Zgjedhjet elektorale në vendin tonë do të mbahen më 9 shkurt.
Fushtatat para zgjedhjeve, premtimet dhe vizitat e shumta i kanë përcjellur liderët tanë këto ditë.
Entuziazmi për fitore po shihet pothuajse tek të gjithat partitë politike, e sidomos për një përmbysje të rezultateve shprehen të bindur opozita.
E të gjendur në këtë situatë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.
Ai fillon me një kronologji të situatës aktuale, duke përmendur koaliconet e deri tek rezultatet e mundshme që mund të jenë nga këto zgjedhje.
Sipas tij, mazhoranca e sotme do të ketë shumicën e deputetëve, pra do të jetë parti e pare.
“Zgjedhjet elektorale të përgjithshme në Kosovë do të zhvillohen pas pesë muajsh. Dmth, në një fare mënyre Kosova tashmë është e përfshirë në fushatë. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar punën me intensitetin e fushatës, derisa afati për regjistrimin e koalicioneve ka përfunduar. Është faza e regjistrimit të subjekteve partiake. Deri më sot është regjistruar vetëm një koalicion politik ai AAk-Nisma. Vetëvendosja dhe Guxo bënë sikur nuk kishin kohë ta krijonin koalicionin e tyre. Por besoj se drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Guxo do të hyjnë në Listën e Vetëvendosjes. Pastaj do të jenë votat ato që do të vendosin. Kjo më duket panorama e derisotme.
Në këto zgjedhje janë përballë tri formacione të opozitës me mazhorancën e sotme të Vetëvendosjes dhe të Guxo. Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe AAK+Nisma nuk do të mundin të dalin asnjëra prej tyre si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Mazhoranca e sotme do të ketë shumicën e deputetëve, pra do të jetë parti e parë. A do ta arrijë shumicën absolute si në zgjedhjet e para katër viteve? Do të shohim se si do të shkojnë zhvillimet deri pas 5 muajsh. Nëse qeveria e zotit Kurti do të ketë sukses në politikat e tij edhe në këta muaj që kanë mbetur, jam i bindur se do të marrë shumicën absolute. Përveç faktit se këto katër vite është krijuar një lloj miti për kryeministrin e Kosovës. Këtë mit e kanë përforcuar vetë opozitarët dhe sidomos faktori ndërkombëtar, sepse nuk janë pajtuar me qeverinë dhe kryeministrin në shumicën e rasteve edhe pse ai ka patur të drejtë”, u shpreh ai.
Opozita nuk duket e bashkuar
Profesori vazhdon me analizën e tij, duke përmendur mangësitë që opozita e tanishme ka dhe gjasat që disa prej tyre të kalojnë edhe pragun.
Ndër tjera, ai vë në pah një detaj, që Haradinaj ka snim që të bëjë koalicion me LVV.
“Por analiza bëhet bazuar në disa kritere dhe parametra. Këto janë zgjedhjet e dyta pas fitores së Vetëvendosjes. Dmth do të jetë mandatri i dytë i saj, gjithnjë nëse fiton, gjë që për mua nuk vihet në dyshim. Por le të bëjmë një analizë të situatës së sotme në të dy formacionet. Opozita nuk duket e bashkuar. Mendoj se ajo e di se nuk mund të fitojë në këto zgjedhje që vijnë. Prandaj dhe nuk funksionon ndonjë koalicion midis tyre. Për këtë arsye kanë vendosur të testojnë veten. Në koalicion janë bërë dy parti të vogla. AAK ndoshta ka frikë se nuk kap pragun dhe merr një ose dy përqind nga Nisma. Nisma ishte dhe është e vetëdijshme se nuk kap pragun për të hyrë në parlament. Ndaj dhe u bashkuan në koalicion të përbashkët. Nejse, ata bëjnë llogari që të hyjnë në parlament dhe të dyja së bashku besoj se e plotësojnë kushtin e pragut të përqindjes.
Por mendoj se Haradinaj ka synim që të bëjë gjithashtu koalicion me Vetëvendosjen, pasiqë beson se Vetëvendosja nuk fiton shumicën absolute. Në fakt të tri formacionet opozitare luten që Albin Kurti të mos fitojë shumicën absolute, sepse kështu fitojnë akses të hyjnë në koalicionin qeverisës të ardhshëm. PDK e ka shprehur thuajse hapur këtë ambicie. Ndërsa LDK e ka më të vështirë, sepse nuk është distancuar nga pabesia që iu bë zotit Kurti dhe qeverisë që ai kryesoi në rastin e parë, kur qenë së bashku në koalicion. Ajo pabesi dhe intrigë e sajuar në bashkëpunim me presidentin e atëhershëm është një ngërç shumë i madh për bashkëpunim e koalicion në qeverisje midis këtyre dy partive”, shpjegon profesori.
Kosova me Vetëvendosjen është shumë më pak e korruptuar
Në bised e sipër, profesori liston disa nga arsyet që Kosova është më mirë me LVV në qeverisje.
“Shanset e Vetëvendosjes shtohen jo thjesht nga rezultatet e saj të qeverisjes. Kjo është njëra anë. Kosova me Vetëvendosjen është shumë më pak e korruptuar. Lufton shumë më mirë sesa ish-partitë në pushtet krimin e organizuar. Skandalet e kësaj qeverisjeje shkojnë deri te ndonjë financim jo i pranueshëm. Mediet opozitare në investigimet e tyre merren kryesisht me mëditjet e qeveritarëve dhe të presidentes, sepse nuk kanë çfarë të zbulojnë në abuzimet e tyre. Për më tepër opozita nuk është distancuar me abuzimet e mëdha të sajat gjatë qeverisjes mbi dhjetëvjeçare”, thotë ai.
Opozita, nëse ruan kuotat e zgjedhjeve të kaluara, duhet të jetë e kënaqur
Profesori në fund potencon që opozita duhet të reflektoj për veprimet e saj, të jetë e drejtë para qytetarëve e pastaj të mendoj për fitore të votave.
Sipas tij, në këto kushte pritet që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Vetëvendosja ta rritë peshën elektorale.
“Opozita duhej të kishte reflektuar shumë më tepër. Dhe për më tepër duhej të kishte formuluar alternativën e saj për publikun. Nëse do të formulonte programin e besueshëm dhe do t’i thoshte qytetarëve “na falni” për ato që kemi bërë keq e shumë keq në qeverisje, opozita do të ngrihej shumë, edhe nëse nuk do t’i fitonte votat e elektoratit. Fatkeqësisht ajo nuk pranoi ta bënte këtë. E pengoi ndoshta sedra sipas së cilës “njerëzit në Hagë nuk mund të linçoheshin për gabimet në qeverisje”! Ndërsa Haradinaj nuk mund ta fajësojë veten për dështimet, sidomos në administrimin e pasurive kombëtare. Dhe Lumiri është falenderues ndaj Isa Mustafës që u bë kryetar i Lidhjes Demokratike, ndaj dhe nuk distancohet nga dështimet e atij.
Në këto kushte pres që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Vetëvendosja ta rritë peshën elektorale, krahasuar me katër vjet më parë. Imazhi i saj dhe sidomos Albin Kurtit na çon te mendimi se do të ketë rritje. Por gjithësesi do të shohim, nëse nuk dështon në këta muajt në vazhdim. Opozita, nëse ruan kuotat e zgjedhjeve të kaluara, duhet të jetë e kënaqur. Zgjedhësit në Kosovë janë shumë racionalë. Në këtë aspekt ata dallojnë nga zgjedhësit pragmatistë dhe interesaxhinj në Shqipëri. Fatmirësisht Kosova zhvillon gjithashtu zgjedhje të lira e të ndershme, më të mirat në rajonin tonë. Është shkollë demokracie sidomos për Shqipërisnë, por edhe për Serbinë. Megjithatë ndërkombëtarët mbështesin autokracinë serbe në dëm të demokracisë të Kosovës”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.