Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë partitë më të votuara nga numërimi i votave nga diaspora.
Të martën ka përfunduar numërimi i votave të ardhura me postë, ndërsa të mërkurën do të përfundojë i gjithë procesi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se janë numëruar 187 kutitë e votimit në të cilat ishin të ndara fletëvotimet nga komuna të ndryshme.
"Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Të martën, më 4 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 187 kutitë e votimit në të cilat ishin të ndara fletëvotimet nga komuna të ndryshme të cilat i takojnë votuesit e regjistruar për votim nga jashtë vendit.
Procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.
Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët janë publikuar platformën https://rezultatet2025.net
Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i numërimit të votave nga votimit me kusht i zhvilluar në 56 komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas rezultatit përfundimtar të votave me postë, LVV-ja e para ka marrë 31.963 vota apo 51.57 për qind, Lidhja Demokratike (LDK) që është renditur e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind, pasuar nga Partia Demokratike (PDK) me 5.878 vota apo 9.48 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma ka marrë 2 mijë vota apo 3.23 për qind.
Përndryshe, në përfaqësitë diplomatike kanë votuar mbi 15 mijë persona, ndërsa me postë mbi 68 mijë e 700 persona.
Sikur në votimin me postë, ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, duke u pasuar pastaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Analisti Skender Zogaj, thotë se qëllimi i zgjedhjeve është se vota vulos fatin e qytetarëve, por shqiptarët nuk e kanë kuptuar këtë gjë.
“Kosova as pas 25 vitesh në liri, nuk po arrijnë që të kuptojnë se vota nuk është dhe nuk duhet të jetë interes partiak, por është interes shtetëror, në kuptimin e interesit të vullnetit të shtetasve për të zgjedhur njerëzit më të denjë e më të përgjegjshëm që do ta përfaqësoni interesin përparues të jetës dhe mirëqenies sa më të plotë materiale dhe shpirtërore! Ky është qëllimi i zgjedhjeve, prandaj, duhet pasur konsideratë të shenjtë kur dalim në zgjedhje sepse, me votë e vulosin fatin tonë! Për fat të keq, kjo nuk është duke u kuptuar nga shqiptarët, nga të gjithë shqiptarët në 5 trojet etnike, të cilët assesi nuk po mund ta funksionalizojnë votën e tyre! Shqipëria edhe 113 vjet pavarësie nuk ka arritur ta kryej mirë asnjë proces zgjedhor, e gjithashtu me probleme dhe pakënaqësi janë shoqëruar të gjitha llojet e proceseve zgjedhore në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës!”, shprehet Zogaj.
Ai përmend arsyet pse e këtyre përçarjeve, gjersa shton se zgjedhjet bëhen për popull, jo për partitë.
“ Arsyet janë të shumta, por dy janë kryesore: vetëdija e ulët shtetformuese (nga koha e gjatë nën robëri) dhe përçarjet ideo-politike (nga grupet e interesave të ndryshme përfituese nga forca e pushtetit)! Kësaj nuk i ka shpëtuar as Kosova e cila ka rënë në pengun e partive politike, të cilat e kanë bërë "çam-qakëz" demokracinë dhe po e përtypin mizorisht. Sepse: zgjedhjet bëhen për të mirën e popullit e jo të partive, ndërsa qe 25 vjet në Kosovë përfituese janë partitë politike me rrethin e ngushtë të strukturave të tyre! Sepse: zgjedhjet janë garë armiqësore, me ndikim degjenerues të shtetasve, në përmasën kombëtare. E kam parasysh shtrëngatën e dyshimeve jo vetëm partiake, por edhe të votuesve të rëndomtë, që japin lloj-lloj shpjegimesh, aktualisht kanë pasur ndikime të mëdha në raportet ndër njerëzore!”, deklaron analisti.
Mërgimtarët kanë votuar për VV-në dhe LDK-në, për shkak të forcës dhe traditës partiake.
“Diaspora nuk dallon aspak nga zhvillimet e brendshme në Kosovë, sepse, mërgimtarët tanë, shumica prej tyre e kanë një pjesë të madhe të familjarëve në Kosovë, kështu që, edhe votimi është përafërsisht me referenca të njëjta: e para VV dhe pas saj LDK-ja! shpjegimi është i lehtë: anëtarësia e LDK në diasporë nuk heq dorë lehtë nga tradita partiake që LDK- në e ka pas idol për çlirim, ndërsa VV po imponohet si forcë. Dhe është krejt normale që diaspora të përqendrohet te këto dy parti”, thekson Zogaj.
Potenciali i diasporës dhe roli i saj në Kosovë
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ali Hertica, thotë se diaspora e ruan ndjenjën e lidhjes me atdheun.
“Diasporat janë bashkësi globale emigrantësh që ruajnë një ndjenjë lidhjeje me atdheun e tyre. Për shkak të karakteristikave të tyre unike transnacionale, diasporat mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shkëmbimin ekonomik në disa mënyra. Potenciali i diasporës për të prezantuar në mënyrë krijuese në vendin e tyre të origjinës përvojat, njohuritë, rrjetet dhe vizionet e fituara jashtë vendit është i madh dhe padyshim një element me peshë i suksesit në zhvillimin afatgjatë të vendit. Megjithatë, pavarësisht potencialit, politikat që synojnë të rrisin përfitimet nga shtetasit që banojnë jashtë duket se nuk ka gjithmonë prioritet në agjendat kombëtare të vendeve në zhvillim me të mëdha diasporat”, deklaron Hertica.
Ai diasporën e sheh si faktor të ndryshimeve politike, ndërsa si shpjegim politik se pse u votua Lëvizja Vetëvendosje, Hertica thotë se mërgimtarët e shohin atë si rregullatorë e sistemit ligjor.
“Zgjedhjet e fundit dhe ato të 9 shkurtit 2025 kanë në qendër të vëmendjes politike votën e diasporës jashtë Kosovës, respektivisht në vendet perëndimore dhe, ato kontinentale. Vështrimet e fundit na bëjnë të konstatojmë një mobilizim të madh të mërgatës kosovare në Perëndim dhe më gjerë për zgjedhjet e muajit shkurt 2025 në Kosovë, ku diaspora është faktor i ndryshimeve politike apo do të jetë vegël e subjektit politik. Një shpjegim i cili kishte një interesim i madh dhe mllef ndaj faktorit politik kosovar në pushtet deri më tani në të gjitha zgjedhjet e deritanishme të Republikës ku kush janë aktorët e diasporës që janë aq shumë të aktivizuar duke pretenduar se do bëjnë ndryshim substancial të sistemit siç thuhet i kapur një fuqi e cila mërgata shqiptare mbështet aq fuqishëm Vetëvendosjen duke menduar se do e rregullon sistemin e shtetit ligjor dhe shtyrjen drejt proceseve në gjitha anëtarësimet dhe politikave në faktorin ndërkombëtar dhe luftën e dukurive negative të shoqërisë”, përfundon Hetica.