kritikave publike ndërkombëtare kundër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste.

“Përderisa kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe kreut të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksander Merezhko, në një letër të përbashkët i bëjnë thirrje publike Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar etj., që përfundimisht të tregojnë qasje më të ekuilibruar në bisedimet Kosovë-Serbi dhe të mbajnë qëndrim më kritik ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq duke mos lejuar më ndërhyrjet e tij, në çështjet e brendshme të Kosovës dhe mos toleruar pengimin e pakicës serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, opozita e inkriminuar vazhdon luftën e paskrupullt, kundër Qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Dhe në kohën kur kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore u bëjnë thirrje SHBA-ve dhe BE-së, që ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë, të dënohen e konsiderohen interferim i huaj, dhe për çdo ndërhyrje e eskalim të mbahet përgjegjëse Serbia, përderisa Kosova është shtet sovran dhe me demokraci funksionale, çuditërisht në vend se edhe opozita e inkriminuar, tu bashkohet kritikave publike ndërkombëtare kundër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, ajo pa fije turpi, vijon ta kritikojë Qeverinë e Kosovës dhe mbanë atë, për çdo gjë përgjegjëse, madje edhe për trazirat që Serbia shkakton në veri të Kosovës, ku përveç policëve dhe civilëve, sipas shefit të NATO-së, Jens Stoltenberg, u plagosën edhe rreth 90 pjesëtar të KFOR-it, nga kriminelët serb dhe grupet kriminale të dërguara enkas nga Serbia në veri të Kosovës!”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai kritikon PDK-në dhe LDK-në që kanë kundërshtuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e katër komunave të veriut të zëvendësohen përmes rrugës ligjore.

Sipas Qarrit, sjellja e tyre është tendencë e hapur për vrasjen e shpresës së qytetarëve dhe pengimin e normalizimit të gjendjes së brishtë politike në Kosovë.

“ Për aq më tepër, në momentin kur, siç raporton “Tagesspiegel”, politikanët perëndimorë i bëjnë thirrje publike SHBA-së dhe vendeve më të fuqishme evropiane, që të reagohet sa më me vendosmëri kundër tendencave destabilizuese të Serbisë, në territorin e vendit tonë, tani kur edhe Qeveria e Kosovës, ashtu siç insistohet nga SHBA dhe BE, është në përfundim të përgatitjes së udhëzimit administrativ, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut, PDK dhe LDK, të cilat në vazhdimësi kanë kërkuar që Qeveria e vendit tu bindet kërkesave ndërkombëtare, tani çuditërisht, kanë marrë pozicionim krejt tjetër dhe paralajmërojnë se do ta kundërshtojnë me çdo mundësi, një formë të tillë të zgjidhjes së problemit në veri. Shto kësaj faktin tjetër pozitiv, si paralajmërimi i vizitës së Papa Françeskut që ai pritet t`ia bëj Kosovës, akt me të cilin përafrohet edhe njohja e shtetit të pavarur të Kosovës nga Vatikani, si dhe inspiron vendet mos njohëse të BE-së, që ta ndryshojnë qëndrimin e mbajtur deri më tani dhe pranojnë pavarësinë e Kosovës, paralajmërimi i PDK-së dhe LDK-së, për ta kundërshtuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e katër komunave të veriut të zëvendësohen përmes rrugës ligjore, me qëllimin e keq, që ta vejnë në pozitë të "pa rrugëdalje" Qeverinë e Kosovës dhe ta pengojnë procesin e filluar përgatitor nga ana e Qeverisë, për shtensionimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemit të kryetarëve në katër komunat veriore, janë tendencë e hapur, për vrasjen e shpresës së qytetarëve dhe pengimin e normalizimit të gjendjes së brishtë politike në Republikën e Kosovës, veprim i cili duhet dënuar në mënyrën më të ashpër nga të gjithë qytetarët pa dallim partie dhe bindje politike. Të gjitha ato të cilat fatmirësisht, nuk po arrin më, ti realizojë Vuçiqi dhe Serbia brenda territorit të Kosovës, tani fatkeqësisht këtë rol të pazakontë e tejet negativ, e ka marrë mbi vete, opozita e inkriminuar e cila është hedhur në sulm frontal dhe po lufton ditë e natë, që me çdo mjet e mundësi politike duke keqpërdorur jo rrallë në mënyrën më kundër kushtetuese të mundshme deri në paligjshmëri, edhe oponencën opozitare, për ta goditur nga çdo anë Qeverinë dhe ta dëmtojë sa më rëndë shtetin e Kosovës”, thekson Qarri.

Letrën e politikanëve ai e quan si të arriturën e madhe dhe teje pozitive për Kosovën.

“Përndryshe letra e përbashkët me sugjerime ndaj Fuqive të Mëdha, e hartuar nga kryetarët e komisioneve për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman Michael Roth, të Senatit të SHBA-ve Bob Menendez, të Parlamentit britanik Alicia Kearns dhe kryetarët e komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, vërtetë është një e arritur tepër e madhe dhe tejet pozitive për Kosovën, e cila përveçse në mese 12-13 vite dialog, ndodhë për herë të parë, balancon edhe pozicionin e Kosovës në bisedimet e mëtejme me Serbinë si dhe vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Kosovën, kur pritet të vendoset jo vetëm për katër kryetarët e komunave në veri por edhe për integrimin e tërësishëm politik dhe ligjor të veriut, në sistemin juridiko- kushtetues të Republikës së Kosovës”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat