Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës.
Policia e Kosovës tha se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e "shërbimeve të jashtëligjshme" të Serbisë në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.
Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se me këtë veprim "përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës".
E në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Ai thotë Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm për të dobësuar forcat e depërtimit të Serbisë në territor, mirëpo që nuk është mirëpritur aq nga BE.

Sipas tij, mbyllja e këtyre institucioneve paralele serbe do të ndikojnë në zgjatjen e masave të vendosura nga BE.
“Kosova bëri një hap të rëndësishëm në forcimin e autoritetit të saj si shtet, duke dobësuar forcat dhe depërtimet e Serbisë në territor, pavarësisht kundërshtimeve në të cilat hasi më pas.
Këto veprime, si dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron sjelljën e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij, thuhet në reagimin e BE -së. BE-ja ka kujtuar edhe masat e vendosura kundër Kosovës, duke theksuar se ajo do të heqë gradualisht masat propocion me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”, u shpreh ai.
Më tej, Softa thotë që Kosova duhet të jetë gjithmonë në dakordim me ndërkombëtarët, pasi procesi i dialogut me Serbinë do të ketë zgjidhje përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.
“Si dhe statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia në Kosovë parashihet të zgjidhet përmes procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.
Qeveria e Kosovës, në politikat e saj i duhet një mbështetje dhe dakordim me politikat e SHBA dhe të Britanisë së Madhe si garantet dhe mbështetësit kryesor dhe potencial për shtetin e Kosovës.
Diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, duhet të punojnë shumë me aleatët miq në BE, për shkak të lidhjeve të mira dhe solide që kam”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.
Kujtojmë që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.