Vizita dhe takimet e presidentes Osmani në Uashington, ‘zbërthehen’ detaje: Ky është interesi ‘jetik’ i Kosovës!

Politika

Vizita dhe takimet e presidentes Osmani në Uashington, ‘zbërthehen’ detaje: Ky është interesi ‘jetik’ i Kosovës!

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 8 shkurt 2025 Në ora: 18:05
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë mjaft të përfolura kohët e fundit.

Shpesh këto marrëdhënie edhe janë vënë në diskutim.

Mirëpo, së fundi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani qëndroi në vizitë në Uashington.

Gjatë vizitës në SHBA, presidentja Osmani, theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO në një takim në Departamentin e Shtetit. Ndërsa, në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, ajo foli për rolin e Kosovës në “kundërshtimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit”.

Osmani udhëtoi për në Uashington me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit. Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj.

Gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono, Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO "përveç se do ta fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale".

"Ajo (Osmani) konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Me zyrtarin e lartë amerikan, Bono, ajo diskutoi për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë dhe për “forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përputhje me objektivat e administratës së presidentit Trump”.

E në lidhje e këtë vizitë dhe këto takime të presidentes Osmani në SHBA, folën njohësit e politikës së jashtme.

Azemi dhe Bilalli treguan rëndësinë e kësaj vizite të Osmanit dhe atë se çka mund të pret Kosova më tej.

Azemi: Partneriteti strategjik në mes të Kosovës dhe SHBA-së, është interes jetik kombëtar i yni

Si fillim, publicisti Emin Azemi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se kjo vizitë e Osmani tregon vizionin që ka Kosova mbi të ardhmen e saj të lidhur me miqësinë amerikane.

Image
Emin Azemi

Sipas tij, partneriteti strategjik me SHBA është interes jetik dhe kombëtar për vendin tonë.

“Vizita e Presidentes Osmani vjen pas ndërrimeve që u bënë në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo vizitë shpreh vizionin që ka Kosova mbi të ardhmen e saj të lidhur ngushtë me miqësinë e përhershme amerikane. Partneriteti strategjik në mes të Kosovës dhe SHBA-së, është interes jetik kombëtar i yni dhe ky partneritet duhet kultivuar me politika kreative e largpamëse të qeverive tona”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, publicisti shtoi se Osmani me vizitën në SHBA, konfirmoi se përkushtimi i Kosovës ndaj miqësisë amerikane mbetet i palëkundur.

“Marrëdhëniet me SHBA-në, historikisht kanë qenë faktor që shton sigurinë perspektivën dhe aftësitë shteformuese të shqiptarëve. Në këtë kontekst duhet shikuar edhe vizitën e paradoditshme të Presidentes Osmani në SHBA, e cila edhe një herë konfirmoi se kushdo që të jetë në krye të shtetit të Kosovës, përkushtimi ndaj miqësisë amerikane mbetet i palëkundur”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Bilalli: Vizita e presidentes Osmani në Departamentin e Shtetit Amerikan në këto momente ka rëndësi për dy aspekte

Kurse, edhe eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli e mirëpriti këtë vizitë të Osmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, kjo gjë ndodhi në kohën e duhur dhe është e një rëndësie të veçantë.

Për këtë, përmendi dy aspekte që ndikojnë në rëndësinë e kësaj vizite.

Image
Lutfi Bilalli

“Mendoj që vizita e Presidentes është në kohën dhe vendin e duhur!

Çdo vizitë e liderëve institucional të Republikës së Kosovës është e rëndësisë së veçantë për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me SHBA-në. Vizita e presidentes Osmani në Departamentin e shtetit amerikan në këto momente ka rëndësi në dy aspekte:

1.Me ndërrimin e administratës amerikane, vizita e tillë është mundësi e mirë për të treguar në kontinuitet gadishmërinë e shtetit dhe popullit të Kosovës që lidhja dhe forcimi i raporteve të Kosovës me SHBA-në janë jetike për ne, por edhe për stabilitetin në tërë regjionin e Ballkanit.

2.Në këtë kohë të turbulencave në gjeopolitikën botërore, Kosova është e përkushtuar të jetë në linjën amerikane, aq më tepër kur ne jemi pjesë e boshtit pro-amerikan në projektin e interesave gjeostrategjike që ka SHBA-ja. Pra, Kosova zonë e interesit amerikan”, theksoi ai.

Krahas kësaj, eksperti i gjeopolitikës shtjelloi se çka duhet të kërkojë Osmani nga DASH, ku ehde nënvizoi faktin se për Kosovën janë jetike marrëdhëniet me SHBA-në.

“Njëkohësisht në vizitë, presidentja Osmani duhet të kërkojë nga Departamenti i Shtetit që amerikanët të jenë garantues dhe forca diplomatike politike dhe ushtarake, që do na ndihmojnë në proceset politike siç janë: integrimet euro-atlantike dhe një marrëveshje të obligueshme ligjore në raportet Kosovë-Serbi!

Është jetike që të kuptohet se Kosova, si një vend i vogël, mundet të mbijetojë, jo nga fuqia që kemi, por nga sjellja, maturia dhe zgjuarësia në raportet me miqtë tanë, e në veçanti me ata amerikan”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat