Alarmi: Kosova në një udhëkryq të rrezikshëm, ja kush po i prish planet për ndarjen e veriut

Politika

Alarmi: Kosova në një udhëkryq të rrezikshëm, ja kush po i prish planet për ndarjen e veriut

Nga: P.R Më: 5 shtator 2024 Në ora: 07:58
Albin Kurti, foto ilustrim

Sipas studiuesit dhe profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, me zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kosova tani gjendet në një udhëkryq.

"Sipas mendimit tim Kosova gjendet në udhëkryq. Ajo është kryqëzuar midis dilemës me aleatët euro-amerikanë, apo me Kosovën! Me stabilitetin apo me integritetin territorial të Kosovës! Me këshillat e ambasadorëve, apo me veprimet e Albin Kurtit për rikthimin e sovranitetit në veri të Kosovës! Për respektimin e gjakut të mijëra viktimave serbe në Kosovë të para 25 viteve, apo me lëshime ndaj agresorit serb! Për të drejtën e dhunimit e përdhunimit të mbi 20 mijë grave dhe vajzave shqiptare nga policët e ushtarët serbë në pranverën e vitit 1999, apo për t’i dhënë kompromise të reja, dmth shpërblime të tjera Serbisë", thotë Bytyçi.

Sipas tij, këto dilema i mbolli vetë komuniteti ndërkombëtar.

"Krejt kjo ndodhi me vendimin e tij për rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi gjoja për çështje teknike, por që me vullnetin e ish-liderëve të Kosovës së para Kurtit e Osmanit u shndërruan në bisedime politike e madje për zhbërjen e shtetit e ndarjes së territorit të Kosovës. U krijua simbioza ndërkombëtarë-liderë të kapur të Kosovës, e cila e solli Kosovën tashmë në kushte të reja të luftës në Ukrainë në udhëkryqin e ri".

Bytyçi shton se udhëkryqi i sotëm është më i rrezikshëm sesa udhëkryqi i viteve 1990.

"Atëherë Kosova ishte e homogjenizuar si rezultat i politikës së drejtë e të mençur të Ibrahim Rugovës. Rugova pati arrit që t’i bashkojë të gjithë shqiptarët për qëllimin final të krijimit të shtetit.

Sot Kosova është në udhëkryq, sidomos për shkak se politikanë të opozitës së Kosovës, të cilët edhe kur vjen puna përqëndrim të përbashkët kundër Serbisë, i kundërvihen Albin Kurtit me justifikimin se “po na prish me ndërkombëtarët”!".

"Edhe kur ndërkombëtarët mbajnë hapur anën e Serbisë, opozitarët në përgjithësi i kundërvihen kryeministrit dhe institucioneve të shtetit! Pra udhëkryqi i vërtetë i Kosovës sot është përçarja. Këtë përçarje e ka thelluar sidomos kryeministri i Shqipërisë, i cili është tashmë i vendosur hapur pro Serbisë dhe kundër Kosovës e madje për këtë ai ndjehet krenar! Nëse elita politike, intelektuale dhe e kultit fetar në Kosovë do të ishin bashkë, në bashkëpunim dhe bashkëveprim në mbrojtje të shtetit dhe integritetit territorial të Kosovës, atëherë ajo nuk do të ishte në udhëkryq", shpjegon profesor Enver Bytyçi.

Më tej, ai thotë se nëse nuk do të kishte përçarje në mes klasës politike, as ndërkombëtarët nuk do të guxonin të sulmonin kaq egër e pa arsye qeverinë e nganjëherë edhe presidenten e Kosovës.

"Ndërsa presidenti serb dhe Beogradi do të ishin në mbrojtje dhe në sulm aktiv kundër Kosovës. Ajo që ndodh sot na përforcon idenë se nuk janë ndërkombëtarët, nuk është as Serbia, ata që krijojnë udhëkryqe, janë vetë politikanët dhe elita akademike e Kosovës. Përçarja është arsyeja kryesore e udhëkryqit".

Por a mundet Kosova të mbijetojë ose jo pa aleatët e saj ndërkombëtarë?

"Për këtë ka dy arsyetime: Së pari, kur faktori i brendshëm është unik dhe i bashkuar, aleatët përshtaten në favor të Kosovës. Së dyti, nëse faktori i brendshëm është i përçarë, si në rastin e sotëm, atëherë aleatët duket sikur do ta shembin qiellin e Kosovës. E megjithatë, në këto kushte kur aleatët kërcënojnë për lëshime e kompromise të reja ndaj Serbisë në emër të stabilitetit, duhet dhënë përgjigje pyetjes: - Çfarë ndodh me Kosovën, nëse anashkalohen aleatët? Dhe çfarë ndodh, nëse vepron sipas këshillave të aleatëve?".

"Për mua si studiues i çështjeve ballkanike e sidomos atyre në Kosovë, nëse Kurti, Osmani e institucionet e tjera si Parlamenti e Gjykata Kushtetuese zbatojnë këshillat e ambasadorëve, Kosova do të shkojë shpejt drejt ndarjes së saj dhe do të shuhet si shtet. Kjo për shkak të projeksionit që ka planifikuar Beogradi në aleancë tashmë me Parisin dhe presidentin Macron. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vërtet për disa kohë mund të barazlargohet më Moskën dhe presidentin Putin. Por kjo bëhet me marrëveshje që presidentin rus në planet anti-Kosovë ta zëvendësojë presidenti francez!", shpjegon Bytyçi.

Ai thotë se në raport me Serbinë e Kosovën, Macron është Putini i Bashkimit Evropian.

"E në këto kushte nëse Kosova bën siç thonë aleatët e ka humbur territorin. Atëherë cili qëndrim jep më shumë rezultate? Të rezistosh, apo të përkulesh? Dikush duhet ta bëjë këtë llogari. Unë mendoj se dëmin më të madh e shkakton përkulja. Me rezistencë krijohet përshtypja dhe shpresë se mund të fitohet më shumë sesa me përkulje. Të përkulurit e kaluar, Thaçi dhe Mustafa, desh na sollën te zhbërja e shtetit. Pra shembulli se çfarë na sjell përkulja është aty. Kthehuni te koha e Thaçit, Isës dhe madje edhe e Avdullahut dhe do shohim se përkulja i dha Serbisë veriun e Kosovës, pasuritë më të mëdha e më të çmuara të saj", thekson Bytyçi.

Sipas tij, sovraniteti shtetëror është më i madh dhe më i prekshëm me rezistencën e sotme në veri të vendit.

"Por kemi edhe shembullin e rezistencës së Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Nëse nuk do dorëhiqeshin Lista Srpska, do të kishim edhe pushtet plotësisht legjitim. Por ata u tërhoqën. Megjithatë administrata e Kosovës është tashmë e pranishme në veri. Shteti ndjehet njëmijë herë më shumë sesa në kohën kur nuk ishin dorëhequr funksionarët serbë bashkë me terroristin Radoiçiq. Ndërkombëtarët kanë bërë presion vazhdimisht, për çdo aksion të qeverisë dhe policisë në veri".

"Dhe së fundi, rezistencën e Kosovës dhe institucioneve të saj e favorizon një faktor, për të cilin shumë pak ose aspak flitet: - Profesionalizmi i policisë së Kosovës. Policia dhe veprimet e saj profesionale burojnë nga patriotizmi i jashtëzakonshëm e kësaj force. Nuk e kishin llogarit këtë faktor as Beogradi, as Parisi. Dhe ky profesionalizëm i ka prish planet serbo-franceze për ndarjen e Kosovës. Por a e dini se kush e ka trajnuar dhe e trajnon policinë e Kosovës? Janë britanikët, amerikanët, gjermanët dhe turqit ata që e kanë formuar profesionalisht këtë trupë. Që do të thotë se jo të gjitha vendet aleate janë për kompromise dhe lëshime, edhe pse ambasadorët shpesh bëjnë deklarata të përbashkëta! Ky është një favor i padiskutueshëm për të rezistuar. Vërtetë aleatët kërcënojnë. Por në finale ata nuk do të bëhen bashkë për ta ndëshkuar Kosovën me katastrofën që mund të sjellin lëshimet e qeverisë së saj!", përfundon për "Bota sot", profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat