“Prapavija” e takimit “të fshehtë” të Hamzës dhe Abdixhikut

Politika

“Prapavija” e takimit “të fshehtë” të Hamzës dhe Abdixhikut

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 mars 2025 Në ora: 14:02
Bedri Hamza- Lumir Abdixhiku

Të shtunën që lamë pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në bazë të rezultateve përfundimtare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.3% të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave dhe ka fituar 24 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18.27% të votave, duke fituar 20 ulëse.

Koalicioni AAK-Nisma ka përfunduar në vendin e katërt me 7.06% të votave dhe ka siguruar tetë ulëse.

Sa i përket përfaqësimit të komuniteteve, Lista Serbe ka fituar nëntë ulëse, ndërsa Za Slobodu Pravdu i Opstanak një. Kosova Demokratik Turk Partisi ka siguruar dy ulëse, ndërsa nga një ulëse kanë fituar Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat, Partia Liberale Egjiptiane, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se shpallja e vonuar e rezultateve erdhi si pasojë e “zbatimit të ndryshimeve të shumta ligjore” dhe “problemeve me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”.

Subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 48 orë për të paraqitur ankesa ndaj këtyre rezultateve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Menjëherë të nesërmen pas publikimit të rezultateve përfundimtare dy kandidatët për kryeministër nga LDK dhe PDK kishin zhvilluar një takim.

Sipas burimeve mediatike, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku janë takuar të dielën, takim ky i cili është mbajtur larg syrit të publikut.

Analistët politikë kanë komentuar për gazetën “Bota sot” arsyet e mundshme të këtij takimi, gjersa e konsiderojnë zhvillim normal dhe demokratik.

Haziri: Normale, vija e kuqe ndaj LVV-së

Analisti Nexhat Haziri, thotë se është normale që liderët të takohen pas një procesi zgjedhor për t’i parë dhe diskutuar pozicionet e tyre pas rezultateve zgjedhore.

“Nuk shoh ndonjë nevojë që Hamza apo Abdixhiku të kenë mundur për t'i shitur apo blerë diçka nga njeri- tjetri për ta quajtur "pazar" takimin në mes tyre nëse ka ndodhur. Është një zhvillim normal, demokratik që subjektet politike, gjegjësisht liderët e tyre të takohen pas një procesi zgjedhor për t’i parë e diskutuar pozicionet e tyre pas rezultateve zgjedhore”, shprehet Haziri.

Image
Analisti Nexhat Haziri

Tutje, ai nuk konsideron asgjë të jashtëzakonshme në takimin Hamza- Abdixhiku, gjersa shton se është normale edhe që LDK dhe PDK nuk duan të kenë asnjë komunikim me LVV-në.

“Po ashtu është krejt normale që pas deklarimeve të PDK-së dhe LDK-së, se nuk do të kenë asnjë komunikim me LVV-në sa i përket koalicionit zgjedhore, të pritet që partia që ka dalë e para nga zgjedhjet e 9 shkurtit ta konsumojë kohën e saj për tentuar që ta formojë qeverinë e re mbi bazën e rezultateve që ka prodhuar procesi zgjedhor i 9 shkurtit. Pra, asgjë e jashtëzakonshme nga ky takim, nëse LVV-ja dështon që ta bëjë shumicën, atëherë i mbetët partisë së dytë, në këtë rast PDK-së për të tentuar që ta bëjë një shumicë të re për ta bërë qeverinë, dhe në rast se edhe kjo dështon vendi shkon në zgjedhje të reja”, shton analisti.

PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe AAK-ja, e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeveritar me LVV-në e kryeministrit Albin Kurti. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se partia e tij do ta formojë Qeverinë e re të vendit dhe se pas certifikimit të rezultateve do të fillojë “bisedimet”.

Burjani: LDK-së nuk i konvenon të hyjë në qeveri me PDK-në

Analisti Blerim Burjani, thotë se takimi i Hamzës dhe Abdixhikut është të mos merren me Kurti.

 “Takimi është bërë për koordinim në këtë fazë të opozitës, ideja është me hesht mos mu marrë me Kurtin, ta lënë vetëm, le ta provojë nëse ka çka të provojë dhe me kënd të bëjë qeveri, pra takimi duhet të shikohet si qasje për koordinim të mëtejmë. Për pazar është herët, pra për ta marrë vesh për një qeveri të opozitës”, shprehet Burjani.

Image
Analisti Blerim Burjani

Ai konsideron se “dëshira” e Hamzës për të dështuar Kurti dhe të bëhet vetë kryeministër varet nga LDK.

Mirëpo sipas tij, LDK-së nuk i konvenon të hyjë në qeveri me PDK-në.

“Kjo “dëshirë” e Hamzës për të dështuar Kurti dhe të bëhet ai vet kryeministër apo jo, varet nga LDK, siç dihet LDK më shumë arsye mos të hyjë në qeveri me askënd se sa të hyjë, nëse shkohet në zgjedhje sërish më së voni pas një viti LDK mund të humb më shumë se PDK, prandaj duhet të jenë strateg për veprim. Nëse do ta përkrahte LDK Hamzën si kryeministër pritet të shihet. Mendoj se LDK-së nuk i konvenon të hyjë në qeveri me PDK-në, më mirë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme kah tetori, por kjo zgjedhje e LDK-së se çfarë do të bëjë nuk besoj se i konvenon”, shton analisti.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kanë marrë pjesë 966,283 qytetarë, që përbën 46.54% të votuesve me të drejtë vote.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat