Kosova e rrezikuar nga spiunazhi, kërkohet mbështetje nga të gjithë: Të luftohen shërbimet sekrete serbo-ruse

Politika

Kosova e rrezikuar nga spiunazhi, kërkohet mbështetje nga të gjithë: Të luftohen shërbimet sekrete serbo-ruse

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 shkurt 2024 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Gjatë kësaj jave, Policia e Kosovës zhvilloi aksion në një organizatë joqeveritare serbe, e cila ishte e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Sipas Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, kjo organizatë dyshohet për veprimtari të jashtëligjshme dhe rrezikim të sigurisë së Kosovës.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je. Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, deklaroi Minsitri Sveçla.

“Sa qendra të tjera ka ngritur BIA serbe në Kosovë?!”

Kurse, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, Kosova ka qenë dhe është pikësynimi kryesor i shërbimeve sekrete të Rusisë, Serbisë dhe vendeve të tjera.

“Sa kohë që Kosova do të jetë në këtë situatë, por edhe nëse ajo e përfundon plotësisht projektin e vet të shtetësisë, Serbia dhe shërbimi i saj sekret nuk do të heqë dorë prej saj, me qëllim që ta destabilizojë, për t’u thënë vendeve të Perëndimit se “Kosova nuk është e aftë të vetëqeveriset e të vetadministrohet”! Kjo strategji e Beogradit është tashmë e kalkuluar në këto 25 vite, por edhe më parë. Shteti serb shpenzon afërsisht një miliard dollarë në vit për ta nënshtruar dhe destabilizuar Kosovën e brishtë të sotme. Këto një miliard dollarë amerikanë të presidentit dhe qeverisë se Beogradit shkojnë për të paguar sa më shumë spiunë, mundësisht spiunë elitë. Janë shtuar dhe po rritet numri i spiunëve elitë, sidomos në medie, për të cilët paguhen çmime të shtrenjta”, nënvizon Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Krahas kësaj, sipas profesor Bytyçit veprojnë edhe qendra spiunazhi të ndryshme që rriten në numër.

“Një prej tyre u zbulua pas shumë vitesh aty në folenë e institucioneve kryesore si policia dhe prokuroria e shtetit. Ishte një qendër spiunazhi e kamufluar me rolin e organizatave jo qeveritare. Sigurisht që hetimi do të sqarojë shumë gjëra. Por e sigurt është se shërbimi sekret i Serbisë e ka sponsorizuar këtë qendër. Tani pyetja është: - Sa qendra të tjera ka ngritur BIA serbe në Kosovë?! Çfarë marrëdhënie kanë ato edhe me shërbimin rus. Sa e cilët njerëz janë aktivizuar dhe paguhen për këto shërbime? Sa dëm i kanë shkaktuar institucioneve të vendit? Janë pyetje këto jo aq për policinë, sa për Agjencinë e Shërbimit Informativ dhe prokurorinë e Kosovës. Institucionet e sigurisë kanë një barrë dhe përgjegjësi shumë të madhe. Jo për fajin e tyre, sepse politika e qeverive të shkuara ka toleruar gjithçka serbe në Kosovë, me qëllim që të bënin rolin e “djalit të mirë e të bindur” të familjes euro-amerikane. Në atë atmosferë kanë mundur të instalohen qendra spiunazhi edhe te themelet e godinave të vetë këtyre institucioneve. Klima politike në favor të Serbisë ka favorizuar pra veprimtarinë anti-shqiptare në Kosovë e gjetkë të shërbimeve sekrete serbe dhe kur themi serbe, atëherë e dimë se pas saj qëndron edhe Rusia”, shprehet Bytyçi.

Qendra të njëjta spiunazhi, sipas Bytyçit ekzistojnë edhe në rajonet tjera të Kosovës.

“Dje në Pejë u asgjësuan tri institucione paralele të Serbisë, ndërkohë që para pak ditësh u zbuluan dhe asgjësuan edhe katër të tjera në Dragazh. Çfarë janë këto institucione paralele? Pse në Pejë, ku nuk ka as serbë, madje në Istog? Institucionet paralele serbe janë në fakt qendra të spiunazhit të Beogradit, të Aleksandër Vuçiq dhe të Aleksandër Vulin. Vetëm në dy lokacione u mbyllën shtatë qendra të tilla. Sa janë në të gjithë Kosovën? Si vegjetuan ato deri sot? Dhe për turp të botës, pak opozitarë e vlerësojnë punën e policisë dhe institucioneve të Kosovës për ta pastruar Kosovën nga veprimtaria diversive e subversive e Serbisë në këtë vend”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi bëri thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar përballë kërcënimit serb.

“Kosova ka nevojë për solidaritetin dhe mbështetjen e secilit. Lufta kundër pranisë së shërbimit sekret, kundër institucioneve paralele, kundër pranisë së kriminelëve dhe terroristëve serbë në Kosovë nuk mund të ketë sukses vetëm me angazhimin e policisë apo edhe të qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Çdo qytetar i saj, opozitar ose jo, duhet të bëhen bashkë, të ndihmojnë, së paku duke dhënë energji pozitive. Edhe kaq mjafton!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Fajtor SHIK-u

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehnmeti, deklaron se me zbulimin e kësaj qendre në Prishtinë, po dëshmohet se sa shumë është e pranishme Serbia në Kosovë.

Image
Faton Mehnmeti

“Fatkeqësisht objekte të tilla mund të ketë, ndaj edhe hetimi i policisë dhe mbyllja e kësaj qendre është veprim i duhur. Po dëshmohet se sa shumë thellë Serbia me shërbimet e veta është e pranishme në Kosovë”, thekson ai.

Fajtor për këtë, Mehmeti e bën direkt SHIK-un.

“Besoj se objekte të tilla ka edhe në vende të ndryshme të vendit, kështu që SHIK-u duhet të mbaj përgjegjësi që ka lejuar këto shërbime serbe të lidhura me BIA të veprojnë në vendin tonë. E pamundur që SHIK mos të dinte se këto shërbime veprojnë, ndaj dhe dyshimet janë. Me pak fjalë, policia të veprojë duke mbyllur çdo qendër paralele, të zhduket me themel çdo gjë e Serbisë dhe BIA-s, për të minuar rrezikun që vijnë nga këto qendra si dhe për të shtirë sovranitetin kudo”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat