I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka vizituar Kosovën, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me liderët e vendit.
Sorensen fillimisht u takua me Osmanin dhe më pas me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin, ndërmjetësi evropian tha për gazetarët se prioritet për të do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale.
"Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar", tha Sorensen, gjatë deklarimit për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Kujtojmë që takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Sorensen po e viziton Kosovën për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur doktori i çështjeve ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Ai thotë se emërimi i Sorensne vjen në një moment kritik, kur procesi i negociatave ma ngecur.
Sipas Vocës, pavarësisht përvojës që Sorensen ka suksesi i dialogut varet nga politika serbe dhe gatishmëria e Beogradjt.
“Emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi vjen në një moment kritik, kur procesi i negociatave ka stagnuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe dinamikave ndërkombëtare. Sorensen ka përvojë në Ballkan dhe në strukturat evropiane, gjë që mund ta ndihmojë në menaxhimin e pritshmërive dhe në rigjallërimin e bisedimeve. Megjithatë, suksesi i tij nuk varet vetëm nga qasja personale, por kryesisht nga politika serbe dhe gatishmëria e Beogradit për të lëvizur drejt një marrëveshjeje”, u shpreh ai.

Voca tutje thotë që Serbia vazhdon të ndjekë një qasje agresive duke mos harruar sulmin në Banjskë dhe refuzimin e dorëzimit të Radoiçiqit drejtesisë.
“Serbia nuk është vetëm hezituese në këtë proces, por shpesh ka ndjekur një qasje agresive dhe të armatosur, siç u pa në sulmin e shtatorit 2024 ndaj Kosovës. Ky akt tregoi qartë se Serbia vazhdon të ketë tendenca destabilizuese në rajon, aq më tepër kur refuzon të dorëzojë kryekriminelin Milan Radoiçiq, i cili drejtoi atë sulm. Në vend që të tregojë angazhim për stabilitet, Beogradi po pengon drejtësinë dhe po minon përpjekjet për paqe”, shpjegoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në fund, Voca vazhdon biseden duke thënë që Serbia është larg qasjes konstruktive dhe stabilizuese për rajonin e Evropës Juglindore.
Sipas tij, Beogradi vazhdon të përfitojë nga status quo-ja dhe e përdor dialogun si mjet diplomatik për të shmangur presionin ndërkombëtar, në vend që të angazhohet seriozisht për një zgjidhje përfundimtare.
“Një nisëm për një marrëveshje finale do të duhej të fillonte me dorëzimin e përgjegjësve për sulmin e shtatorit, duke hapur më pas rrugën për adresimin e çështjeve të tjera kyçe, si zbardhja e fatit të të zhdukurve gjatë luftës dhe kërkimi i faljes për krimet e kryera. Megjithatë, Serbia duket ende larg një qasjeje konstruktive dhe stabilizuese për rajonin e Evropës Juglindore. Për momentin, Beogradi vazhdon të përfitojë nga status quo-ja dhe e përdor dialogun si mjet diplomatik për të shmangur presionin ndërkombëtar, në vend që të angazhohet seriozisht për një zgjidhje përfundimtare. Pa një ndryshim të qartë në qasjen serbe dhe një angazhim më të fortë nga faktori ndërkombëtar, një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbetet sfiduese”, përfundoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.