Kurti pret sot Lajçakun në takim/ Zbardhin “prapaskenat” e vizitës së emisarit të BE-së – përmenden disa kërkesa

Politika

Kurti pret sot Lajçakun në takim/ Zbardhin “prapaskenat” e vizitës së emisarit të BE-së – përmenden disa kërkesa

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 janar 2024 Në ora: 11:33
Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak, po qëndron sot për vizitë në Kosovë.

Miroslav Lajçak në Prishtinë pritet të takohet me liderët shtetëror, përfshirë me kryeministrin Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar takimin ndërmjet kryeministri Albin Kurti dhe emisarit të BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Takimi pritet të zhvillohet në orën 15:00.

I dërguari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, viziton sot Kosovën, pasi që një ditë më parë ka qëndruar në Beograd, ku ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në X, Lajçak ka thënë se me Vuçiqin ka folur për situatën aktuale në dialog.

Sipas tij, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

"Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

Duke parë, përpjekjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duket se Lajçak edhe mund të vijë me kërkesa të reja për Kosovën, përshirë këtu edhe çështjen e dinarit serb.

Se çka mund të pritet nga kjo vizitë e Lajçakut në Kosovë, folën analistët politikë për “Bota sot”.

Zogaj: Lajçak nuk mendoj se ka për të sjellë ndonjë kërkesë të re

Image
Skënder Zogaj

E për këtë vizitë foli për gazetën “Bota sot” analisti politik Skënder Zogaj.

Së pari, ai tha se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë janë në një pikë të rrezikshme, ku dialogu po mbahet i bllokuar.

Bisedimet Kosovë-Serbi janë në një pikë të pakëndshme dhe të rrezikshme, sepse, shpesh në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka qenë më e mirë një humbje e hershme se sa një fitore tepër e vonë, që kur i bëhet llogaria nuk ia vlen barra qeranë! Pra, sa më shumë që mbahet i bllokuar dialogu, ujemin e paguan Kosova, së cilës i pengohet integrimi në BE, ndërsa i fiton Serbia e cila është e integruar në Rusi dhe, pesha e fitores së saj është koha e humbur e mos arritjes së finalizimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës”, deklaroi ai.

Zogaj tha se Lajçak do ta ritheksoj mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale, e që sipas tij duhet t’i kushtohet vëmendje dhe të shfrytëzohet për të mirë kjo vizitë.

Pra gjithçka është e qartë, dhe aspak ose shumë pak, mund të ketë modifikime të shtegut të zgjidhjes përfundimtare nga ana e qëndrimeve ndërkombëtare! Emisari ndërkombëtar Lajçak, këtë do ta ritheksoj edhe me rastin e kësaj vizite e cila, është mirë të ndiqet me vëmendje dhe, të shfrytëzohet për "shkrirje" të brymës e cila ka rënë kohëve të fundit përmes ca qëndrimeve që, absolutisht janë të padobishme, madje edhe janë të dëmshme, sepse Kosova nuk ka kohë për pritje”, theksoi analisti.

Ndër të tjera, ai vlerësoi se emisari sllovak nuk do sjellë kërkesa të reja, por që në rast se nuk merr sinjale të mira, atëherë ka rrezikë që emisarë të tjerë të vijën dhe të parashtrojnë kërkesa të reja.

“Lajçak nuk mendoj se ka për të sjellur ndonjë kërkesë të re, por me siguri që ka për të kërkuar veprim konkret për realizimin e obligimeve të deklaruara. Nëse nuk merr sinjale të mira, mendoj se, vizita e mëpastajme e Lajçakut ka për t'u shoqëruar edhe nga emisarë të tjerë që, PO - ka rrezik të sjellin kërkesa të reja të radhës... që nuk do të jenë të dëshiruara”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk pres rezultate nga ky takim

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se qëllimi i vizitave të Lajçak në Serbi dhe Kosovë është organizimi i një takimi ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Vizita e Lajcak në Serbi dhe Kosovë është në kuadër të përpjekjeve të BE-së për organizimin e ri të takimit Kurti-Vuçiq. Do të duhet që BE dhe vetë Lajçak t'i kërkonte Vuciqit transparencë të hetimeve për zgjedhjet e manipuluara në Serbi si dhe dhënien e përgjegjësisë për arrestimin dhe maltretimin e z.Sanduloviç. Mirëpo, me këtë BE në favor të Serbia nuk pritet asgjë në këtë drejtim, derisa sot në Kosovë pritet të kërkojë pezullimin e vendimit të qeverisë për dinarin e Serbisë”, u shpreh ai.

Në fund, analisti përmendi edhe Asociacionin e që sipas tij do t’i bëhet presion Kosovës për themelimin e tij.

Në këtë kuptim, edhe tema e Asociacionit pritet të jetë presioni ndaj Kosovës. Nuk pres rezultate nga ky takim, veç vazhdimësi së qasjes destruktive të Lajçak dhe BE ndaj Kosovës, dhe ledhatimit të tyre ndaj Serbisë e Vuçiqit”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat