“Frika” e Haradinajt nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lavdëron Ramën për “inat” të Kurtit?!

Politika

“Frika” e Haradinajt nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lavdëron Ramën për “inat” të Kurtit?!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 29 gusht 2024 Në ora: 14:12
Ramush Haradinaj

Ditë më parë në Tiranë u mbajt Konferenca e Ambasadorëve. Fjala e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ishte shpresëdhënëse se Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027.

“Shqipëria vitin tjetër do të mikpresë liderët e 44 vendeve evropiane nga Britania në Ukrainë apo nga Suedia e Norvegjia në Turqi vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sa e rëndësishme është për ne që jemi një vend i vogël që të përfaqësohemi me volumin më të lartë të ambicies dhe aftësisë për të qenë të respektueshëm, na jep mundësinë që ne të jemi mikpritës i Samitit të NATO-s vitin 2027, as që mund të imagjinoheshin vite më pare”, deklaroi kryeministri Rama.

E kjo, për Kosovën po konsiderohet si një mundësi e mirë që ta ketë zërin e saj direkt në NATO.

Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj këtë veprim e lidh me zgjedhjet nacionale, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, duke thënë se për t’u bërë kjo Kosova duhet ta ndërrojë qeverinë.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama, ka paralajmëruar se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027. Kjo është një mundësi e mirë që Kosova të ketë zërin e vet direkt në Samitin e NATO-s. Deri atëherë, tranzicioni i Ushtrisë sonë do të jetë praktikisht i përfunduar, kjo sipas Planit që kemi futur në funksion në fund të vitit 2018.

Por, për të arritur që Kosova të jetë në Samitin e NATO-s në Tiranë më 2027, së pari duhet ta ndërrojmë Qeverinë më 2025 dhe të kemi dy vjet pandalur në angazhim të ngushtë me SHBA dhe NATO", ka thënë Haradinaj.

Ahmeti: Haradinaj, frikë nga zgjedhjet e ardhshme

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti, në një përgjigje thotë se Haradinaj kohët e fundit po bën shume deklarata subjektive, me të cilat po shfaq një frikë nga zgjedhjet e ardhshme, që sipas Ahmetit do ta dëmtojnë shume elektoralisht.

“Kohët e fundit zoti Haradinaj nuk po përbëhet me deklarata shumë subjektive, të cilët shpërfaqin frikën nga zgjedhjet e ardhshme. Rruga racionale e zoti Haradinajt do të ishte që të ofroj program konkret e obejktiv e jo me deklarata të tilla, të cilat do ta dëmtojnë më shumë elektoralisht.

Qytetarët do të kthehen në retrospektivë dhe do të nxjerrin gjykim shumë objektiv për çdo subjekt që ka qeverisur, por edhe këta që qeverisin. Demokracia si formë e organizimit, qytetarëve ju jep shumë mundësi të mira që të gjykojnë çdo alternativë të mundshme dhe të vendosin përmes votës së tyre”, shprehet ai.

Elezaj: Deklarimet e Haradinajt karshi Kurtit janë të njohura tashmë

Analisti Rexhep Elezaj, për “Bota sot”, thotë se paralajmërimit të Ramës duhet t’i gëzohet çdo shqiptar, duke marrë parasysh edhe faktin që Shqipërisë nuk i kanoset asnjë rrezik nga sulmet e mundshme nga disa vende fqinje, si Greqia, kushtimisht as Kosovës nga Serbia.

Image
Rexhep Elezaj

“Nuk ka asnjë dilemë, se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, e ka gëzuar çdo shqiptar kudo në botë, sepse ishte herë e parë që shteti ynë amë, apo atdheu i të gjithë shqiptarëve, Shqipëria nënë, po shkëputej nga një e kaluar tejet e rënd dhe e errët komuniste-diktatoriale, nga një varfëri ekstreme si dhe nga blloku sllavo-ruso-socialist, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë hegjemonisë ruse, por edhe kthimit të shqiptarëve si komb në mesin e popujve perëndimorë, në Aleancën ushtarake Veri-atlantike, aty ku e ka edhe vendin krejtësisht natyrshëm, si pjesë e kontinentit të Evropës.

Prandaj, paralajmërimit të kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Ramës, se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027, duhet t’i gëzohet çdo shqiptar që ujit i thotë ujë, dhe bukës i thotë bukë, duke marrë parasysh faktin, se sot Shqipërisë nuk i kanoset më asnjë rrezik nga sulmet e mundshme nga disa vende fqinje, si Greqia, kushtimisht as Kosovës nga Serbia, ngase si anëtare e NATO-s, siguria territoriale dhe nacionale e Shqipërisë është e siguruar me Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut, gjë që është kjo e arritura më e madhe e saj, si shtet dhe si komb i lashtë në Ballkan”, thotë Elezj.

Kurse, për deklarimet e Haradinajt, ai thotë se nuk është diçka e re sepse tashmë janë të njohura pikëpamjet e tij karshi Kurtit, duke shtuar se sa janë ato reale dhe objektive, është kjo çështje e partisë së tij.

Ai shton, se edhe kritikat e Haradinajt ndaj Kurtit, mbase edhe janë të drejta, duke u bazuar në veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët, gjë të cilin e kanë kritikuar edhe ndërkombëtarët.

“Ndërsa, sa i përket deklaratës së z. Ramush Haradinaj, se, “për t’u bërë Kosova anëtare e NATO-s dhe për të qenë prezente në Tiranë në vitin 2027, duhet ta ndërrojmë qeverinë Kurti në zgjedhjet e shkurtit 2025”, mendoj se ky qëndrim i tij, nuk është hera e parë që e dëgjojmë, ngase janë të njohura pikëpamjet e tij karshi z. Kurti dhe qeverisë së tij, të cilat në vazhdimësi i ka shfaqur publikisht në opinionin kosovar, por sa janë ato reale dhe objektive, është kjo çështje e partisë së tij, AAK-së, e cila do të jetë njëra nga partitë garuese në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Mendoj se Ramushit të drejtën për ta kritikuar kaq ashpër kryeministrin Kurti, ia jep fakti, sepse të gjithë e dimë se kryeministri Kurti gjatë mandatit të tij, jo pak herë ka pasur kritika dhe mosmarrëveshje me miqtë tanë amerikan, për shkak të disa veprimeve të tij në veri të Kosovës, mbase të cilat shpeshherë ambasadori amerikan në Kosovë, z. J. Hovenier dhe ndihmës sekretari i shtetit amerikan z. J. Obrien i kanë konsideruar si të njëanshme dhe të pakoordinuara, e që në njëfarë dore i jep të drejtë z. Haradinaj që ta kritikojë kryeministrin Kurti, sepse nuk ka bërë mjaftueshëm për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe jo vetëm.

Se, a kanë konotacion parazgjedhor kritikat e z. R. Haradinaj ndaj kryeministrit Kurti, kjo nuk diskutohet, kur dihet se AAK në zgjedhjet e shkurtit 2021 ka kaluar mjaft dobët, ku mezi e kaloi pragu zgjedhor, prandaj gjithherë në politikë mes pozitës dhe opozitës ka divergjenca, kritika si dhe garë për pushtet, të cilat, përderisa zhvillohen në kufijtë e lejuar kushtetues dhe ligjor, mendoj se më shumë janë pozitive për vendin dhe shoqërinë demokratike, se sa që janë të dëmshme për një shtet me sistem pluralist demokratik dhe shumë partiak”, përfundon ai për “Bota sot”. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat