“Serbia ka përpiluar lista për likuidime në Kosovë, ka emra nga mediat e politika”, cila është prapavija e deklaratës së Limajt

Politika

“Serbia ka përpiluar lista për likuidime në Kosovë, ka emra nga mediat e politika”, cila është prapavija e deklaratës së Limajt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 tetor 2023 Në ora: 10:05
Foto e Manastirit të Banjskës ku u krye sulmi terroristt

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ende nuk është zbardhur tërësisht, ndërsa deklarime e hipoteza të ndryshme rreth atij vazhdojnë tash e disa javë.

Të mërkurën, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se grupi terrorist serb që sulmoi policinë në Banjskë, i ka pasur disa skenarë të tjerë, të cilët sipas tij, kanë dështuar.

Ai tha se ka informata se ekzistonte një listë me emra të personaliteteve të ndryshme të Kosovës, të cilët do të vriteshin.

Sipas tij, në atë listë kishte emra nga mediat, politika dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Ka pasur skenarë me hi me ba turbullira brenda Kosovës, jo vetëm në veri me automjete të KFOR-it. Me ba vrasje politike, ka pasur këso zëra. Njerëz nga mediat, politike, me veturat me tabela të KFOR-it, ka këso informacione, sa janë të sakta duhet me u vërtetu… Ka pasur paralajmërime në gusht për lista të likuidimeve, për me kriju destabilizim. Në gusht ka pasur lista për eliminime politike të njerëzve të UÇK-së nga Serbia”, ka deklaruar ai.

Miftari: Serbinë sot e pengon vetëm qeveria e Kosovës

Deklarimin e Limajt e quan trillim, ish- agjenti i ShIK-ut dhe analisti Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

Sipas Miftarit, Serbisë nuk i pengojnë ish- komandantët e UÇK-së, kjo pasi ata kanë qeverisur më herët së bashku.

“Kjo deklaratë e Fatmir Limajt është trillim dhe nuk qëndron fare, kjo pasi Serbinë sot nuk e pengojnë fare komandantët e UÇK-së. E ka qeverisur Kosovën së bashku me ta dhe Serbia ka pasur sukses me propagandë, e ka kryer misionin e saj me formimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së ku votuesit dhe shtysit e asaj gjykate jo të drejtë janë elita e UÇK-së milionerët e luftës si Thaçi, Veseli, Haliti, Krasniqi, Gashi, Syla, Reçica, Haxhiu, Xhelilu......!”, deklaron Miftari.

Sipas tij, Serbisë sot i pengojnë qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja e ministrat.

Të tjerë qeveri me njerëz të UÇK-së, sipas Miftarit, kishin bërë filma me Vuçiqin, Daçiqin, Gjuriqin.

“Serbinë sot e pengon vetëm qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, ministrat që e kanë shtruar me forcë sovranitetin e vendit tonë në veriun e Kosovës, gjersa qeveritë e mëparshme me njerëzit e UÇK-së bënin filma me Vuçiqin, Daçiqin, Gjuriqin, herë me tren, herë me anije, aq e kanë pasur trashë udhëheqësit e disa komandantë të UÇK-së miqësinë, muhabetin, takimet, drekat e darkat natën në veriun e Kosovës, kishin biznese me Veselonoviçin në fillim pas luftës, e pastaj më vonë edhe me terroristin Radojçiqin, me Serbinë me Listën Serbe sa që edhe vëllaznim bashkim i komunizmit ju kishte lakmi atyre”,  pohon Miftari.

Sipas tij, pas luftës pushtetet ishin interesuar vetëm për para e miliona.

Ish- liderëve politikë, por edhe shumë komandantëve të UÇK-së në pushtet pas luftës ju interesonin vetëm paratë, milionat që merrnin nga korrupsioni, milionat e kontrabandës dhe të tenderëve, nuk kishin kohë komandantët të merreshin me Serbinë, me zbatimin e ligjeve të Kosovës edhe në veri të Kosovës, pra s’kishte parime, por vidhnin bashkë, komandantët tanë të UÇK-së, ish- pushtetarët vidhnin, plaçkitnin Kosovën bashkë me ish njerëzit e UDB-së me gjeneralët serbë edhe me njerëz edhe vet Sllobodan Millosheviçit”, shton Miftari.

Kujtojmë se sulmi terrorist në në Banjskë të Zveçanit ka ndodhur më 24 shtator të këtij viti. Në krye të këtij grupi, i cili e vrau policin Afrim Bunjaku, qëndronte krimineli, Millan Radojçiq, i cili edhe pse e ka pranuar se ka qenë pjesë e sulmit terrorist, po qëndron i lirë në Serbi.

Haziri: Z. Limaj nuk ofroi ndonjë dëshmi konkrete për këtë

Në anën tjetër, analisti politik Nexhat Haziri, deklaratën e Limajt e quan të fortë, por pa dëshmi konkrete.

Image
Nexhat Haziri

Haziri thotë se nëse Limaj ka fakte konkrete apo dëshmi t’ua ofrojë institucioneve të sigurisë.

“E kam dëgjuar këtë deklaratë të zotit Limaj, e cila është një deklaratë e fortë në këtë kohë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit nga grupi kriminal serb ndaj Kosovës i mbështetur edhe nga Serbia. Mirëpo, përveç deklaratës së që ka pasur një synim të tillë nga ana e Serbisë për vrasjen e disa figurave politike në Kosovë, z. Limaj nuk ofroi ndonjë dëshmi konkrete për këtë, dhe unë po besoj se nëse ai ka ndonjë fakt konkret apo dëshmi është mirë që ato t'ia ofrojë institucioneve të sigurisë të Kosovës që më pas ato të dalin me ndonjë vendim pas një hetimi që do të duhej t'iu bëhet këtyre pretendimeve”, deklaron Haziri.

Pas sulmit terrorist, Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten rezolutën ku nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje atëherë do kërkohet përgjegjësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat