(Pa) Vërtetësia e audio-incizimit të Kusari-Lilës me Radoiçiqin! Zbardhen “prapaskenat” dhe hidhen disa dyshime

Politika

(Pa) Vërtetësia e audio-incizimit të Kusari-Lilës me Radoiçiqin! Zbardhen “prapaskenat” dhe hidhen disa dyshime

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 tetor 2024 Në ora: 11:58
Mimoza Kusari-Lila

Së fundi, në media është publikuar një audio-incizim i ri si pretendim se është bisedë ndërmjet shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Audio-incizimi është publikuar pa ndonjë pamje ose diçka të ngjashme, gjë që ka bërë që të aludohet mbi montazhe ose fabrikim.

Në lidhje me këtë rast, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila para mediave në Kuvendin e Kosovës ka thënë se e ka denoncuar rastin e audio incizimeve të publikuara të mërkurën, në Polici dhe në Prokurori.

Kusari-Lila këto incizime i cilësoi si të fabrikuara.

Po ashtu, ajo tha se “Kjo do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”.

“Asnjë komunikim nuk ka qenë më Listën serbe për Ligjin për Pagë minimale. Rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdojë rasti. Kjo do t’i bashkëngjitet rastit që vetëm vitin e kaluar e kam raportuar kallëzimin penal ndaj ish deputetit Sllavko Simiq. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim dhe në pikëpyetje integritetin dhe personalitetin tim”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndryshe, në media të mërkurën janë publikuar disa audio-incizime të reja ndërmjet shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Mirëpo, cila është e vërteta mbi këto audio, a po bëhet kjo si pasojë që zgjedhjet parlamentare apo sa mund të jenë të besueshme incizimet, folën njohësit e çështjeve të juridike.

Halilaj: Me evoluimin e teknologjisë, mundësia e ndërhyrjes në video dhe audio-incizime tashmë është prezentë në çdo segment

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj.

Fillimisht, ai e cilësoi si të drejtë kërkesën e Kusari-Lilës, që audio-incizimet e publikuara të verifikohen nga ekspertë të fushës së kibernetikë.

Gjithashtu, përmendi edhe mundësitë e mëdha që ka ofruar teknologjia, për manovrim dhe ndërhyrje në video dhe audio-incizime.

“Kërkesa e shefes së grupit parlamentar të LVV-së lidhur me audio-incizimet e publikuara t’i nënshtrohen kontrollit nga ekspertë të fushës së kibernetikës, është plotësisht e drejtë dhe e bazuar në ligj.

Me evoluimin e teknologjisë, mundësia e ndërhyrjes në video dhe audio-incizime tashmë është prezentë në çdo segment, qoftë edhe tek ata që fare s’ kanë njohuri të fushës në aspektin e teknologjisë.

Për këtë dukuri, së fundi Kodi Penal në fuqi dhe Kodi procedurës penale kanë përcaktuar rregulla strikte lidhur me zbatimin e procedurave kur kemi të bëjmë me situata të tilla e po ashtu edhe sanksione mjaft të ashpra për nxitësit, ndihmësit dhe kryesit e këtyre veprave penale me peshë dhe pasojë mjaft të rendë, qoftë në të drejtat dhe liritë e personalitetit të individit, por edhe me rrezikshmëri shoqërore deri te cenimi i rendit juridik në vend”, nënvizoi avokati.

Image
Gazmend Halilaj

Po ashtu, Halilaj këto publikime të audio-incizimeve i ndërlidhi me zgjedhjet e reja parlamentare, me qëllim të dëmtimit të imazheve të personave apo subjekteve politik.

Megjithatë, ai tha se duhet të presim rezultatet nga raporti i Agjencinë për Forenzikë.

“Tani kur grupet e interesit kanë arritur kulmin, në veçanti zgjedhjet parlamentare po ofrohen, pashmangshëm viktimë e të cilave padyshim janë personat që bartin pozita të ndjeshme, e në rastin konkret znj- Mimoza Kusari Lila, mirëpo ajo që është me rëndësi, kjo e fundit ka adresuar rastin tek kompetentët, dhe tani duhet të presim rezultatin nga raporti i Agjencionit për Forenzikë, Departamenti për Video dhe Fotografi”.

Ndër të tjera, avokati shtoi se audio-incizimet e publikuara i ka rregulluar ligjvënësi, ku këto prova konsiderohen si prova thellësisht të pa mbështetshme.

“Në të kundërtën çdo tendencë për të hedhur baltë mbi personalitetin e znj Mimoza Kusari, në këtë fazë, por edhe ndaj kujtdo qoftë, duke u bazuar në audio-incizime të tilla, s’është gjë tjetër përveç një veprim i papjekur dhe i bazuar në asgjë, thënë më konkretisht për audio-incizime të tilla ligjvënësi ka rregulluar këtë çështje me dispozitën nga neni 253 paragrafi 2. Lidhur me nenin 19 pika 1.30, ku këto prova konsiderohen si prova thellësisht të pa mbështetshme, ngase nuk i’ u dihet prejardhja dhe si të tilla janë barazi me thashetheme apo siç i quan populli, fjale të rrugëve. Natyrisht në çështjet penale, këto prova hiqen nga shkresat e veçohen edhe nga shkresat e lëndëve”, përfundoi Gazmend Halilaj.

Burjani: Radoiçiq ka qenë kriminel edhe në kohën e qeverive të kaluara edhe në këtë kohë

Kurse, jurisit Blerim Burjani në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se nuk ka shumë rëndësi nëse janë të vërteta këto audio-incizime, pasi të gjitha qeveritë dhe partitë politike kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin, përjashto këtu LDK-në.

Sipas tij, me rëndësi është të hetohet se si kryekrimineli serb ka arritur të fitojë tender të ndryshëm.

“Po kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, edhe po të ketë ose jo këso lloji incizimesh, pasi që Radoiçiq ka pas lidhje të shumta gati me të gjitha qeveritë, përjashtim bën këtu LDK. Këta të tjerët, të gjithë kanë pas komunikime, tash me rëndësi është të hetohet se si Rajdoiçiq ka arritur të fitojë tenderë apo eventualisht çështje tjera që inkriminojnë atë si kryes të veprës penale. Nëse ka fakte, nëse nuk ka këto tjerat edhe nuk kanë rëndësi, sa kanë fol dhe si?”.

Image
Blerim Burjani

Krahas kësaj, juristi tha se duhet të hetohen disa fakte, pasi vetëm prej bisedave nuk mund të thuhet diçka konkrete.

“Pra, duhet të hetohen disa veprimtari, nëse ka fakte, pa fakte veç për biseda nuk ka gjë prej kësaj pune. Radoiçiq ka qenë kriminel edhe në kohën e qeverive të kaluara edhe në këtë kohë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat