Marsi shënoi Epopenë e UÇK-së. Por, OVL-UÇK mori vendim t’i bojkotojë organizimet nga Qeveria për pavarësi dhe Epope.
Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së vendosi të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet e Qeverisë së Kosovës për manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së sotme të kryesisë së OVL të UÇK-së këtë e arsyetuan duke thënë deri te vendimi ka ardhur për shkak se Qeveria aktuale nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për bashkëpunim me OVL UÇK.
Ish-komandati i UÇK-së, Hasan Preteni ka thënë se ndjehet krenar që pjesë të biografisë së tij e ka edhe luftën për atdheun.
Por, ai me vendimin e OVL e UÇK-së nuk është pajtuar.
Tutje, ai ka thënë se “organizata janë bërë pronë e disa individëve, mandatet e tyre janë të panumërta, nuk kanë kufizime, kryetar të përjetshëm, shumë keq. Politizimi-partizimi i tyre është shumë i rrezikshëm”.
“Pjesa e biografisë time që ndjehem shumë krenar është ajo e kohës sa isha ushtar dhe komandant në UÇK. Me organizatat e dala nga lufta, me organizimin e tyre, me zgjedhjet brenda tyre, me politizimin e tyre nuk jam fare i lumtur.
Organizatat e dala nga lufta duhet të punojnë në drejtim të mbrojtjes së interesave të pjesëtarëve-anëtarëve të vet. Këto organizata janë bërë pronë e disa individëve, mandatet e tyre janë të panumërta, nuk kanë kufizime, kryetar të përjetshëm, shumë keq.
Politizimi-partizimi i tyre është shumë i rrezikshëm. Nuk kemi luftuar për parti e për pushtet, duhet të bashkëpunojmë me të gjitha strukturat që dalin nga zgjedhjet e popullit, kjo e fundit ishte praktika më e keqe që nuk duhet të përsëritet kurrë!”, foli Preteni në një intervsitë për “Bota sot”.