Bllokimi i pikave kufitare nga serbët - vjen parashikimi i keq për Serbinë: Do të ndodhin trazira!

Politika

Bllokimi i pikave kufitare nga serbët - vjen parashikimi i keq për Serbinë: Do të ndodhin trazira!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 shtator 2024 Në ora: 20:04
Foto ilustrim

Situata në komunat veriore të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar.

Së fundi, nga serbët erdhi një paralajmërim për bllokada kufitare.

Ishte kryetari i të ashtuquajturit Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Rojeviq tha se, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq, shkruan Kossev.

Sipas tij, bllokadat do të zgjasin deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve, teksa paralajmëroi se në këto bllokada nuk do të marrin pjesë serbët nga Kosova.

“Nuk presim ndihmë nga shteti dhe as nuk kemi nevojë për të. Serbët që jetojnë në Kosovë nuk do të marrin pjesë në bllokada që të mos ngacmohen nga Policia e Kosovës, por vetëm qytetarët nga territori i Serbisë, Mali i Zi dhe Republika Srpska”, tha Rojeviq.

Siç është paralajmëruar, do të bllokohen pikat kufitare në Bërnjak, Jarinje, Mërdare, Dheu i Bardhë dhe Kullë.

Ky paralajmërim po shihet si indikacion që situata mund të përkeqësohet, ose ndryshe të tensionohet.

Halimi: Problemi veç po transferohet në Serbi

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Si fillim, ai pret që situata të jetë e qetë në veri të Kosovës, por që paralajmëron se në Serbi do nisin trazira, pasi atje tani do transferohet ‘problemi’.

“Fare shkurt, asgjë nuk do të ndodhë për sa i përket aspektit të sigurisë në Mitrovicë.

Madje, problemi veç po transferohet në Serbi, ashtu siç e kam paralajmëruar para ca kohe, ku Serbinë do e karakterizojnë trazira, dhe sigurisht që faturën për krejt të bëmat i takon ta paguaj Serbia, dhe që me gjasë kjo do ndodhë”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Image
Armend Halimi

Shala: Ky veprim në baze të kohës që shihet është në koordinim të plotë me narko shtetin e Serbisë

Gjithashtu, edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala vlerëson se nuk do cenohet siguria në Kosovë, kjo pasi protestat do të mbëhen në territor të shtetit serb.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se nuk ka ndonjë rrezik, vetëm që qytetarët dhe mallrat duhet të lëvizin, barten, në pika tjera kufitare.

“Në lidhje me protestën e lajmëruar nga ana e e ashtuquajtur AQQM (Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës) nuk pres ndonjë efekt të drejtpërdrejt në cenimin e sigurisë brenda territorit të Kosovës meqë kjo protestë është thirrur dhe do të mbahet në territorin e Serbisë nuk ka ndonje rrezik akut nga ky veprim përpos që qytetarët, mallrat do të duhen që të barten në drejtim të pikave tjera kufitare që kufizohen me shtetin e Kosovës për lëvizje”.

Krahas kësaj, Shala beson se ky vendim për bllokim të kufijve është marrë në koordinim me qeverinë e Beogradit, kjo pasi dihet që fluksi i qytetarëve në këtë kohë është më i vogël dhe nuk i dëmton ekonomikisht.

“Ky veprim në baze të kohës që shihet është në koordinim të plotë me narko shtetin e Serbisë sepse fluksi i qytetarëve që përdorin këto pika kufitare tani është shumë minimal dhe nuk do të ketë ndonjë efekt të drejtpërdrejt në bazën ekonomike të narko shtetit sepse po të kishte ndodhur kjo në muajin gusht, atëherë efekti do të ishte negative për bilancin e Serbisë, prandaj e ka përzgjedhur si kohë optimale këtë periudhë”, nënvizoi ai.

Image
Drizan Shala

Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi nga institucionet e Kosovës të marrin veprimet e duhura dhe të informojnë qytetarët me kohë për protestat, në mënyrë që të shmangen tollovitë në pika kufitare.

“Institucionet tona duhet të ndërmarrin veprime të nevojshme informuese nëse ndodhë një veprim i tillë për të minimizuar fluksin eventual në ato pika kufitare dhe për të mos krijuar ndonjë tollovi në komunikacion eventual. Ndërsa, kërkesa e shprehur në formën e qëndrimit që përmes këtyre protestave të nxitet që KFOR të marr veprime brenda territorit të Kosovës, ku protesta është në një territor tjetër, kjo gjë nuk do të ndodhë assesi sepse nuk cenohet në asnjë formë mandati dhe misioni i KFOR në Kosovë nga ky veprim dhe organet e sigurisë të Republikës se Kosovës kanë të drejt kushtetuese që të marrin dhe të kryejnë veprimet e tyre në atë pjesë pa u cenuar nga veprime subversive të narko shtetit të Serbisë”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat