Po bëhet gati një muaj i plotë që nga data kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare. Komisioni Qendror Zgjedhor ka përfunduar para pak ditësh numërimin e votave në tërësi, duke përfshirë ato të diasporës, votat me postë e votat me kusht.
Ende nuk kemi një rezultat zyrtar nga zgjedhjet e fundit, e kësisoj as një qeveri të re.
KQZ-ja që nga dita e parë e mbajtjes së zgjedhjeve ka pasur probleme me numërimin e votave, e që ky proces i numërimit më pas është tejzgjatur.
Qytetarët tanimë janë në pritje të shpalljes së rezultateve të fundit dhe vendimit se kush do të formojë qeverinë e re.
Tashmë dihet se Lëvizja Vetëvendosje është sërish fituese e këtyre zgjedhjeve, mirëpo i duhet një partner koalicioni për ta formuar qeverinë.
Por, sa ka kohë ligjore deri te formimi i qeverisë së re? Ҫfarë mund të ndodhë, nëse tejkalohet ky afat ligjor?
Lidhur me këtë ҫështje kanë folur për ‘Bota sot’ njohës të fushës së juridikut
Bajraktari: Pas konstituimit të Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, kalohet në hapin pasues, atë të formimit të Qeverisë
Kështu avokati, Ardian Bajraktarit, ka thënë se afati për formimin e qeverisë fillon nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
“Sa i përket çështjes së themelimit të institucioneve, afati fillon me rrjedhë nga certifikimi i rezultateve, ku sipas nenit 66 të Kushtetutës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, përkatësisht certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve”, vlerëson ai.
Ai thotë po ashtu se, pas konstituimit të Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, kalohet në hapin pasues, atë të formimit të Qeverisë.
“Vlen të theksohet se në këtë proces roli i shefit të shtetit, përkatësisht Presidentes së vendit është shumë i rëndësishëm, ajo ka rol aktiv në këtë proces, si dhe duhet të luaj rolin unifikues, sikurse e përcakton Kushtetuta”, vlerëson Bajraktari.
Burjani: Afati kushtetues rrjedhë nga dita e kërkesës së Presidentes për partinë fituese
Lidhur me këtë tematikë ka folur edhe profesori i juridikut, Blerim Burjani. Ai thotë se zgjidhet kryeparlamentari fillimisht nga partia fituese, pra Vetëvendosja, më pas Presidentja fton të njëjtën parti për të propozuar kryeministrin dhe qeverinë.
“Nga dita e certifikimit duhet të filloj procedura e konstituimit të Kuvendit. Kjo punë ndodhë shumë shpejt brenda dite, zgjedhet kryeparlamentari nga grupi më i madh parlamentar që është VV, pastaj presidentja e ka për obligim kushtetues ta ftojë partinë fituese dhe të propozoj kryeministrin dhe qeverinë. Afati kushtetues rrjedhë nga dita e kërkesës së Presidentes për partinë fituese. Afati kushtetues është 15 ditë, nëse dështon atëherë i jepet rasti për herë të dytë VV me të njëjtën procedurë që të propozoj një kandidat tjetër për kryeministër. Afati rrjedhë nga dita kur Presidentja e fton partinë fituese me dhënë një emër të dytë për kryeministër dhe listën me ministra”, vlerëson profesori.
Ai thotë se, nëse edhe kësaj here dështon, presidentja i fton partitë që kanë fituar në zgjedhje dhe negocionon zgjidhjen.
“Nëse dështon zgjidhja atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pra detyrë e Presidentes është me gjet mënyrën për të dalë nga ngërçi, pra me rëndësi është presidentja me ecë në procedurë pa ndalë deri në zgjidhje. Se cili do të jetë propozimi nga Presidentja pritet të shihet me tutje”, thekson juristi Burjani për ‘Bota sot’.