Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në disa parti kanë filluar pakënaqësitë dhe përçarjet e brendshme.
Së fundi, një gjë e tillë u vërejt në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku Avdullah Hoti doli publikisht dhe kërkoi një lidership të ri brenda partisë.
Kandidati për deputet i ka kërkuar lidershipit të partisë llogari për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të cilin ai e ka quajtur të pakënaqshëm.
Ish-kryeministri i Kosovës ka listuar disa arsye pse LDK-së i duhet një udhëheqje e re.
“Personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. Votimi disproporcionale në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së”, ka shkruar Hoti të martën.
Ndër të tjera, ai shtoi se brenda LDK-së ka nevojë për transparencë.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë”.
E siç duket kjo po dëshmon që situata brenda kësaj partie është e përçarë.
Mirëpo, si do ndikojë kjo brenda vetë LDK-së në të vazhdim, mbetet të shihet.
Bislimi: Gjatë gjithë angazhimit tim politik në përgjithësi, dhe për LDK-në në veçanti, slogani im ka qenë “unitet në dallime”
Për më tepër, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli ish-anëtari i LDK-së,

Fillimisht, ai tha se duke parë zhvillimet gjeopolitike, nuk kemi komoditetin e as mundësinë realisht që të angazhohemi në përpjekje tjera jashtë interesit të Republikës sonë të re.
Sipas tij, formula që duhet ndjekur nga LDK do duhej të ishte “unitet në dallime”.
“Gjatë gjithë angazhimit tim politik në përgjithësi, dhe për LDK-në në veçanti, slogani im ka qenë “unitet në dallime”. Vlerësoj se edhe sot, kjo është formula që i duhet një subjekti politik dhe tutje edhe krejt skenës politike të Kosovës. Ne sot fokusin do duhej ta kishim tek interesi shtetëror dhe kombëtar i Kosovës, para se gjithash.
Nuk e kemi as komoditetin e as mundësinë realisht që të angazhohemi në përpjekje tjera jashtë interesit të Republikës sonë të re. Dinamika e zhvillimeve gjeopolitike globale është e paprecedentë. Është kohë e vorbullës së madhe të një rendi të ri global në përballje me normat ekzistuese.
Është imperativ i kohës, vlerësoj, që ne bashkërisht të bëjmë krejt çka mundemi për t'u siguruar që Kosova vazhdon trajektoren e vet të konsolidimit dhe zhvillimit si shtet sovran e demokratik brenda orbitës së interesave gjeostrategjike të aleatëve tanë, e veçanërisht SHBA-së”, nënvizoi ai.
Po ashtu, Bislimi potencoi se dallimet brenda partive politike nuk duhet të vihen para interesave të shtetit.
Për rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit tha se ishin larg pritshmërive që i proklamonte lidershipi i saj.
“Dallimet e brendshme politike duhet të jenë sekondare karshi sfidave që ka përpara shteti ynë. Kjo nuk nënkupton se duhet mënjanuar përgjegjësia politike dikujt. Por, thjeshtë, është parimore dhe politikisht e domosdoshme që përtej krejt interesave tjera, ta vendosim interesin e Kosovës.
Edhe LDK ka një vend të pazëvendësueshëm në historinë moderne të Kosovës. Është GOP (Grand Old Party) e Kosovës; është rruga e suksesit drejt ndërkombëtarizimit të çështjes sonë që më pastaj ndihmoi në arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Përkundër rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit që la LDK larg nga pritjet e proklamuara nga lidershipi i saj, LDK-së i duhet ajo që unë e kam thënë gjithnjë -- Unitet në Dallime!”.
Ndër të tjera, ai përmendi faktin e largimit nga struktura e kësaj partie dhe ishte i vetëm në betejën e tij.
Gjithashtu, bëri thirrje që t’i kthehemi idealeve kombëtare e vlerave autentike të veprimit politik rugovist.
“Fundja, ju rikujtoj se unë për parime dhe i bindur që LDK po devijonte nga rruga e trasuar nga Presidenti Historik Dr. Rugova, isha i vetëm në betejën time për të ruajtur boshtin politik të saj, qysh nga pranvera 2022. Andaj, me shumë se reagimet post-factum, sot LDK-së i duhet kohezion i brendshëm, reflektim, dhe rikthim në boshtin e vet politik. Kjo është e mundshme, dhe një LDK e vlerave autentike, për të cilën unë kam luftuar pa asnjë hezitim qoftë edhe i vetëm, i ndihmon vet Kosovës.
Prandaj, le t'i kthehemi idealeve kombëtare e vlerave autentike të veprimit politik rugovist, ku para së gjithash, ka qenë dhe do jetë Kosova!” – përfundoi Faton Bislimi për “Bota sot”.
Zogaj: Rezultati zgjedhor i LDK -s në në zgjedhjet e fundit është zhgënjyes,
Kurse, analisti Skënder Zogaj vlerëson se rezultatit i LDK-së ishte zhgënjyes në zgjedhjet e 9 shkurtit

“Rezultati zgjedhor i LDK-së në zgjedhjet e fundit është zhgënjyes, përtej çdo lloj parashikimi, sepse, zgjedhje ndodhën në periudhën optimale të mundësisë për të reflektuar dhe për të ndërmarrë masa të thella ri organizative dhe për t'ia kthyer dinjitetin partisë historike të demokracisë ballkanike pas komuniste! Pra, ishte koha kur humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së, kishin shansin e madh që të ndaloheshin dhe të ndodhte fitorja e madhe e pritshme dhe plotësisht e mundshme partiake! Por nuk ndodhi, sepse “shelnja nuk prodhoi rrush”!”, deklaroi ai.
Zogaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se nuk ndodhi reform brenda LDK-së.
Madje, ai potencoi se ka pasur pakënaqësi brenda anëtarësisë, për shkak të listave zgjedhore, ku sipas tij 60 përqind të kandidatëve nuk e kanë merituar emërimin as profesionalisht as partiakisht.
Pikë së pari LDK-ja nuk e realizoi reformën partiake që ishte e domosdoshme, sepse strukturat partiake ishin shkatërruar, dhe partia ka funksionuar me direktiva. Kjo e ka ngulfatur rolin e anëtarësisë, sepse zingjiri i udhëheqjes në vend të votës, është realizuar me emërime të individëve, nga radhët e grupeve të interesit dhe aspak të merituarit e nevojshëm nga radhët e LDK-së dhe të interesit partiak e shtetëror të Kosovës! Sipas këtij kriteri është krijuar lista zgjedhore ku 60 përqind të kandidatëve nuk e kanë merituar emërimin as profesionalisht as partiakisht, sepse nuk ishin anëtar të LDK-së! Dhe normalisht që anëtarësia nuk pranoi që të keqpërdorte votën e saj! Shumë nga anëtarësia e LDK-s nuk doli fare të votonte! Unë po e theksoj rastin e Fushë Kosovës, bastionit të LDK-së, e cila është fituesja e të gjitha zgjedhjeve dhe që ka rreth 28 mijë anëtarë, por në zgjedhje e fundit kanë votuar vetëm 4400 militantë të devotshëm!” – shpjegoi ai.
Në fund, analisti shtoi se deklarata e fundit e Avdullah Hotit nuk është sinjal për përçarje, por është thirrje për mirëkuptim dhe angazhim brenda partisë.
“Kjo gjendje është për keqardhje të madhe, prandaj me këtë rezultat zgjedhur jo vetëm Avdullah Hoti, por nuk do të duhet të jetë askush i kënaqur!
Ky rezultat është dështim dhe kam frikë se fajtorët, duke u përpjekur që të mos e pranojnë realitetin, do të krijojnë situatë edhe më të pa lakmueshme, partiake!
Unë jam i bindur se pakënaqësia e Avdullah Hotit duhet të mirëkuptohet dhe të merren masa për ta rikthyer besimin e anëtarësisë. Deklarata e Hotit nuk mendoj se është sinjal për përçarje brenda LDK-së, por është thirrje për mirëkuptim dhe angazhim të sinqerte kritik ndaj gjendjes së krijuar që është mjaft e pa lakmueshme”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.