Historia e familjes së Liridona Ademaj qenka e dhimbshme, veprimtari nga Gjermania tregon detajet rrëqethëse

Politika

Historia e familjes së Liridona Ademaj qenka e dhimbshme, veprimtari nga Gjermania tregon detajet rrëqethëse

Nga: H.O. Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 22:28
Liridona Ademaj

Vrasja e Liridona Ademaj ka bërë bujë të madhe në Kosovë dhe jashtë saj. Njihet si një ndër vrasjet më të rënda të dekadës së fundit, si shkak i rrethanave në të cilat është kryer.

Deri më tani janë dëgjuar e rrëfyer histori të ndryshme rreth Liridonës, bashkëshortit të saj Naimit, i cili ka pranuar se ka qenë inicuesi për të vrarë Liridonën, dhe nga familjet e të dyve.

Mirëpo, veprimtari shqiptar që jeton në Gjermani, Idriz Zeqiraj, në një bashkëbisedim për ‘Bota sot’ ka folur rreth historisë së familjes së Liridona Ademaj.

Zeqiraj tregon pak histori për origjinën e nënës Zyrafete, të Liridonës.

“Origjina familjare e Zyrafete Ademaj, nëna e Liridonës, vjen nga familja Meshi nga Kusuri i Hasit, e arratisur nga Shqipëria në Kosovë, në vitet `50-a. Kjo familje, fillimisht u vendos në Podujevë dhe që andej u bart në fshatin Lubozhdë, për t`u vendosur më vonë në Banjë të Istogut, Ganiu me familjen e ngushtë, njëri nga djemtë e plakut Hysen Meshi dhe tre djemtë tjerë në vendbanimet përrreth. Familje e shkolluar dhe u punësuan, kryesisht, në arsim, përfshirë edhe vajzat. Familja Meshi e mbetur në Shqipëri, me dajallarët e tyre të fisit Paci, u goditën rëndë nga regjimi fashizoid-stalinist i Enver Hoxhës. Një i ekzekutuar me plumb zyrtar, një i varur dhe 150 vjetë burg të vuajtura. Në vitet `70-a dhe `80-a kemi vuajtur burgun e Burrelit, me njërin nga anëtarët e familjes së martirizuar Meshi”, rrëfen ai.

Tutje Zeqiraj tregon se, në Luftën e Kosovës, dy djemtë e familjes Meshi, Bashkimi dhe Afrimi, në Lubozhdë të Istogut, në përleshje ballore me policinë serbe, ranë dëshmorë.

“Ende pa dhënë shpirt ata, vëllai i tyre, Kujtimi, fyta-fytas, i rrëmben armën policit dhe i vret dy policët. Një hakmarrje dhe shpagim i përflakshëm, pa një rast të dytë! Ai me dy kunatat e veja, i rritën, edukuan dhe shkolluan të 6 (gjashtë) fëmijtë bonjakë, të dëshmorëve të lirisë. Nisur nga kjo lidhje e tërthortë, sapo mësova për monstrumët vrasës të Liridonës, shkrova se trupi i pajetë i Liridonës të zhvendoset nga varrezat e Cërmjanit, në fshatin lindak Rracaj. Jo pse fshatrat kishin 25 km. distancë, por nuk kishte asnjë kuptim që Liridona të prehej atje, së bashku me jetëmarrësit e saj kriminelë brutalë”, tregon ai.

Ai thotë më tutje se, “në Facebook, ngushëllova familjen e Liridonës, tashmë, vetëm Ademaj, siç lëshoi porosinë xhentile emërtuese, juristja e diplomuar Tearca Kica-Xhelili, duke shënuar edhe numrin e telefonit tim. Në mbremjen e asaj dite, me telefonoi Leonardi, vëllai i Liridonës: "Kemi kërkuar nga Prokuroria zhvarrimin e Liridonës në varrezat tona",- më tha ai. Ishim të një mendjeje që vendin e hakmarrjes, ta zë drejtësia, me besimin e një trajtimi korrekt ligjor”.

Zeqiraj thotë se ҫështja e dy fëmijëve të Liridonës, është një brengë që bren, për gjyshërit Ademaj. Pasja e tyre në përkujdesje, lehtëson dhimbjen, sikur ta kenë gjysmë Liridone në familjen e tyre.

"Vëllai me familje jeton në Gjermani, tri motrat në Zvicër dhe një në Kosovë. Unë jam i fejuar, prindërit e moshuar nuk mund t`i lëmë të vetmuar. Aktualisht, fëmijtë janë te gjyshërit Murseli, sepse në familjen tonë gjendja është tmerruese, gjithë lot e vajë dhe fëmijtë do ta kuptojnë tragjedinë e nënës së tyre. Zgjidhja e pranueshme e tashme, do të ishte përkujdesja shtetërore suedeze", - sqaroi Leonardi, përmes dhimbjes të skajshme”, tregon Zeqiraj.

Image
Liridona Ademaj
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat