Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) e përfundoi procesin e numërimit të votave, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.
Votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta ishin të fundit që u numëruan në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
Përmbyllja e numërimit konfirmoi se asnjë nga partitë nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm të ulëseve në parlamentin e Kosovës për të formuar e vetme qeverinë, një proces që kërkon 61 vota në parlamentin 120 vendësh.
Sipas vëzhguesve, fituesja e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pritet të ketë 48 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës, që doli e dyta, 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partnerët tetë.
Dhjetë ulëse i takojnë komuniteteve pakicë joserbe, ndërkaq 10 të tjera komunitetit serb. Për herë të parë, Lista Serbe ka fituar vetëm nëntë nga ato, meqë një e fitoi Partia e Pavarur Liberale e ministrit aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.
Vëzhguesit në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se as skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë sfidave të shumta që e presin vendin në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.
Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.
Musliu: Koalicioni LVV-së dhe LDK-së është zgjidhja më e qëndrueshme që do t’a shmangte edhe ngërçin politik
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai u shpreh se përkundër shpresës që LVV do arrijë ta formojë qeverinë vetëm me pakicat joserbe, kjo gjë nuk do mund të ndodhë, prandaj nevojitet një koalicion me ndonjë parti opozitare.
“Edhe përkundër problemeve teknike dhe vonesës, mbase edhe subjektive, të numrimit të votave, më në fund, u numëruan të gjitha votat e vlefshme dhe tani pritet të çertifikohen ato nga KQZ-ja. Edhe pse ende jo zyrtare, me disa ndryshime, u konfirmuan rezultatet preliminare duke e nxjerrë fitues koalicionin LVV, Alternativa dhe listën Guxo.
Mirëpo edhe përkundër kësaj fitore dhe shpresave që LVV-ja të merr sa më shumë vota për t’a formuar Qeverinë pa opozitën, por vetëm me partitë e pakicave me shumicë jo serbe, kjo nuk ndodhi. Prandaj, në mungesë të votave të nevojshme, dhe nëse LVV-ja don t’a formojë Qeverinë dhe t’a ketë shumicën parlamentare, ajo është e obligueshme të bëjë koalicion me një parti opozitare, në të kundërtën, nuk do të ketë Qeveri Kurti 3”.

Kështu që, Musliu tregoi se si mund të formohet qeveria e re, duke thënë se LVV nuk duhet të bëjë koalicion me partitë e PAN-it.
“Kësisoj, pyetja që me të drejtë shtrohet, është se, me cilën parti do të duhej të bënte koalicion Albin Kurti, respektivisht cili opcion i koalicionit do të ishte më i pranueshëm për elektoratin, e mbi të gjitha për interesat vitale të Kosovës?!
Në kontekstin e këtyre zgjedhjeve, unë edhe më parë kam shkruar duke e shprehur mendimin tim, prandaj në vazhdim, pa i elaboruar afatet për formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit, do t’i përmendi vetëm disa nga arsyet se pse LVV-ja nuk duhet bërë koalicion me PDK-në, AAK-në dhe Nisma, apo PAN-in”.
Për këtë, juristi dha disa arsyje se pse LVV nuk do duhet të bëjë koalicion me partitë e lartpërmendura.
Si fillim, ai tha se në partitë e PAN ka deputetë që shquhen për korrupsion dhe që do ta dëmtonin imazhin e LVV-së, e që gjithashtu tha se duhet ta refuzojë edhe Limajn, ndonëse ky i fundit u shpreh i hapur për koalicion me partinë fituese.
“Së pari, edhe përkundër faktit se PAN-i në vazhdimësi e ka kritikuar kryeministrin Kurti se po i prishë raportet me aleatin strategjik të Kosovës, SHBA-të, në PAN ka ish zyrtar të lartë, por tani edhe deputet në legjislaturën e re, që janë në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të korrupcionit dhe krimit të organizuar, që mund të kualifikohen ndër partitë më të kriminalizuara në Kosovë. Tani, a preferohet që Kurti, i cili njihet për qeverisje « me duar të pastra », të bëjë koalicion me ata që pikërisht, përveç tjerash, janë edhe kundër interesave të « aletatit të tyre strategjik », SHBA-ve, unë nuk mendoj,
Së dyti, deri tani, e vetma parti që nuk ka vija të kuqe ndaj LVV-ss dhe që është shprehur se mund të bëjë koalicion me te, është kryetari i Nisma, Fatmir Limaj, me deputetët e të cilit, Kurti e bënë shumicën parlamentare. Dhe dihet se kur bëhen koalicione të imponuara, jipen edhe poste të rëndësishme ministrore. A thua do të ishte mirë për imazhin e Kosovës dhe a do të pranonte Kurti, që në kabinetin e tij qeveritar t’a ketë Fatmir Limaj, i cili është në listën e zezë të SHBA-ve?! Personalisht nuk e besoj, mbase Kosova do të barazohej me Qeverinë e Serbisë ku ka ministra dhe zëvendësministra që janë në listën e zezë të SHBA-ve”
Gjithashtu, Musliu potencoi faktin se programi i LVV-së me atë të PDK-së, AAK-Nisma, ka dallime të mëdha dhe nuk kanë asgjë të përbashkët.
Po ashtu, vlerëson se nuk duhet të bëhet një koalicion i tillë, pasi që zyrtarë të ndryshëm të partive të PAN-it duhet të jenë subjekt i hetimeve në suaza të reformave në drejtësi.
“Së treti, vizioni dhe programi qeverisës i LVV-së dhe PAN-it, janë diametralisht të kundërta dhe nuk kanë asgjë të përbashkët, në veçanti kur bëhet fjalë për reformat e domosdoshme në sistemin e drejtësisë. Qeveria Kurti 2 gjatë mandatit të kaluar, ka përgatitur infrastrukturën juridike për këto reforma, mirëpo pikërisht PAN-i, dhe jo vetëm, përmes obstrukcioneve dhe bojkotimit të seancave të Komisioneve të Kuvendit dhe të vet Kuvendit, ka vështirsuar miratimin e ligjeve të nevojshme, madje edhe kur ato miratoheshin, PAN-i sistematikisht i dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Kurse kjo gjykatë, në vend që t’i shqyrtonte me prioritet ligjet për reformat në drejtësi, siç ishte Ligji për Vettingun, Ligji për Byron shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe jo vetëm, ajo qëllimisht e vononte vlerësimin e tyre duke i kaluar edhe afatet e parapara me ligj, madje duke i vonuar edhe mbi një vit, që nënkuptonte një bojkotim të sofistifikuar institucional. Këto obstrukcione të kësaj gjykatë janë pasojë e PAN-it, sepse kastat e tyre politike i kanë rekrutuar gjyqtarët e kësaj gjykate, në stilin e Pronto mafisë.
Së katërti, asnjë parti e PAN-it nuk do të duhej të ishte pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kurtit, sepse pikërisht zyrtarët e këtij koalicioni duhet të jenë subjekt i hetimeve në suaza të reformave në drejtësi, në veçanti të tre ligjeve që përmenda, prandaj PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, në asnjë variant nuk do të duhej të janë pjesë e Qeverisë së ardhshme, sepse do të dështonte reforma në drejtësi, që është mëse e nevojshme për pastrimin e skenës politike dhe sistemit të drejtësisë nga korrupcioni dhe krimi i organizuar. Rikthimin e PAN-it në pushtet e dëshiron dhe preferon Greneli, i cili në mënyrë brutale ndërhyri në zgjedhjet parlamentare dhe Vuçiqi, i cili edhe publikisht është deklaruar për kthimin e PLAN-it në pushtet”, shpjegoi ai.
Tutje, juristi konsideroi se momentumi politik nuk është aspak i përshtatshëm e as i favorshëm për koalicion të LVV me njëra nga këto parti.
“Së pesti, PAN-i pa humbur kohë do ta dërgojë draft statututin e Asociacinit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, që në kohën kur Serbia çdo ditë shkelë Marrëveshjen e Brukselit dhe Udhërrëfyesin e Ohrit, nuk preferohet.
Së gjashti, momentumi politik nuk është aspak i përshtatshëm e as i favorshëm, madje do të ishte i rezikshëm për Kosovën, sepse këto parti karakterizohen, siç na ka mësuar e kaluara e hidhur, edhe për çështjet më vitale dhe kritike të Kosovës, sillen me nënshtrim dhe servilizëm ndaj faktorit ndërkombëtar, në veçanti, tani kur në krye të SHBA-ve kemi Donald Trump, i cili është « politikan » jo konvecional, i paparashikueshëm, ultimativ që ka tendenca shërbimet politike t’i shpërblejë me kompenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me ndryshimin e kufirit, Ujmanin apo Trepçën”.
Ndër të tjera, shtoi se koalicioni më i qëndrueshëm dhe përshtatshëm është ai ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ku kjo e fundit do të riparonte gabimin e së kaluarës kur u largua nga koalicioni i “Qeverisë Kurti 1”.
“Prandaj në këto konstalacione gjeopolitike ku është prishur ekuilibri i rendit konevcional botëror, ku ndryshimet transatlantike janë të shpejta dhe të paqëndrueshme, konsideroj se koalicioni LVV-së dhe LDK-së është zgjidhja më e qëndrueshme që do t’a shmangte edhe ngërçin politik dhe institucional për zgjedhjen e presidentit, dhe do t’a riparonte gabimin që e bëri LDK-ja duke dalë nga koalicioni me LVV-në në kohën e pandemisë, kur nën presionin e Grenelit, dëshirën e Thaçit dhe Isa Mistafës për t’a ndryshuar kufirin e Kosovës, çoi në rëzimin e Qeverisë Kurti 1.
LDK-ja duhet të zgjedh, ose me LVV-në ose me PAN-in. E kaluara e LDK-së me PDK-në është e hidhur, sepse me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, kjo parti prej partisë më të madhe, u reduktua në 12 % të elektoratit. Tani, në kohën kur LDK-ja ka një rritje të lehtë të elektoratit, nuk guxon të bëjë koalicion me PAN-in, sepse prap do të rezikonte tkurrjen e saj”, theksoi ai.
Në fund, u shpreh se ndodnëse opozita i ka numrat për ta bërë qeverinë, shpreson që kjo të mos ndodhë dhe se pret që LVV ta formojë qeverinë e re.
“Opozita e tanishme i ka numrat për formimin e shumicës parlamentare dhe Qeverisë, mirëpo për shkaqet dhe arsyet që përmenda më lartë, nuk do të preferoja në asnjë mënyrë që ajo të vije në pushtet, sepse në çdo aspekt do të ishte e dëmshme për Kosovën.
Kryeministri Kurti, ditë më parë, deklaroi se pas çertifikimit të rezultateve definitive nga KQZ-ja, do ta formojë Qeverinë Kurti 3, se me kë do ta bëjë këteë, ngelë për t’u pa”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
Halimi: LVV-ja dhe PDK-ja mendoj se kanë me formu qeverinë e re pas zgjedhjve të 9 shkurtit
Kurse, analisti politik, Jeton Halimi e sheh situatën ndryshe.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” parashikoi një koalicion të mundshëm mes LVV e PDK, këtë duke e ndërlidhur edhe me vizitën e Krasniqit në Hagë.
“Pasi numërimi i të gjithave votave ka përfunduar dhe tani pritet vetëm certifikimi i rezultateve zgjedhore. LVV-ja dhe PDK-ja mendoj se kanë me formu qeverinë e re pas zgjedhjve të 9 shkurtit 2025, ku siguron një qeveri afat gjate dhe stabile, ku mundet të kryhet edhe çështja e presidenti te ardhshëm Kosovës, pasi znj.Vjosa Osmanit, tani Presidente i kanë mbetur edhe një vit mandat për ta ushtruar detyrën e saj. Vizita në Hagë e kryetarit të PDK-së, z.Memli Krasniqi, dëshmon shumë qartë se e ka marre bekimin nga ish Presidenti Thaçi & ish Kryeparlamentari z.Kadri Veseli për ta formuar qeverinë e re me fituesin e zgjedhjeve, LVV-në. Mendoj ju kanë dhënë edhe emrta e ministrave të ri nga radhët e PDK-së, njerzit e caktuar dhe të preferuarit e tyre të vendosën në ministri dhe pozita shumë të rëndësishme, gjithmonë sipas urdhrave të marra nga dyshja Thaçi & Veseli”.
Më tej, Halimi përmendi skenarin më të mundshëm të koalicionit, derisa hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni mes LVV e Nismës së Fatmir Limajt, e kjo për disa shkaqe.
“Një nga skenarët më të mundshëm për krijimin e qeverisë koalicionesh që priten me ndodhë është VV-PDK, siç u tha më lartë, pasi këto dy parti krijojnë qeveri satabile dhe afat gjate njëkohësisht edhe e zgjedhin çështjen e Presidentit. Pavarësisht se, NISMA nuk ka ‘vija të kuqe’ dhe ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë edhe me z.Albin Kurti, nuk besoj kjo qeveri vetëm me Nismën është stabile dhe afatgjate. Në mënyrë hipotetike mundet me u shantazhu dhe z.Kurti, prandaj nuk e besoj që bën këso kalkulime politike, ku e di shumë mirë se z.Limaj ka qenë kritikues shumë i madh i kësaj qeverie në detyrë, veç nëse bëhet qeveria mundet ta quaj qeveri afatshkurte, por dhe me shantazhe politike”, nënvizoi ai.
Në fund, analistoi shtoi se qeveria LVV-NISMA do ishte e dobët, duke shtuar se ndërkombëtarët do bëjnë presion që liderët politikë ta formojnë qeverinë sa më shpejt.
“Albini nëse veç hyn në qeveri me z.Limaj nga NISMA, janë vetëm tre deputetë, një nga minoriteti serb, z.Nenad Rashiq, prapë lë boshllëk të madh dhe une shpresoj bashkësia ndërkombëtare do të bëj presion shumë më të madhe, sidomos ambasada e USA në drejtim të liderëve politike, pasi e dinë shumë mirë se Kosovën e presin shumë punë të mëdha”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.