Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agim Nesho, e ka quajtur të suksesshme vizitën e shefit të CIA-s William Burns, në Ballkan.
Sipas tij, vizita disa ditore e Burnsit në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe në Kosovë e arriti qëllimin e saj.
“Institucioni i CIA-s sot është një nga instrumentet kryesore të politikës së jashtme të SHBA-së. Ndryshe nga institucionet e tjera, si Departamenti i Shtetit, i cili është më burokratik dhe më ideologjik, CIA bazohet në një politikë realiste që mundësohet nga aftësia e saj për të mbledhur dhe përpunuar informacion të shkallës së parë duke pasur një pasqyrë të situatës më reale dhe njohje të plotë të aktorëve dhe protagonistëve shtetërorë në situata reale. Prandaj, vizita e diplomatit të madh William Burns ishte e suksesshme dhe arriti qëllimin e saj në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Nesho për gazetën “Bota sot”.
Gazeta ka pyetur diplomatin shqiptar, nëse vizita e drejtorit të CIA-s, ishte e lidhur me hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë. Sipas Neshos, kjo çështje ishte pjesë e bisedës së Burnsit me krerët shtetërorë të Kosovës. Ai ka alarmuar se Rusia po kërkon vatër të re konflikti në veri të Kosovës dhe në Bosnjë.
“Sipas mendimit tim, sigurisht (ura e Ibrit) ka qenë pjesë e bisedimeve, por gjithmonë jo e shkëputur nga rreziku gjeopolitik i forcave revizioniste si Rusia, Serbia të cilat duan të destabilizojnë Ballkanin. Rusia kërkon të krijojë një vatër të re konflikti në Bosnjë-Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës për të cilin ka kohë që pretendohet se është një konflikt i ngrirë”, ka pohuar Agim Nesho.
Ai ka shtuar se “William Burns ka diskutuar me kryeministrin Kurti si partnerë të familjes perëndimore dhe përgatitjen për të shmangur provokime që mund të krijojnë konflikte në Ballkan”.
“E drejta e lëvizjes së lirë të qytetarëve në hapësirën e shtetit sovran të Kosovës është një çështje parimore dhe në funksion të mbrojtjes së parimit të kontrollit të territorit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Por, kujdesi për të kontrolluar situatën me maturi është detyrë po aq i rëndësishëm”, ka thënë ish-ambasadori.
Vizita e Burnsit erdhi mes shqetësimeve për marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe ndikimin e Rusisë në Ballkan.
Pas takimit me Burns, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “dëshiron t’i forcojë e zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas kreut të ekzekutivit, vizita e drejtorit të CIA-s “ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”./Botasot