“Prani më të qëndrueshme të NATO-s Kosovë”, mësohet qëllimi i deklaratës së Stoltenberg

Politika

“Prani më të qëndrueshme të NATO-s Kosovë”, mësohet qëllimi i deklaratës së Stoltenberg

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 nëntor 2023 Në ora: 16:35
Ushtarë të KFOR-it

Samiti i Madh i ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare ka filluar të martën dhe do të vazhdojë edhe të mërkurën, ku një nga top temat e diskutimit sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë për media nga Brukseli, i pari i Aleancës Veri-Atlantike, tha se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë nga Rusia”.

“Ne kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse dhe secioniste në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje përfshirë nga Rusia”.

Ndërkohë, ai foli për një prani më madhore të NATO-s në Kosovë.

“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (njëmijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.

Duke komentuar deklaratën e Stoltenberg për “prani më të qëndrueshme në Kosovë”, ekspertët e sigurisë thonë se vjen pas situatës së ndërlikuar dhe tensionuar dhe kësisoj mund të ketë kuptimin që Kosova të pranohet në NATO.

Shala:Kosova ka dëshmuar që është në gjendje të përballojë kërcënimet

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se situata e sigurisë në Kosovë është e tensionuar.

Sipas tij, nëse shtimi i numrit të ushtarëve nuk e plotëson nevojën, atëherë një qëndrueshmëri e përhershme në vend do të kontribuonte sigurisë në këtë faze deri në përmbushjen e planit gjithëpërfshirës të FSK në FAK dhe anëtarësimit të saj në NATO.

“Situata aktuale në sferën e sigurisë mund të konstatojmë që është e tensionuar si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të nivelit politik mbi proceset e sigurisë tërësi, por edhe veriut në veçanti. Kosova ka dëshmuar që është në gjendje të përballojë kërcënimet e tilla që kanë qëllim cenimin e sigurisë kombëtare nga formacionet ushtarake/inteligjente/kriminale nga jashtë. Por që rastet e fundit në 2023 ( maj dhe shtator) është vërejtur një ndjeshmëri se situata mund të eskalojë në përmasa deri te sulmi i ushtarëve të KFOR në Kosovë dhe për këtë gjë NATO ka bërë vlerësime që siguria është e brishtë dhe janë marrë masat duke shtuar numrin por që sipas ri-vlerësimeve nga NATO ( J2X ) pritet të kemi shtim të numrit të ushtarëve në fillim vitit të 2024 për masë preventive. Ndërsa nëse vlerësohet që shtimi i numrit të ushtarëve nuk plotësojnë nevojën për një ambient të sigurt në plotësimin e mandatit që ka KFOR atëherë një qëndrueshmëri e përhershme në vend do të kontribuonte sigurisë në këtë faze deri në përmbushjen e planit gjithëpërfshirës të FSK në FAK dhe anëtarësimit të saj në NATO”, deklaron Shala.

Tërnava: Kosovës t’i hapen dyert për në NATO

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, Hajrullah Tërnava, ekspert sigurie në regjione të Ballkanit dhe sidomos në Kosovë thotë se është situatë e ndërlikuar.

Tërnava bën edhe lidhjen e zgjedhjeve në Serbi me gjendjen në Kosovë.

“Situata e ndërlikuar që po mbretëron tani në këto regjione të Ballkanit, e sidomos në shtetin e Kosovës, sikur që ndodhi më 24 shtator 2023 sulmi terrorist nga ana e Serbisë në Banjskë të Zveçanit, edhe që garancitë për sovranitet të Kosovës i ka KFOR-i, në ato pjesë të veriut, e kur dihet që në Serbi më 17 dhjetor 2023, mbahen zgjedhjet, dhe tani për t’i fituar ato zgjedhje janë bashkuar në koalicion tri parti nacionaliste që dikur ishin të bashkuara si një parti radikale, dhe kjo parti radikale gjithnjë ka qenë në koalicion me SPS e Millosheviqit, prandaj tani qëllimi i tyre është që t’i fitojnë zgjedhjet që do të mbahen në dhjetor, dhe për një kohë ta qeverisin Serbinë bashkë, prandaj ata tani në baza nacionale mundohen që elektoratit t’iu mbajnë ligjërata se “veriu i Kosovës është pjesë e Serbisë”, e kur dihet tani se Serbia është si shteti i vetëm në Evropë që i qëndron Rusisë në përkrahje ndaj luftës kundër Ukrainës”, shprehet Tërnava.

Deklarata e Stoltenbergut, sipas Tërnavës, është që Kosova të pranohet në NATO.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në Samitin e Madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare që mbahet të martën dhe të mërkurën, një nga top-temat e diskutimit do jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Bota demokratike duke e njohur tani Serbinë, e sidomos shtetet e NATO-së, tani po e shqyrtojnë praninë e “qëndrueshme” në Kosovë, e cila garanton ruajtjen e qetësisë dhe rehatisë së Kosovës, që do të thotë se rehatia në Kosove, do të jetë e qëndrueshme në mënyrë të përhershme, dhe kjo e thënë e Stoltenbergut e ka shpjegimin se Kosovës duhen në te ardhmen t’i hapen dyert për pranimin e saj në NATO, dhe kjo prani më e qëndrueshme e NATO-së, juridikisht e ka kuptimin që edhe dejure Kosova duhet të pranohet në këtë institucion ndërkombëtar të NATO-së”, shton Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat