Tavolina e “përmbysur” e dialogut Kosovë Serbi/ Zbërthehet mesazhi i Presidentes Osmani për ndërkombëtarët – koha për barabarësi

Politika

Tavolina e “përmbysur” e dialogut Kosovë Serbi/ Zbërthehet mesazhi i Presidentes Osmani për ndërkombëtarët – koha për barabarësi

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 shtator 2024 Në ora: 08:01
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Dialogu Kosovë – Serbi ende nuk ka arritur të përfundojë me një marrëveshje finale, ani pse ka disa vite që ka filluar.

Ka një kohë të gjatë që dialogu sikur ka kaluar në ‘heshtje’ dhe pa ndonjë zhvillim.

E së fundmi presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  u shpreh se tavolina e dialogut Kosovë-Serbi është e përmbysur.

Osmani, ka theksuar nevojën për të rikthyer barazinë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një diskutim të mbajtur në Forumin GLOBSEC 2024 në Pragë, Presidentja ka theksuar se aktualisht tavolina e negociatave është e përmbysur dhe se është koha që të rikthehet niveli i barabartë në bisedime.

“Ata që marrin pjesë në bisedime duhet të jenë në një tavolinë të niveluar. Tani për tani, tavolina e dialogut Kosovë-Serbi është e përmbysur,” ka thënë Osmani.

Ajo ka potencuar se rikthimi i barazisë është kusht i domosdoshëm për të arritur sukses në dialog.

“Është koha që barazia të rikthehet në tavolinë. Kjo është parakusht për suksesin,” ka shtuar ajo.

Menjëherë pas kësaj deklarate nga BE-ja janë deklaruar në lidhje me dialogun.

Bashkimi Evropian e konsideron prioritet organizimin e rundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk dha ndonjë datë për një takim të tillë, duke thënë se data do të bëhet publike në një kohë të përshtatshme.

Kujtojmë që një ditë më parë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut, duke mos dhënë më shumë detaje.

Mirëpo, duke parë këto deklarata, çfarë po paralajmëron presidentja Osmani me pjesën “është koha që të rikthehet niveli i barabartë në bisedime”?

Elezaj: Presidentja Osmani ka plotësisht të drejtë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj.

Ai shpjegon thelbin që presidentja Osmani ka dëshiruar ta thotë me deklaratën e saj.

Elezaj tregon që ajo deklaratë vjen si shqetësim që në tavolinën e bisedimeve, është Serbia ajo që është ledhatuar gjithmonë.

Ndër të tjera, analisti i jep të drejtë Presidentes.

“Deklarata e presidentes Vjosa Osmani në Forumin GLOBSEC 2024 në Pragë, se “është koha që të rikthehet niveli i barabartë në bisedime, dhe se tavolina e negociatave është e përmbysur”, përveç se shpreh shqetësimin e saj të qartë, se deri më tash nuk ka pasur dialog të barabartë mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të ledhatimit që i është bërë në vazhdimësi Serbisë nga ana e BE-së, mbase kjo deklaratë duhet të jetë paralajmërim për zyrtarët e rinj të BE-së, se dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të vazhdojë tutje, sikur që ka ndodhur deri më tash, që pala serbe prapë të jetë e privilegjuar dhe e ledhatuar, veçse dialogu duhet të zhvillohet vetëm mbi baza të barabarta mes palëve, dhe kjo si kusht themelor që dialogu të përfundojë me sukses me Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, mendoj se presidentja Osmani ka plotësisht të drejtë kur e jep një konstatim të tillë, sepse nuk mund të ketë sukses çfarëdo dialogu mes palëve, përderisa njëra palë, në këtë rast Serbia, privilegjohet nga ana e BE-së, gjegjësisht nga i emëruari i saj për lehtësimin e dialogut, ndërsa pala tjetër, Kosova, të sanksionohet me masa ndëshkuese ekonomike dhe financiare, si dhe të shantazhohet me presione enorme për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Ohrit, duke kërkuar nga ajo me ngulm që ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke ia mbajtur këtë kërkesë me vite si shpatën e Demokleut mbi kokë”, u shpreh ai.

Më tej, Elezaj flet për disa nga rastet kur Kosova është trajtuar si palë e dobët, duke përmendur këtu edhe njëanshmërinë e Lajçak.

“Andaj, në këso kushte dhe rrethana të vështirësuara në dialog, pala e Kosovës në vazhdimësi është trajtuar si palë e dobët dhe e nënçmuar, ndaj të cilës janë shtruar kërkesa gati të pazbatueshme, siç ka qenë dhe mbetet pranimi i autonomisë për serbët në veri, duke iu dhënë përmes asociacionit të drejta të pakufizuara, si pakicë nacionale, asociacion i cili në fund do çonte në shkëputjen e veriut nga tërësia territoriale e Kosovës dhe bashkëngjitjen e tij Serbisë fashiste.

Nisur nga këto dhe shumë fakte tjera, presidentja Osmani ka plotësisht të drejtë, që vazhdimin e dialogut me Serbinë, pala kosovare duhet ta kushtëzojë me barazi të plotë, e që nënkupton implementim të marrëveshjeve në nivel të njëjtë nga të dyja palët, gjë që nuk ka ndodhur në dialogun e deritanishëm, ngase BE-ja përmes emisarit të saj, M. Lajçak, gjithherë i ka bërë lëshime palës serbe, duke e toleruar dhe mos ndëshkuar as në rastet më të rënda, siç ishte implikimi i regjimit serb të Beogradit në sulmin terrorist me 24 shtator 2023 në Banjskë, për çfarë Serbia nuk u sanksionua fare deri nga BE-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë”, foli ai.

Në bisedë e sipër, ai thotë që pala e Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, siç e paralajmëroi dje ndërmjetësuesi M. Lajçak nga Praga, duhet ta kushtëzojë me kërkesa konkrete.

“Prandaj, ashtu siç e ka theksuar me të drejtë presidentja Osmani, se tavolina e dialogut Kosovë-Serbi është e përmbysur, thjeshtë për shkaqet e cekura më lartë, dhe jo vetëm, pra jo për fajin e Kosovës, veçse për fajin e BE-së e cila vazhdimisht e ka përkëdhelë Serbinë, duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme në dëm të Kosovës, mendoj se pala e Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë, siç e paralajmëroi dje ndërmjetësuesi M. Lajçak nga Praga, duhet ta kushtëzojë me kërkesa konkrete, siç është ajo më kryesorja, që palët të trajtohen të barabarta nga BE-ja, të mos tolerohet më Serbia në qëndrimet e saja agresive dhe armiqësore kundër Kosovës dhe integritetit të saj territorial, si dhe të mos inkurajohet, siç ka ndodhur në dhjetë vitet e kaluara, në veprimet e saja destabilizuese në Ballkanin perëndimorë, etj”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Kosova asnjëherë nuk është trajtuar si palë e barabartë në bisedime

Ndërsa analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova asnjëherë nuk është trajtuar njësoj me Serbinë.

Image
Hidajet Ahmeti

Sipas tij në bisedime janë përdorur standard të dyfishta.

“Kosova asnjëherë nuk është trajtuar si palë e barabartë në bisedime, pasi në rastin e saj janë përdorur standarde të dyfishta. Kosova, duhet trajtuar si shtet i pavarur me legjitimitet ndërkombëtar e jo agjendën e bisedimeve ta caktojë Serbia”, thotë ai.

Analisti në fund nënvizon që fajin për këtë pikë të dialogut e ka BE pasi i është nënshtruar Serbisë.

“Nëse vazhdohet me logjikën e standardëve të dyfishta, potencialisht nuk do të ketë rezultate në atë çka pretendohet. Në këtë kontekst, fajin kryesor e ka BE-ja, pasi ka vepruar në mënyrë subjektive duke u nënshtruar ndaj një shteti agresorë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat