Në seancën e së enjtes pati tensione në Kuvend mes deputetëve të pozitës e opozitës.
Tema kryesore ishte audio-incizimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radoiçiq, gjë që deputeja në fjalë e mohoi një gjë të tillë.
I revoltuar me situatën, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit, duke thënë se ata e duan protagonizmin.
Madje, Haradinaj, ka shkuar edhe më larg, duke thënë se ata nuk e kanë dashur asnjëherë UÇK-në e as ushtarët e saj.
“Kurrë nuk e kanë dashur asnjë të arritur të Kosovës ku ata s'kanë qenë protagonistë. Kurrë s'e kanë dashur UÇK-në as trashëgiminë e saj. Kurrë s'e kanë nderuar një komandant të UÇK-së që nuk u nevojitet për kauzat e tyre të mbrapshta të pushtetit.
Edhe kur vizitojnë varret e dëshmorëve, i vizitojnë sepse nuk janë të gjallë. Po të ishin të gjallë, do t'i quanin kriminelë.
Kosova po qeveriset nga një mentalitet krejt antikombëtar që flet shqip e abuzon shqip, por asgjë shqiptare nuk ka”.
Basha: Kjo deklaratë është për keqardhje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se deklaratat e Haradinaj nuk meritojnë as komentim, sepse sipas tij, kur kanë qenë ata në pushtet kanë ndarë vetëm 4 milionë euro për ushtrinë, kurse Qeveria Kurt ka ndarë për tre vjet qeverisje, 250 milionë euro.
“Kjo deklaratë është për keqardhje dhe nuk meriton komentim serioz!
Qytetarët e dinë që deri në ardhjen tonë, opozita ka ndarë për ushtrinë vetëm 4 milionë euro për armatim, derisa për tri vjet qeverisje Qeveria Kurti ka nda 250 milionë euro vetëm për armatim, pa përfshi këtu rritjen e pagave për ushtarë! Prandaj, serioziteti dhe përkushtimi për ushtrinë nuk matet me fjalë boshe, por me vepra!"
Elezaj: Deklarimet e Haradinajt, nuk kanë efekt politik!
Edhe analisti Rexhep Elezaj, thotë se Haradinaj më këto deklarata dhe shumë tjera drejtuar Qeverisë Kurti dhe po ashtu personalisht vet Albin Kurtit, nuk ka arritur kurrfarë efekti politik.
Tutje, ai thotë se duke pasur gjithë këtë përkrahje LVV, deklarimet e Haradinajt hasin në vështirësi për të depërtuar tek një elektorat i tillë.
“Deklaratat e kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, lidhur me qeverinë Kurti dhe atë personalisht, se “Kosova po qeveriset nga mentalitet krejt antikombëtar, që flet dhe abuzon shqip, dhe asgjë shqiptare nuk kanë”, se, “kurrë s'e kanë dashur UÇK-në as trashëgiminë e saj, kurrë s'e kanë nderuar një komandant të UÇK-së që nuk u nevojitet për kauzat e tyre të mbrapshta të pushtetit”, se, “Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia, dhe se ai po punon për Serbinë”, etj., nuk janë deklarata të reja për opinionin tonë, sepse z. Haradinaj, që kur qeverisjen e ka marrë A. Kurti dhe partia e tij para gati 4 viteve, vazhdimisht e ka kritikuar atë dhe qeverinë e tij, duke e cilësuar me atributet e lartë përmendura, por të cilat shumë analist politik i kanë vlerësuar si shumë të ashpra dhe jo efektive.
Z. Haradinaj, me qëndrimet dhe deklaratat e tij kaq të ashpra ndaj qeverisë Kurti dhe atij personalisht, mendoj se nuk ka arritur kurrfarë efekti politik, përveç se, në masë të madhe e ka komprometuar veten para një pjese të madhe të opinionit shqiptar, kryesisht te votuesit e LVV-je, duke mos qenë i vetëdijshëm se me një fjalor të tillë dhe akuza aq të rënda ndaj kryeministrit Kurti, nuk mund të fitojë simpati dhe përkrahje të madhe tek votuesit kosovarë, përkundrazi, veç sa humbë më shumë, sepse kur një lider politik pas vetes ka shumicën e votuesve, si dhe mazhorancën parlamentare, si A. Kurti, sado që kritikat dhe akuzat të jenë të qëndrueshme, është vështirë të depërtosh tek një elektorat i tillë, siç e ka LVV-je, meqë në politikë masa e madhe dominon gjithherë mbi pakicën, siç është AAK-ja me liderin e saj, R. Haradinajn”, shprehet ai.
Më tej, Elezaj theksoi, se deklarimet e tij kanë të bëjnë për luftën për pushtet, madje sipas tij, Haradinaj ka përdorë mjete dhe metoda të gabuara opozitare, të cilat vështirë se atij dhe AAK-së do t’i sjellin rritje të numrit të votueseve.
“Sipas mendimit tim, Ramushi nuk e ka pasur të qartë, se në një mjedis të tillë, ku nuk e përfaqëson shumicën, gjegjësisht ku je pakicë, lufta dhe konkurrenca politike janë një sfidë shumë e rënd për ta fituar, kështu që ai është dashur të përdorë fjalor dhe mjete tjera politike për ta kundërshtuar mënyrën e keqe, sipas tij, të qeverisjes Kurti, e jo fjalor dhe taktikë të cilën nuk e hanë pazari. Andaj mendoj se Ramushin nuk ka arritur ndonjë sukses në interes të rritjes së partisë së tij, AKK-së, jo se qeveria Kurti nuk ka gabime dhe dështime, por për faktin, sepse nuk mund ta fitosh betejën politike me akuza të llojit të tillë ndaj kujt do qoftë, veçse me konkurrencë programesh, vizion politik për të ardhmen e Kosovës, propozime konkrete zhvillimore si dhe me politikë të mençur kombëtare dhe sociale.
se qëllimi i z. R. Haradinaj me dhënien e deklaratave të tilla ndaj qeverisë Kurti, ka qenë dhe mbetet lufta për pushtet, që është krejt normale, sidomos tani pas shpalljes së datë së zgjedhjeve parlamentare, siç bëjnë të gjitha partitë garuese, por duke mos e ndryshuar tonin dhe fjalorin agresiv ndaj qeverisë në pushtet, mendoj se ka përdorë mjete dhe metoda të gabuara opozitare, të cilat vështirë se atij dhe AAK-së do t’i sjellin rritje të numrit të votueseve. Përkundrazi”, përfundon ai për “Bota sot”.