“Në emër të luftës kundër kryeministrit”/ Profesori ‘godet’ opozitën, ja kush do të fitojë zgjedhjet!

Politika

“Në emër të luftës kundër kryeministrit”/ Profesori ‘godet’ opozitën, ja kush do të fitojë zgjedhjet!

Nga: N. Sh. Më: 30 gusht 2024 Në ora: 19:57
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abidixhiku; foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidetja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar datën 9 shkurt 2025 për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Të premten e kësaj jave përfundon afati i regjistrimit të koalicioneve. Ndërkohë që vetëm AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt kanë vendosur të garojnë në zgjedhje në koalicion të përbashkët.

Duket qartë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit të ardhshëm opozita nuk do jetë e bashkuar në një koalicion parazgjedhor.

Kështu është shprehur analisti politik profesori Enver Bytyçi, i cili shton se, mesa duket ka një garë elektorale edhe midis partive kryesore opozitare, sidomos Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ndoshta janë bërë llogari që gara në vetmi të sjellë më shumë vota për secilin subjekt politik, por këtë unë nuk e besoj. Koalicionet krijojnë frymë dhe pa frymë zgjedhjet nuk fitohen. Por edhe mundet që ndonjë forcë politike që sot është në opozitë të përpiqet të garantojë pjesmarrjen e vet në qeverisjen e mandatit të ardhshëm, nëse Vetëvendosja dhe Guxo nuk arrijnë një fitore absolute. Dhe llogaria e tillë i bën këto parti të mos krijojnë koalicion parazgjedhor. Madje kam përshtypjen se këtë lojë e ka sajuar vetë kryeministri që kur takoi kreun e PDK-së, Memli Krasniqin. Dhe Memli, për ta thyer këtë opinion, përzgjodhi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, që do të thotë për zv.kryeministër”, thotë profsori.

Ai shton se, përfundimisht duket qartë se për ato zgjedhje do të konkurojnë mazhoranca e sotme e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti dhe opozita e copëzuar në parti politike, të cilat kanë ekzistuar edhe para mandatit qeverisës të Kurtit.

“Se kush nga këto fraksione politike i fiton këto zgjedhje, kjo varet nga shumë faktorë. Varet kryesisht nga ajo se sa i ka mbajtur premtimet e tij Albin Kurti dhe koalicioni Vetëvendosje-Guxo. Varet edhe nga refleksioni dhe reforma që kanë bërë partitë opozitare për të ndryshuar qasjen e së kaluarës dhe fituar besimin e publikut se ato janë të gatshme të qeverisin ndryshe nga e kaluara. Nëse ballafaqojmë këto dy aspekte të kushtëzimit të fitores, automatikisht shkojmë te aksioma e fitores së mazhorancës së sotme, sepse kjo mazhorancë i ka plotësuar shumicën e premtimeve të dhëna. Kurti premtoi se nuk do të jetë “hajn”, si paardhësit e tij dhe personalisht e ka realizuar këtë premtim. Ndërkohë ka kufizuar korrupsionin te bashkëpunëtorët e tij, megjithëse ende është shqetësues. Kjo do të thotë se Kurti nuk shpërndan paratë e taksapaguesve për të bërë politikë partiake e personale. Nuk pranon të bashkëpunojë me kriminelë e terroristë si Radoiçiq, për të garantuar shumicën në parlament për votimin e ligjeve. Nuk do ta bëjë këtë as në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk fiton shumicën absolute. Ai do të gjejë një parti politike shqiptare të opozitës për koalicion qeverisës në këtë rast. Si rezultat buxheti u rrit 35 përqind”, thotë profesori.

Bytyçi shprehet se, Kurti ka mbajtur premtimet e tij lidhur me përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri dhe me krijimin e raporteve të barabarta në dialogun me Serbinë.

“Ndërkohë që më parë ishin prishur të gjitha balancat në këto aspekte. Ka edhe rezultate të tjera në ekonomi, kulturë etj. Qytetarët do të donin të kishte më shumë rezultate në ekonomi, por nuk duhet harruar se është dashur të trefishohet buxheti për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Janë para që e japin rezultatin e tyre me vonesë dhe jo menjëherë. Ndërsa opozita mendoj se nuk është reformuar. Të gjitha partitë opozitare ose në mazhorancë e respektojnë luftën çlirimtare të UÇK-së. Por kjo nuk do të thotë që partitë opozitare në emër të kësaj lufte të mos distancohen nga veprimet e paligjshme të disa krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të marrësh në mbrojtje paligjshmërinë e këtyre krerëve ish-udhëheqës të UÇK-së, edhe kur këta janë korruptuar e i kanë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit, është mosreflektim. Prandaj dhe besimi te qytetarët mungon për shumicën e opozitarëve. Opozita gjithashtu nuk është e qartë. Në emër të luftës kundër kryeministrit, shpesh bie në grackën e tezave të Serbisë. Nuk ka një kthjelltësi te opozita se si duhet të sillen e si duhet të veprojnë. Jam i bindur se nëse opozitarët do t’i përkrahnin veprimet e qeverisë në rastin e ballafaqimit të saj me destruktivitetin e Serbisë, do të kishin fituar më shumë besim te qytetarët. Kurse shumë herë opozita bëri të kundërtën. Në emër të mbështetjes te faktori ndërkombëtar kundërshtoi me forcë shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës. Më pas koha i dha të drejtë kryeministrit Kurti, jo opozitës e madje jo edhe ndërkombëtarëve”, potencon ai.

Ai shton se, reformimi i opozitës do të sillte një program shumë të qartë e të kuptueshëm për njerëzit, sidomos në çeshtjet e luftës kundër korrupsionit e të të bërit drejtësi në Kosovë. Por shton se, as kjo nuk ndodhi deri më sot.

“Tashmë nuk besoj se ka shumë kohë për ta përçuar mesazhin te qytetarët. Përfundimisht besoj se zgjedhjet do të fitohen nga Vetëvendosja + Guxo. Nuk jam i sigurt nëse do të ketë fitore absolute me 50 përqind plus një deputet në parlament. Por nëse do të duhen pak deputetë, ata gjenden te përfaqësuesit e pakicave në Kosovë. Ndoshta edhe te partitë serbe që e pranojnë integrimin në institucione, por jo edhe te Lista Srpska e Radoiçiqit. E nëse duhen më shumë deputetë, atëherë kam idenë se koalicioni do të përfshijë Partinë Demokratike të Kosovës, e cila po dëshmon se bën një opozitë më konstruktive ndaj mazhorancës”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat