Partitë politike tash e sa ditë kanë filluar fushatat e tyre elektorale.
Me zgjedhjet që po afrohen, përpjekjet e kandidatëve për kryeministër për t’i bindur qytetarët janë rritur.
Fushata zgjedhore është përcjell me shumë deklarata, reagime e komente nga më të ndryshmet.
Mirëpo, më gjerësisht për këtë çështje ka folur veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Ai në një prononcim për “Bota sot” kritikoi fushatën elektorale, derisa kishte kritika për të gjitha partitë politike.
Në këtë pikë, u tregua kritik për faktin se si tha ai, ka mungesë të programve të qarta, sidomos për çështje të rëndësishme, siç është ajo e dialogut.
“Fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ka sjellur çoroditje të paprecedent, paparaprijës fushatore. E proklamuar fushatë një mujore, në fakt, po kulmon në tre mujore. Kjo është shkelje e rëndë ligjore, hallakamë e zhurmime të kushtueshme në ditë pune dhe shpenzime enorme udhëtimesh, me pagesa të majme të sallave private, biznesore. Ka qenë në vartësi të KQZ të mbrojë vendimin e vet, kufizimin e fushatës, në kuotën e një mujore të përcaktuar. Tashmë, u krijuar një precedent i keq, i cili mund të praktikohet në të gjtha llojet e fushatave zgjedhore.
Pas gjithë këtyre tam-tameve të fushatës zgjedhore, subjektet politike, kush më shumë e kush më pak, vazhdojnë të jenë konfuz, të pa qartë në plan-programet e tyre, sidomos në çështjen primare se si do të veprohet me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Siç thotë populli: "Flasin për Shkup dhe Shkodër", por jo edhe për Asociacionin, e shtruar për zgjidhje nga ndërkombëtarët, kryesisht, shtetet e Quint-it”, nënvizoi ai.
Po ashtu, Zeqiraj i cilësoi si të paarsyeshme premtimet e partive politike, me theks të veçantë të partive të PAN-it.
“Premtimet numerike, si "fontanë dëshirash", janë pa doganë fare. Sidomos partitë e koalicionuara dikur në PAN, përfshi edhe disa krijesa rishtore, si bishtra të komandantëve, tashmë, të zgjyrosur dhe rrast të kriminalizuar, kanë kulmuar në premtime fantazmogorike, që nuk i kap asnjë logjikë e shëndoshë. Disa syresh e dinë që nuk do ta arrijnë kurrë fitoren, nuk do të provohen në qeverisje, rrjedhimisht, nuk marrin asnjë përgjegjësi për gënjeshtrën mashtruese dhe skajshëm turpëruese”.
Më tej, veprimtari nga Gjermania përmendi edhe disa skandale që partitë i kishin bërë në të kaluarën, derisa tani sipas tij po bëjnë në “lojë të ndyrë” elektorale.
“Por, edhe PDK-ja, duke qenë se ka klientelën e krijuar prej dy dekadash radhazi prej mijëra zyrtarëve, nëpunësve shtetërorë dhe të shumë mijëra veteranëve të rrejshëm, aspiron postin e kryeministrit. Megjithatë, "loja" e ndyrë elektorale është turpëruese. Shifrat për rritjen 50 deri në 70 % të rrogave, për të gjitha kategoritë e punësimit, përfshi edhe pensionet dhe, në veçanti, 42.500 "veteranë" të rrejshëm, është kriminale. Asnjë nga partitë politike, jo vetëm PAN-i që i ka veteranët e rremë klientelë elektorale, por edhe LDK-ja dhe Vetëvendosja, e kanë heshtur makro-hajninë zyrtare shumë milionshe, siç janë pagesa e "veteranëve" të rrejshëm. Kjo nënkupton frikën e humbjes të votave. Dhe, logjika se më mirë të harxhohen milionat nga buxheti i shtetit, se sa të humbasim votat, është ultra-kriminale. Nëse deri me tani zhvatës të shtetit ishin zyrtarë individual dhe gruporë, tani, me rastin e veteranëve zhvatës të buxhetit shtetëror, janë jo vetëm "veteranët" e rrejshëm, por edhe shtetarët, pushtetarët, eksponentët partiakë. Pra shteti, po e vjedh shtetin! Rast sa unik, po aq i turpshëm, i poshtër, deri në gërdi!” – shpjegoi ai.
Ndër të tjera, ai veçoi LDK dhe LVV-në, si parti më të matura.
Megjithatë, për nga programi e mbështeti LDK-në, duke thënë se ka program ekonomik dhe politik, për gjatë kohë të studiuar
“LDK dhe LVV premtimet në fushatën elektorale i kanë më të matura. Lëvizja Vetëvendosje, ashtu si dhe partitë e PAN-it, nuk kanë shpërfaqur ndonjë program konkret, të detajuar se çfarë do të bëjnë, nëse i fitojnë zgjedhjet. Për ndryshim, LDK-ja ka program ekonomik dhe politik, për gjatë kohë të studiuar. Edhe pse disa nga makro-veprat në projekt, kanë kosto të lartë realizuese, krahasuar me buxhetin modest të Kosovës. Megjithatë kryetari Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, ka përmendur mundësi shtesëpër realizimin e programit, tashmë, të shpalosur para qytetarëve të Kosovës, si projekte për termocentrale, autostrada e magjistrale, hekurudha, reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi, siguri, ekonomi, financa dhe në fusha të tjera infrasrtukturore”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.