“Po flijohen jetët e njerëzve më lirë se çdo gjë”- A do të zgjerohen protestat kundër pushtetit të korruptuar pas ngjarjes tragjike të Koçanit?

Politika

“Po flijohen jetët e njerëzve më lirë se çdo gjë”- A do të zgjerohen protestat kundër pushtetit të korruptuar pas ngjarjes tragjike të Koçanit?

Nga: M.L. Më: 20 mars 2025 Në ora: 11:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Më 16 mars Maqedonia e Veriut u trondit nga rasti tragjik i shpërthimit të zjarrit në klubin e natës në Koçan, që la të vdekur 59 persona, derisa 150 të tjerë pësuan lëndime.

Ishte ndezja e fishekzjarrëve brenda lokalit, shkaku që solli këtë ngjarje tragjike.

Sipas raportimeve nga Maqedonia e Veriut, mosrespektimi i ligjeve dhe korrupsioni prej dekadash çuan në këtë tragjedi të paprecedentë.

Kjo ngjarje ka revoltuar qytetarët e Koçanit, të cilët që nga 17 marsi kanë protestuar duke kërkuar që fajtorët të dalin para drejtësisë.

Ata madje kanë shkatërruar edhe një kafene që i përkiste pronarit të klubit të natës dhe sulmuan kompaninë e tij të logjistikës, duke thyer xhamat dhe duke prishur një automjet dhe orenditë.

Protestuesit kanë kërkuar sqarime për rastin edhe para bashkisë së Koçanit, gjë që çoi edhe në dorëheqjen e kryetrarit të kësaj bashkie Ljupço Papazov.

Po ashtu, protesta masive në lidhje me rastin ka pasur edhe në Shkup.

Ndërsa, hetimet për ngjarjen tragjike janë duke vazhduar, ende është e paqartë se deri në ç’masë do të shprehet revolta qytetare dhe a do të jetë ajo e ngjashme me protestat në Serbi që shpërthyen pikërisht pas një rasti të ngjashëm si në Koçan.

Për publicistin Amir Shabani kjo është njëra ndër tragjeditë më të rënda që i ka ndodhur vendit dhe me numër të madh të humbjes së jetëve.

Image
Amir Shabani

“Rasti tragjik që ka ndodhur natën e 16 marsit në një klub nate në qytetin e Koçanit ka shokuar jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por tërë Ballkanin dhe më gjerë, pasi që nga një flakë e shkaktuar prej fishekzjarrëve gjatë ahengut, ka shuar jetën e 59 të rinjve dhe ka lënë me lëndime serioze mbi 150 të tjerë. Kjo është njëra ndër tragjeditë më të rënda që i ka ndodhur vendit dhe me numër të madh të humbjes së jetëve”, ka thënë ai.

Sipas Shabanit, ky rast ka bashkuar të gjitha etnitetet në Maqedoninë e Veriut dhe për këtë arsye ai beson se të njëjtat do ta ndjekin modelin e Beogradit.

“Nga dita e djeshme në sheshin "Maqedonia" të Shkupit kanë dalë në protesta masive qytetarë të grup moshave dhe etnive të ndryshme. Ky rast na ka bashkuar maqedonas e shqiptar, turk e rom, pasi që dhimbja ndjehet njëjtë dhe besoj se këto protesta do zhvillohen seriozisht, së paku duke marrë model atë të Beogradit”, ka nënvizuar Shabani.

Sipas publicistit, populli duhet të kërkojë llogari tek qeveritarët pasi ky zjarr ncori në pah edhe disa padrejtësi e shkelje të ligjit nga vet autoritetet udhëheqëse të kaluara por edhe ata të tanishmit.

“Kërkimin e llogarisë duhet të bëjë populli tek qeveritarët e kaluar dhe të tashëm, ngase ky zjarr ka "zbardhur" edhe disa padrejtësi dhe shkelje të ligjit nga vet ligjvënësit. Është e vërtetë se disa ish-zyrtarë dhe nëpunës policorë janë marrë në paraburgim dhe kjo kështu duhet vazhduar deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Mospasja licencë dhe kushte elementare për të funksionuar si klub nate, është lejuar nga qeveria e kaluar, por edhe e tanishmja nuk mund të arsyetohet sepse nuk janë bërë kontrolle të rrepta mbi këto klube.

Duhet dënuar përgjegjësit dhe duhet ngritur zërin sovrani, sepse po flijohen jetët e njerëzve më lirë se çdo gjë”, ka përfunduar Shabani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat