Situata e sigurisë në Kosovë aktualisht është e qetë.
Këmbëngulja për hapjen e urës mbi Ibër nga Qeveria e Kosovës, për dallim nga gjithë ai “vrull” në fillim të muajit, tani si duket është zbehur paksa.
Për këtë duket se pati ndikim shefi i CIA-s, William Burns, i cili ditë më parë vizitoi Kosovën dhe u takua me Kurtin.
Por, për situatën e sigurisë, me gjithë vizitat nga personalitetet e sigurisë, duket sikur ka “indikacione për tensionim”.
Së fundmi, u dha njoftimi se Garda Kombëtare e Idahos do të vendosë në Kosovë më shumë se 100 ushtarë të Batalionit 1 të helikopterëve sulmues, nga regjimenti 183.
“Disa helikopterë UH-60M Black Hawk dhe më shumë se 100 pjesëtarë të personelit u vendosën në Teksas për afërsisht për një trajnim 30 ditor shtesë përpara se të niseshin për në Kosovë për 11-muaj në mbështetje të misionit paqeruajtës të NATO-s”, thuhet në njoftim.
“Operacioni Joint Guardian është një mision i përbashkët nën Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara. Ushtarët do të fokusohen në trajnimin dhe mbështetjen e partnerëve aleatë”.
Dashevci: Nuk mund të ketë eskalim të situatës në Republikën e Kosovës sepse po kujdeset NATO
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se ardhja e 100 ushtarëve amerikanë në Kosovë, përveç ndërrimit rutinor ka të bëjë edhe me situatën në bazë të vlerësimit të tyre.
Ai thotë se eskalim të situatës nuk do të ketë sepse Kosova është nën ombrellën e NATO-s.
“Sa i përket ardhjes se 100 ushtarëve të Batalionit nga SHBA sipas mendimit tim është në kuadër të ndërrimit të tyre rutinor por edhe në bazë të situatës që ata e vlerësojnë.
Kjo është tepër e mirëseardhur për Republikën e Kosovës duke pas parasysh që jemi nën ombrellën e NATO-s dhe tregon përkushtimin e aleatit tonë të përjetshëm për stabilitetin në Kosovë por edhe në Ballkan.
Nuk mund të ketë eskalim të situatës në Republikën e Kosovës sepse po kujdeset NATO që mos të ketë eskalim dhe masat preventive që po mirën janë pasqyrë dhe përgjigje ndaj atyre që eventualisht kërkojnë eskalim dhe këtu mendoj në Rusinë, sepse po i shohim humbjet që i ka në Ukrainë dhe ajo tenton në çdo mënyrë ta zhvendos konfliktin në Ballkan respektivisht në Bosnje dhe Hercegovinë por reagimi i NATO tregon vendosmëri që nuk lejon më eskalim në Ballkan”, thotë ai.
Kurse, vizitën e shefit të CIA-s, e quan historike, por që thotë ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në regjion respektivisht në vende që i vizitoi.
“Sa i përket vizitës së drejtorit të CIA-s sipas mendimit tim është vizitë historike për ne dhe tregon bashkëveprim dhe koordinim në hapat e mëtutjeshëm në rajon.
Ai vizitoj Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë dhe veprimet e tij nuk janë diplomatike ose politike, janë veprime konkrete të drejtpërdrejta dhe të qarta për Dodikun dhe Vuçiçin (vërejtje) që nuk lejohet asnjë eskalim në Ballkan.
Si fakt është deklarata qysh të nesërmen e Dodikut se nuk ndahemi nga Bosnje dhe Hercegovina.
Pra vizita e tij ndërlidhet me aspektin e sigurisë në regjion respektivisht në këto vende që i vizitoj.
Dhe unë e cilësoj si historike në aspektin e sigurisë preventivë, parandalim për mos-eskalim.
Te ne qëndroi dy ditë kjo tregon përkushtimin që ka SHBA për Kosovën, sepse ne jemi projekt amerikan dhe duhet të koordinohemi me aleatin për çdo gjë ose për çdo veprim dhe koordinimi me SHBA nuk ka alternativë”, përmbyll ai.
Bilalli: Black Hawk do rrisë më tepër fuqinë monitoruse dhe vëzhgimin e lëvizjeve dhe aktivitetet e forcave serbe pranë kufijve të Republikës sonë
Njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë, Lutfi Bilalli fillimisht ka dhënë informacione rreth Gardës Kombëtare së Idahos, nga kush përbëhet se si funksionon ajo.
Historik i shkurtër për Gardën Kombëtare të Idahos
“Së pari më lejoni të japë një informacion të shkurtër se kush është Garda Kombëtare e Idahos?
Garda Kombëtare e Ushtrisë është një komponent ushtarak që shërben për një mision të dyfishtë. Çdo njësi e Gardës shërben nën komandën e guvernatorit të shtetit të tyre për t'iu përgjigjur fatkeqësive natyrore ose emergjencave të tjera shtetërore. Përveç kësaj, njësitë e Gardës mund të aktivizohen për të mbrojtur kombin kur është e nevojshme. Në mbarë vendin, Garda Kombëtare e Ushtrisë përfshin afërsisht gjysmën e forcave luftarake të disponueshme të Ushtrisë Amerikane dhe afërsisht një të tretën e organizatës së saj mbështetëse. Garda Kombëtare e Idahos përbëhet nga më shumë se 3,000 ushtarë dhe shumë mjete transportuese të aviacionit ajror. Batalionit 1 të helikopterëve sulmues, nga regjimenti 183, përpos armatimit me armë këmbësorie në dispozicion kanë edhe helikopterët Sikorsky UH-60. Black Haëk është një helikopter ushtarak me dy motorë, me ngritje mesatare, i prodhuar nga Sikorsky Aircraft. Sikorsky paraqiti dizajnin S-70 .
Bilalli thotë se ardhja e 100 ushtarëve amerikanë në Kosovë lidhet me rrethanat dhe gjeopolitikën në rrafshin ndërkombëtar dhe konfliktet globale.
Ai këtë e sheh edhe si një "indikator për rreziqet e përshkallëzimit" të situatës në afërsi të kufirit veri-lindor të Kosovës.
“Qëllimi dhe arritja në Kosovë 100 ushtarëve të Batalionit 1-rë të helikopterëve sulmues, (nga regjimenti 183), shfaq edhe një herë interesin dhe gatishmërinë e politikës amerikane që ajo ka për ruajtjen dhe sigurinë e integritetit territorial të shtetit të Kosovës, por kjo e tëra lidhet edhe me rrethanat dhe gjeopolitikën në rrafshin ndërkombëtar dhe konfliktet globale.
Sigurisht që vendosja e 100 ushtarëve të Batalionit 1-rë të helikopterëve nga Garda Kombëtare e Idahos, është një indikator për rreziqet e përshkallëzimit të situatës në afërsi të kufirit veri-lindor të Kosovës. Besoj që vendosja e këtyre trupave amerikane me helikopter, Black Haëk do rrisë më tepër fuqinë monitoruese dhe vëzhgimin e lëvizjeve dhe aktivitetet e forcave serbe pranë kufijve të Republikës sonë. Politikisht prania e trupave amerikane në Kosovë është tregues i qartë për pozicionimin e fortë amerikan ndaj shtetësisë së Kosovës ndërsa në aspektin ushtarak është një tregues i fuqishëm se në rast të ndonjë ndërhyrje nga jashtë e në veçanti nga ndonjë aventurë ruso-serbe, ushtria amerikane do përgjigjet fuqishëm”, deklaron ai.
Ai shton, se edhe vizita e shefit të CIA-s, mund të ketë ndikuar për aktivizimin e 100 ushtarëve amerikanë, për të cilën thotë se CIA ka informacione të sakta për dhe rreth Ballkanit.
“Sigurisht që vizita e drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në aspektin e analitikes dhe informacioneve që ka shërbimi më i fortë i inteligjencës në botë mund të ketë ndikuar për aktivizimin e 100 ushtarëve të Batalionit 1-rë të helikopterëve nga Garda Kombëtare e Idahos, por natyra dhe specifikat e situatës në aspektin e gjeostrategjisë (ushtarak) janë vlerësuar mirë nga shërbimet e inteligjencës së ushtrisë amerikane, që do thotë se edhe CIA ka informacione të sakta për dhe rreth Ballkanit. Sigurisht që shefi i CIA-s ka paralajmëruar dhe i ka "këshilluar" liderët problematik të disa vendeve në Ballkanin Perëndimor se janë të monitoruar për çdo lëvizje që ndërlidhet me politiken e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor e në veçanti ndaj politikës ruse dhe aleatëve të Putinit në këtë regjion”, përfundon Bilalli për “Bota sot”.