Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tashmë ka një kohë që është kthyer një temë e rëndësishme edhe për ndërkombëtarët.
Të vendosur për të arritur një marrëveshje finale mes dy palëve, ndërkombëtarët po vazhdojnë të realizojnë takime të ndara dhe të përbashkëta, mirëpo pa ndonjë rezultat konkret ende.
E për ecurinë e dialogut së fundmi ka folur edhe eksperti amerikan, Daniel Serwer.
Serwer tha se administrata aktuale e ShBA-së ka të ngjarë që t’ia lë Brukselit drejtimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në çështjet e tjera SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme.
Sipas tij, përveç mbështetjes së fortë që Administrata Trump i ka dhënë sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nuk ka indikacione se cila do të jetë politika e tij në raport me Kosovën.
Me gjithë trajektoren që morën raportet ShBA-BE pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kur vije puna tek dialogu, sipas Serwerit, Uashingtoni duket se do t’ia lë Brukselit.
“Unë mendoj se kjo administratë do të dëshirojë që Brukseli të marrë drejtimin e dialogut. Në përgjithësi, SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme sot, por ende nuk kam parë ndonjë tregues për këtë në çështjen e dialogut”, ka shtuar ai.
Duke u nisur nga kjo deklaratë, a mund të kemi sukses në bisedime nëse përgjegjësia bie vetëm tek Brukseli?
Gashi: Pa një vendim të qartë dhe një qasje të fortë nga Uashingtoni, ky proces rrezikon të bëhet një çështje që nuk përfundon kurrë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.
Ai thotë se është shqetësuese nëse përgjegjësia për dialogun bie vetëm tek Bruskeli.
“E para, dua të shpreh konsideratën time për fjalën e ekspertit amerikan Daniel Serwer. Analiza e tij nxjerr në pah një realitet të rëndësishëm: përkundër ndryshimeve që mund të vijnë në marrëdhëniet SHBA-BE me rikthimin e administratës Trump, në raport me dialogun Kosovë-Serbi, Uashingtoni, sipas tij, mund të vendosë t’ia lërë këtë proces Brukselit.
Kjo është një çështje serioze dhe duhet analizuar me kujdes. A mund të jetë ky një lajm i mirë për Kosovën? Jo domosdoshmërish. A është një zhvillim shqetësues? Po, nëse kjo do të thotë që SHBA-ja e largon vëmendjen nga procesi”, u shpreh ai.

A është Evropa në gjendje të përmbyllë këtë proces e vetme?
Gashi duke vazhduar bisedën nuk e vë në pikëpyetje menaxhimin e duhur të situatave të BE-së, mirëpo shprehet skeptik kur vjen puna tek vendimet e mëdha.
Sipas tij, Evropa ka kapacitet ekonomik për të ushtruar ndikim, por nuk ka asnjëherë qenë e aftë të flasë me një zë të vetëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë.
“Duhet ta shohim Evropën në atë që ajo është sot: një union ekonomik, ende në rrugën e saj drejt një unioni politik. Bashkimi Evropian ka treguar se mund të menaxhojë kriza, por kur vjen puna te vendimet e mëdha politike dhe diplomatike, mungesa e unitetit është evidente. Këtë e kemi parë në çështje të ndryshme, si politikën e jashtme ndaj Rusisë, qëndrimet mbi Lindjen e Mesme dhe, natyrisht, raportin me Ballkanin.
Evropa ka kapacitet ekonomik për të ushtruar ndikim, por nuk ka asnjëherë qenë e aftë të flasë me një zë të vetëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë. Disa shtete janë mbështetëse të palëkundura të Kosovës, ndërsa disa të tjera vazhdojnë ta bllokojnë njohjen e saj. Kjo ndarje do të thotë se, nëse procesi mbetet në duart e BE-së, atëherë Serbia ka më shumë hapësirë për të luajtur me kohën dhe për të shmangur obligimet që duhet të marrë përsipër”, shpjegoi Gashi.
Serbia dhe taktika e saj në dialog
Duke vazhduar bisedën analisti përmend mosgatishmërinë e Serbisë për zbatim të marrëveshjeve duke theksuar që me angazhimin e vetëm të BE-së, e njëjta mund të luaj një lojë të gjatë dhe të lodhshme diplomatike.
“Duhet të kemi parasysh një të vërtetë historike: Serbia ka treguar se është e gatshme të hyjë në dialog, por jo të zbatojë marrëveshjet. Kemi përjetuar situata ku marrëveshjet e arritura janë shkelur, ku premtimet janë bërë për të kaluar situata të caktuara politike dhe ku, pas disa vitesh, çështjet kthehen në pikën zero.
Kur procesi mbetet vetëm në duart e Evropës, Serbia e di që nuk ka një autoritet të vetëm që mund ta detyrojë të përmbushë angazhimet. Në Bruksel, çdo vendim kërkon konsensus mes shteteve anëtare, dhe në këtë vakum, Serbia e ka luksin të luajë një lojë të gjatë dhe të lodhshme diplomatike, pa kosto të madhe për të”, potencoi analisti.
Pse SHBA-ja duhet të mbetet e përfshirë?
Gashi tutje thotë që nëse SHBA-ja e lë procesin në duart e Brukselit, pa një mbështetje të qartë dhe pa një mekanizëm të fortë presioni, atëherë rrezikojmë të kemi një proces të zvarritur pafundësisht.
“Historia na ka treguar një fakt të thjeshtë: proceset e mëdha diplomatike dhe marrëveshjet e rëndësishme në Ballkan kanë ardhur kur SHBA-ja ka marrë një rol aktiv dhe vendimtar. Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare kanë ndodhur me një përkushtim të qartë amerikan.
Nëse SHBA-ja e lë procesin në duart e Brukselit, pa një mbështetje të qartë dhe pa një mekanizëm të fortë presioni, atëherë rrezikojmë të kemi një proces të zvarritur pafundësisht, ku Serbia do të përdorë çdo mundësi për të shmangur zgjidhjet e plota. Prandaj, është në interesin e Kosovës dhe të stabilitetit të rajonit që SHBA-ja të mbetet aktive dhe të vendosë një qartësi strategjike mbi procesin”, theksoi analisti.
Konkluzioni
Në fund ai nënvizon deklaratën duke u shprehur se është e vështirë që e vetme BE të ketë zhvillime pozitive në dialog, për këtë arsye është e domosdoshme prania e SHBA-ve.
Nëse kemi një tërheqje të SHBA-së sipas analistit kemi arsye për shqetësim.
“A mund ta çojë BE-ja përpara këtë proces e vetme? Në teori, po. Në praktikë, është shumë vështirë.
A ka Serbia ndonjë nxitje për të respektuar marrëveshjet nëse BE-ja mbetet e vetme? Jo, sepse nuk ka një forcë të vetme që mund ta detyrojë.
A është e domosdoshme prania e SHBA-së? Po, sepse vetëm një fuqi që flet me një zë të vetëm mund ta mbyllë këtë çështje me vendosmëri.
Prandaj, nëse kjo deklaratë e Serwerit përkthehet në një tërheqje të SHBA-së nga procesi, atëherë kemi arsye për shqetësim. Pa një vendim të qartë dhe një qasje të fortë nga Uashingtoni, ky proces rrezikon të bëhet një çështje që nuk përfundon kurrë dhe që Serbia e shfrytëzon për të vonuar një zgjidhje të drejtë. Kosova duhet të kërkojë që SHBA-ja të jetë gjithmonë e pranishme dhe aktive, sepse përndryshe kemi një proces pa përfundim të qartë”, foli Gashi për “Bota sot”.
Ahmeti: SHBA-ja ka investuar shumë në rastin e Kosovës
Ndërsa analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Serwer mund të jetë e qëndrueshme mirëpo që shprehet skeptik nëse SHBA mund të qëndrojë duarkryq në raport me Kosovën.
“Deklarata e ekspertit amerikan për rajonin, Daniel Serwer, mund të jetë e qëndrueshme, pasi ai mund të ketë informacion të vlefshëm për çështjen e Kosovës, por përsëri, gjykoj se SHBA-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq në raport me Kosovën.
SHBA-ja ka investuar shumë në rastin e Kosovës dhe, potencialisht, nuk mund ta lërë çështjen e Kosovës vetëm në duar të BE-së”, thotë ai.

Në fund, analisti thekson që Trump mund të mos ketë interes për çështjen e Kosovës, por politikat strategjike amerikane nuk lejojnë ndërhyrje që të devijojnë nga rruga drejt qëllimit.
“Politika amerikane nuk mund të reduktohet vetëm te presidenti Trump, pasi demokracia amerikane ka mekanizma kontrolli dhe i gjithë pushteti nuk mund të përqendrohet në duar të një njeriu. Trump mund të mos ketë interes për çështjen e Kosovës, por politikat strategjike amerikane nuk lejojnë ndërhyrje që të devijojnë nga rruga drejt qëllimit”, përfundoi analisti Ahmeti për “Bota sot”.