Së fundi, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka lëshuar sërish disa akuza të rënda, ku tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë agjendë të përbashkët dhe se punojnë bashkë.
“Vuçiqi dhe Kurti janë bashkë, janë me një agjendë, punojnë bashkë. Kur Vuçiqi është ngushtë, e bën naj budallaki Albini dhe e nxjerr prej krizave atë, kur Albini është ngushtë, e bën ai ndonjë krim e sulm terrorist si ai në Banjskë dhe e nxjerr prej problemit Albinin”, ka thënë Haradinaj.
E këto akuza të Haradinajt ndaj Kurtit, i ka kritikuar ashpër analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se opozitarët me akuza të tillë po mundohen t’i mbulojnë “ndyrësitë e veta korruptive”.
Por, sipas tij nuk do arrijnë ta mashtrojnë opinionin publik, pasi qytetarët i njohin mirë njerëzit si Haradinaj.
“Në fakt me gjithë pretendimet se nëse kritikojnë Kurtin, opozitarët e inkriminuar do ta lajnë ndyrësitë e veta korruptive e kriminale në të kaluarën, me demagogjinë se ata qëndrojnë në një linjë me aleatët, aktet e tyre, nuk mund ti lajë drini as deti, edhe pse ata duke ngushëlluar veten me oportunizma të tilla, mendojnë se po mashtrojnë edhe opinionin vendor, i cili për fat, i njeh shumë mirë njerëzit si Haradinaj & Co dhe bëmat e tyre të neveritshme, që nga vjedhja e grumbullimi marramendës i pasurive të kundërligjshme deri te aventurat renegate, kundër shtetit dhe popullit të Kosovës, për ndarjen e vendit dhe shitjen e rreth 11 mijë hektarëve tokë të Kosovës, mbi 2500 hektar FYROM-it dhe mese 8300 hektar tjerë Malit të Zi”.
Kësisoj, Qarri tha se akuzën se Kurti ka agjendë të përbashkët me Vucciqn e bëjnë vetëm njerëzit e dështuar, e në këtë rast parashikoi se Haradinaj me partinë e tij do të bien nën prag zgjedhor.
“Andaj akuza të tilla si kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili insiston deri në primitivizëm të neveritshëm duke lënduar publikisht ndjesitë kombëtare, njerëzore e politike të të gjithë njerëzve normal, se kinse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paskan agjendë të përbashkët dhe gjoja, ata edhe "punuakan" bashkë, pa dhënë shpjegim se për çfarë pune dhe në ç`drejtim e agjendë paskan gjet të bashkëpunojnë viktima me xhelatin, si kryeministri Kurti ish i burgosur politik dhe i zënë rob nga Serbia, si dhe krimineli Vuçiq që edhe në kohën e okupimit ushtarak e policor të Kosovës nga Serbia fashiste ishte ministër i informatave në Qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, këtë mund ta thotë vetëm një i dështuar gjithanshëm, i cili pritet përfundimisht, të bie edhe nën pragun zgjedhor dhe të depozitohet në arkivat e të dështuarve më tragji-komik të historisë më të re të Kosovës”, theksoi ai.
Më tej, analisti politik kritikoi sistemin e drejtësisë për heshtje dhe mos reagim ndaj këtyre shpifjeve dhe akuzave të vazhdueshme që Haradinaj po ia bën Kurtit.
Në këtë rast, ai përmendi edhe takimet e Haradinajt me kryekriminelin Radoicciq.
“Vetëm mungese totale e drejtësisë së njëmendtë dhe prokurorëve të guximshëm në Kosovë, lejon të kalojnë në heshtje shpifje të tilla sharlatane, si vazhdimësia e akuzave të paturpshme të Haradinajt ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar kaq paturpësisht viktimën e terrorit të Serbisë, për lidhje me Serbinë dhe Vuçiqin, derisa qeverinë e para pak viteve të PAN-it, vet Haradinaj mundi ta kompozonte, vetëm me ndihmën e Vuçiqit dhe miku i tij më i ngushtë, me të cilin përveç ndejave private në shtëpitë e kryekriminelit të veriut, si Milan Radojçiqi. Haradinaj-Radojçiqin e priste me nderime shtetërore edhe në zyrën e kryeministrit, duke turpëruar gjithë shqiptarët dhe bërë qesharake tërë udhëheqjen "shtetërore" të Kosovës, para shqiptarëve dhe gjithë botës”, shpjegoi Qarri.
Në fund, shtoi se këto akuza më shumë e dëmtojnë Haradinajn se sa Kurtin, derisa beson se këto janë akuzat e fundit që bëhen ngaa pozita e një partie parlamentare.
“Duke pasur parasysh maksimën popullore, se vetëm i fyeri dhe i shari, të shajnë e akuzojnë pa fakte, akuzat e paturp të Haradinajt, më shumë do ta dëmtojnë vet Haradinajn se sa Kryeministrin e Kosovës, madje besojë shumë se këto do të jenë akuzat e fundit të Haradinajt, nga pozita e një partie "parlamentare", ngase mandatin e ardhshëm, ai mund të "mrizojë" bashkë me Limën, në vende të padukshme për publikun, duke bërë plane ku ti fshehin pasuritë dhe parat e grumbulluara kundërligjshëm, sepse përfundimisht po vije momenti i dhënies llogari, para drejtësisë dhe kthimit të atyre që i kanë përvetësuar nga populli dhe shteti i Kosovës, në mënyrë kundërligjore, ku nuk pritet të kalojnë fort mirë, pikërisht njerëzit si Haradinaj”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.