Richard Grenell nuk është duke i ndalur kritikat ndaj qeverisë. Vetëm brenda pak ditëve, emisari special i Donald Trump për misione speciale, ka reaguar ndaj kryeparalamentarit Glauk Konjufcës dhe kryeministrit Albin Kurtit.
“Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Biden dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit evropianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden”, ka shkruar Grenell.
Ramabaja: Demokracia shqiptare po tentohet të minohet nga oligarkët
Analisti politik Sadri Ramabaja, thotë se Grenell është emëruar për Venezuelë dhe Kore të Jugut dhe se në atë dokumente nuk përmendet Kosova.
Ai thotë se mënyra e vetme për të shmangur përplasjet me zyrtarë si puna e Grenellit është forcimi i institucioneve demokratike dhe selitja e marrëdhënieve me shtetin.

“Emisari i Donald Trump-it për misione speciale, Richard Grenell, është emëruar për Venezuelë dhe Kore të Jugut. Në dokumentin e nominimit nuk zihet në gojë Kosova. Fundja nuk kishte si të zihet në gojë, meqë nuk konsiderohet rast special. Rrjedhimisht insinuatat dhe paraqitjet e tij me deklarata që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk duhet marrë seriozisht. Ata më shumë janë pjesë e lobimit të opozitës dhe oligarkëve kosovarë që janë të gatshëm që “për inat të time vjehrre, të shkojnë në shtrat e mullixhiun”!
Mënyra e vetme për të shmangur përplasjet edhe me zyrtarë si puna e Richard Grenell-it është forcimi i institucioneve demokratike dhe selitja e marrëdhënieve me Shtetin. Kjo nuk është një arritje e lehtë, sidoqoftë e mundshme. Lobet proserbe, në këtë rast, nuk duhet të na pengojnë në arritjen e qëllimeve tona strategjike.
Por e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të forcuar demokracinë në Kosovë dhe Republikën funksionale është selitja e një lëvizjeje – përtej Lëvizjes Vetëvendosje, që përfshin shumë votues që mbështesin kryeministrin Kurti më 9 shkurt”, shprehet Ramabaja.
Sipas tij, ka qytetarë të Kosovës të mëkëmbur në mënyra më spektakolare të mundshme me servilitetin e tyre atipik ndaj fuqisë së pushtetit të huaj.
“Kjo fushatë që po rrjedhë ka shpërfaqur shqeto ndërhyrjen e jashtme, ndërkaq elementet e luftës hibride që po aplikon ndërkohë edhe një lagje e medias kosovare janë edhe më të hapura. Rrjedha e saj po e dëshmon edhe një fakt: Demokracia shqiptare po tentohet të minohet nga oligarkët, disi ngjashëm siç ishte minuar produkti i Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 në Shqipërinë politike që pat sjellë në pushtet Fan Nolin, kryeministrin më erudit të kohës së tij.
Të pasurit kosovarë sot, të mëkëmbur në mënyrat më spektakolare të mundshme me servilitetin e tyre atipik ndaj fuqisë së pushtetit të huaj dhe marionetave të tyre të instaluara në krye të institucioneve qendrore të Republikës pas çlirimit, me arrogancën e paskrupullt të përkthyer në aftësi për të blerë zgjedhjet, me mbështetjen edhe të lobistëve që janë dekoruar për merita të veçanta nga Presidenti i Serbisë, nuk duhet të gjejnë ambient kundërveprimi tutje në Kosovë.
Paradokset megjithatë bëjnë punën e vet edhe në kohë fushatash.
Tani, në mënyrë paradoksale, është prania e një duzine miliarderësh në gjirin e opozitës në Kosovë, elementi që mund ta ndihmojë fitoren e 9 shkurtit – duke nxitur zemërimin e qytetarëve dhe duke i shtyrë ata të mbështesin hapur Vetëvendosjen.
Këtë zemërim duhet ta mobilizojë mirë VV-ja dhe nuk kam dyshim se do ta kthejë në force elektorale”, shton doktor Ramabaja.
Tutje, sipas tij, SHBA ka interesa strategjike në Ballkan, ndërkaq pozicioni i shqiptarëve si komb është i qartë.
Ai beson që qeveria Kurti 3 do ta thellojë kultivimin e raporteve të mira.
“Politika e jashtme e SHBA-ve ndikohet fuqishëm nga aktorët që e formësojnë atë. E tillë ishte edhe gjatë mandatit të Biden-it. Tani, Donald Trump-i është sigurisht figura qendrore në këtë kontekst. Përveç rikthimit të fuqisë dhe respektit amerikan dhe asaj që ai imagjinon se do të thotë, ai gjithashtu me vetëdije nuk dëshiron disa gjëra: Ai nuk dëshiron ndërhyrje. Ai dëshiron të qëndrojë jashtë çështjeve që, sipas tij, nuk janë punë e Shteteve të Bashkuara. Kjo qasje bazohet në një traditë të gjatë në Shtetet e Bashkuara që supozon se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të marrin rolin e policit botëror. Në këtë plan, bashkëpunimi i Kosovës nuk shoh se mund të ketë vështirësi më të mëdha se i cilitdo shtet tjetër në Evropë. Përkundrazi. SHBA-të kanë interesa strategjike në Ballkan, ndërkaq pozicioni i shqiptarëve si Komb, që shprehet përmes qëndrimit të dy qendrave tona politike: Tiranës dhe Prishtinës, është i qartë. Ne jo rastësisht konsiderohemi në qarqet evropianë si kombi më proamerikan në Evropë. Kultivimi i raporteve të mira, tutje, e madje themelimi i tyre, është në interesin tonë nacioal. Këtë besoj se do ta bëjë edhe Qeveria Kurti 3 që do të inaugurohet pas 9 shkurtit”, përfundon analisti.
Bytyçi: Me zotin Kurti ka shumë mundësi që lidhjet Kosovë-SHBA të jenë Akoma më të mira, pozitive dhe produktive
Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtar, Enver Bytyçi, konsideron se administrata Trump do të jetë më e mirë se ajo e mëparshmja.

“Richard Grennell kritikoi qeverinë e Republikës së Kosovës për qëndrimet pro-amerikane të saj nën administratën e presidentit Biden. E bëri këtë pak si me cinizëm, por që na lajmëron se administrata Trump do të jetë më e mire se ajo e mëparshmja. Së paku unë kështu e lexoj dhe pavarësisht cinizmit të tij me duhet të them se unë pres një angazhim dhe rezultat më të mire në marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-ve në këto katër vite që vijnë. Me ose pa Albin Kurtin, kjo do të ndodhë. Madje duhet të them se me zotin Kurti ka shumë mundësi që lidhjet Kosovë-SHBA të jenë Akoma më të mira, pozitive dhe produktive. Shumë njerëz, përfshirë dhe veten time, para katër vitesh besuam se me Joe Biden Kosova do të përmbyllte shtetësinë e saj. Ndodhi e kundërta. Ndodhi ajo që nuk e prisnim. Administrata Biden e ndikuar nga Soros dhe shërbëtorët e tij në DASH e në administratën e tij punoi njësoj si administrata Obama dhe më keq se administrata Trump 1. U bë njësh me përpjekjet e Edi Ramës për Kosovën. Përfaqësuesit amerikanë të diplomacisë, me Escobar e të tjerë sorosistë, punuan që të rehabilitohet edhe më tepër Serbia dhe Aleksandër Vuçiq. E bënë këtë duke iu kundërvënë Kosovës dhe qeverisë Kurti”, thekson Bytyçi.
Sipas tij, Joe Biden nuk e priti dhe nuk e dëgjoi asnjëherë Albin Kurtin, kjo sepse e pengoi Edi Rama dhe Sorosi.
“Por Grennell ka thënë një të vërtetë. Albin Kurti loboi fuqishëm atëherë për fitoren e Joe Biden. Dhe korri një qëndrim të paprecedentë. Unë vazhdoj të besoj se Barak Obama ishte presidenti më i keq për Kosovën. Por të paktën ai e priste Hashim Thaçin. Joe Biden nuk e priti dhe nuk e dëgjoi asnjëherë Albin Kurtin. Kjo sepse e pengoi Edi Rama dhe Sorosi. Ndaj dhe disa në DASH luajtën me Kosovën. Deri te paralajmërimet që të mos lejojnë anëtarët e qeverisë të shkojnë në komunat e veriut, pra në territorin e shtetit të Kosovës.
Tani jemi në administratën Trump. Shumë nga ne e morëm me frikë fitoren e tij. Kishim të drejtë, por ndoshta jo aq me arsye. Njerëz pranë Trump ishin angazhuar për ndarjen e Kosovës. Mbështetën Open Balkan. Për ndarjen e Kosovës rrëzuan qeverinë Kurti 1. Ishte e padrejtë e gjitha kjo. Por ndoshta e dramatizuam dhe fajësuam Trump në vend të fajësojmë Hashim Thaçin dhe Edi Ramën. Këta të dy i thanë Tony Blair dhe lobuan fort për ndryshimin e kufijve. Bashkë me ta edhe ministrja Hoxha, ambasadorja Çitaku e plot të tjerë. Është absurde që edhe sot thonë “Jo Thaçi e Rama nuk janë fajtorë për atë iniciativë serbe për ndarjen e Kosovës”! Dhe ne na erdhi për më mbarë të themi “Fajin e ka Donald Trump”!”, nënvizon Bytyçi.
Nëse nuk bëhet afrimi i Kosovës me administratën e Donald Trump, atëherë sipas Bytyçi, Kosova mund të gjendet në situata të papritura.
“Bazuar në këtë eksperiencë të hidhur, sot ka ende skepticizëm për fitoren e Donald Trump. Kjo ka pasoja të rënda. Sepse Kosova ka nevojë për Donald Trump. Atë po e kërkojnë në ndihmë armiqtë e Kosovës, Rusia dhe Serbia. Madje edhe Republika Srpska. Si të mos e kërkojë Kosova?”! Albin Kurti duhet të dalë mbi paragjykimet ideologjike e politike dhe të bëjë ç’është e mundur që ta fitojë mbështetjen e administratës dhe vetë presidentit Trump. Nuk ka rrugë tjetër. Nëse nuk bëhet afrimi i Kosovës me administratën e Donald Trump, atëherë Kosova mund të gjendet në situata të papritura. Çështja e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës është çështja më e rëndësishme për Kosovën. Nuk e di. Ndoshta zoti Kurti i ka rregulluar punët që ta përmbyllë shtetësinë. Por nuk besoj se kjo ndodh pa amerikanët. Ata do të jenë vemdimarrësit më të rëndësishëm. Nëse ndodh që SHBA dhe Kina afrohen, atëherë duhet punuar për t’u afruar edhe me Pekinin zyrtar. Kosova ka nevojë për miq. Armiqtë i ka pasur aty gjithë jetën e saj. I ka edhe sot. Ata janë Beogradi dhe Moska. Kjo do të thotë që të gjenden kanalet e komunikimit dhe të vendoset siguresa e garancive për bashkëpunim me administratën Trump”, shton profesori.
Sipas Bytyçit, Trump bën atë që thotë dhe për këtë arsye ai është i sinqertë.
“Në fund të fundit Trump është i sinqertë. Ai bën atë çfarë thotë, ndërkohë që në administratën e mëparshme ne kemi parë se jo pak diplomatë e mashtruan Kosovën. Shqip gënjyen. Bëni Çakorrin dhe do t’ua liberalizojmë vizat, thoshin. E bënin të kundërtën. Ngrijeni Gjykatën Speciale dhe do të sigurojmë njohje të reja e pranime në organizatat ndërkombëtare, premtonin. Dhe bënë të kundërtën. Bënë presion përmes ndalimit të njohjeve dhe pranimit në këto organizata. Trump bën atë që thotë dhe për këtë arsye, ai është i sinqertë. Por ai ka nevojë të informohet. Qeveria dhe presidentja e kanë për detyrë të gjejnë mundësitë e informimit të hollësishëm para se të ndërmerren hapat e zbatimit të ndonjë plani të caktuar!”, përfundon Bytyçi.