Në hyrje të Ambasadës së Kosovës në Oslo është vendosur slogani nacionalist serb “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Lidhur më këtë akt ka reaguar Ambasada, ku e ka cilësuar si kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës.
“Thellësisht të shqetësuar për imazhin alarmant dhe sloganin nacionalist serb të vendosur në hyrje të ambasadës sonë në Oslo. Ky akt është kërcënim i drejtpërdrejtë për Republikën e Kosovës, stafin e ambasadës, shkel normat ndërkombëtare, si dhe minon parimet e diplomacisë dhe respektit të ndërsjellë”, thuhet në reagim.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Dirzan Shala ka treguar për “Bota sot” se çfarë shkaktojnë aktet e tilla.
“Aktet e tilla mund të shkaktojnë shqetësim, sidomos kur bëhet fjalë për simbolika që mund të lidhen me tensionet politike apo historike, siç është slogani nacionalist serb. Vendosja e një slogani të tillë në hyrje të Ambasadës së Kosovës në Oslo mund të interpretohet si një akt provokues, që mund të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mund të nxisë tensione mes komuniteteve, veçanërisht për ata që kanë përjetuar historinë e luftërave dhe konflikteve të mëparshme”, është shprehur ai.
Sipas Shalës, ku akt mund të vlerësohet si kërcënim, por kjo varet edhe nga konteksti i vendosjes së sloganit.
“Nëse ky akt mund të vlerësohet si kërcënim, kjo do të varet nga konteksti i vendosjes së sloganit dhe qëllimi i tij. Nëse bëhet me synimin për të shkaktuar frikë apo pasiguri, atëherë mund të konsiderohet si një formë e kërcënimit. Megjithatë, ndonjëherë mund të ketë raste kur një akt i tillë mund të jetë i nxitur nga mendime të ndryshme politike apo të qëllimshme për të ngjallur debate, më shumë sesa për të krijuar kërcënime të drejtpërdrejta”, ka thënë ai.
Më tej, Shala është shprehur se duhet të hetohet ky akt nga autoritetet dhe të sigurohet që të mos të çojë në eskalim të mëtejshëm të tensioneve.
“Në çdo rast, është e rëndësishme që autoritetet përkatëse të hetuan dhe të sigurojnë që kjo të mos çojë në eskalim të mëtejshëm të tensioneve. Sigurisht, ky është një incident që kërkon vëmendje dhe veprime të kujdesshme nga të gjithë aktorët përkatës”, ka përfunduar Shala.