“Armiqësia” mes partive politike, vë në rrezik formimin e qeverisë së re: Kanë bërë gabime të mëdha në…!

Politika

“Armiqësia” mes partive politike, vë në rrezik formimin e qeverisë së re: Kanë bërë gabime të mëdha në…!

Nga: A.M. Më: 14 mars 2025 Në ora: 18:26
Kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit konfirmuan se asnjë parti politike, e vetme nuk mund ta formojë qeverinë.

Megjithatë, duke parë deklaratat e ndryshme të përfaqësuesve të partive politike, duket se vështirë do të formohet qeveria, apo thjeshtë do marrë më shumë kohë ky proces.

Por, a ka rrezik për zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se nuk ka marrëveshje mes liderëve partiak?

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka foluar njohësi i ccështjeve politike, Skënder Zogaj.

Fillimisht, ai kritikoi partitë politike për gabimet që kanë bërë gjatë fushatave parazgjedhore, duke thënë se cënuan integritetin ndërpartiak.

Image
Skënder Zogaj.

“Dikur, edhe pse ishim në kohë robërie, kemi realizuar zgjedhje me të cilat shqiptarët i kanë habitur edhe vendet më demokratike, për mënyrën e votimit dhe të respektimit të verdiktit të elektoratit. Mendoj që të gjitha partitë politike kanë bërë gabime të mëdha në fushatat parazgjedhore, sepse duke u përpjekur të përfitojnë besimin e votuesve, e kanë cënuar integritetin ndërpartiak, që është faktor tepër-tepër i rëndësishëm, për implemetimin e rezultateve zgjedhore”.

Krahas kësaj, Zogaj kritikoi partitë politike, që po refuzojnë koalicionit dhe partinë fituese, në këtë rast LVV-në.

Sipas tij, LVV mund t'i krijoj numrat, nëse, shfrytëzon mundësitë kushtetuese.

“Shembull i keq ishin zgjedhjet e 9 shkurtit, pas të cilave ka shumë ajsbergë, pikërisht për shkak të raporteve skajshmërisht "armiqësore" të partive politike që refuzojnë të lidhin koalicione me partinë fituese, ndërsa VV e vetme nuk mund ta formojë Qeverinë.

Mirëpo, situata nuk është e pazgjidhshme sepse, Vetvendosja mendoj se mund t'i krijoj numrat, nëse, shfrytëzon mundësitë kushtetuese e nuk bie pre e thashethemeve. Të gjitha ofertat që i bëhen VV duhet t'i pranojë sepse është bartëse e shumicës së vullnetit të qytëtarëve, me diferencë të madhe numrash, që janë obligim për kujdes dhe vendime racionale”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, ai beson se do formohet qeveria e re, por në rast se dështon kjo gjë, atëherë do ketë telashe.

“Pra qeveria mendoj se mund të formohet dhe duhet të formohet! Sepse, nëse formimi i qeverisë dështon, atëherë, telashet do të shtohen e do të rëndohen! E kam parasysh odisejadën e procesit që ishte mjaft i komplikuar, e edhe kohëzgjatjen banale të numërimit të votave.

Koha nuk premton cilësi nëse zgjedhjet përsëriten, sepse, që tani duhen përgatitje për zgjedhjet lokale që duhet të mbahe sivjet në fund të vitit. Dy palë zgjedhje të reja sivjet janë shumë vështirë të mbahen me sukses” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat