Kërkesa për formimin e Komunës boshnjake, analistët komentojnë ‘kushtin’ e Duda Balje

Politika

Kërkesa për formimin e Komunës boshnjake, analistët komentojnë ‘kushtin’ e Duda Balje

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 mars 2025 Në ora: 08:04
Kryetarja e Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje

Kryetarja e Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka bërë të ditur se deri më tani nuk është takuar me asnjë parti politike lidhur me formimin e qeverisë as me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, Balje është shprehur se kushti i saj për të qenë pjesë e një qeverie me cilindo kryeministër është formimin i Komunës boshnjake.

“Po presim certifikimin e rezultatit. Do ta votojë atë kryeministër që plotëson kushtet tona. Këto kushte lidhen me nevojat për komunitetin boshnjak. Jo vetëm për kryeministrin aktual, por edhe për këto tjetër ne kemi kushtet që janë shumë të rëndësishme për ne.

Për 20 vite asnjë kryeministër nuk i ka marrë seriozisht këto çështje por për neve ato janë shumë të rëndësishme dhe me prioritet. Ndër më kryesorja është formimi i komunës së boshnjakëve (Komuna e Zhupës), e disa reforma në arsim”, ka deklaruar Duda Balje.

Kërkesë e çuditshme

Por kjo kërkesë e Dude Baljes po shihet e çuditshme nga analistët politikë. Së paku, kështu thotë Blerim Burjani, analist dhe njohës i proceseve zgjedhore.

“Vendosja e kushtit nga Dude Balje është e çuditshme, por kur të merret parasysh se në Kosovë ka komuna serbe dhe turke, tash edhe ky komunitet e ka një kërkesë të tillë, themelimi i komunave etnike nuk ka pas nevoje të ketë në vend, por tash është e një kohë është realitet se ka komunë të themeluara në baza etnike andaj mund të ketë në të ardhmen edhe kërkesa tjera të ngjashme. Paramendoni të themelohet asociacioni i komunave serbe, ku e çon shtetin e Kosovës, pra nëse ndodhë asociacioni i komunave serbe, nuk përjashtohet që edhe komuna tjera etnike të kerkojnë riorganizim të themelimit të asociacioneve tjera”, thekson Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Kurti nuk duhet të humbë kohë shumë dhe duhet të jetë më aktiv për formimin e qeverisë.

“Pa certifikim te rezultateve zgjedhore, s’ka edhe për çka, pas certifikimit të zgjedhjeve dhe kur presidentja e fton partin fitues për të dhënë kandidatin për kryeministër fillon afati kushtetues 15 ditë, VV mund të jetë komode vetëm deri sa presidentja mos ta ftojë partinë fituese për të dhënë një mandatar”, shprehet Blerim Burjani.

Kërkesat e minoriteteve

Kurse, analisti Nexhat Haziri nënvizon se polarizimi i skenës politike në Kosovë, ka bërë që minoritet të rrisin oreksin e tyre.

“Polarizimi i skajshëm ndërmjet subjekteve politike shqiptare, polarizim për të cilin ka kontribuar kryeministri në detyrë, Kurti, por edhe rezultati i zgjedhjeve dhe betonimi i partive si PDK, LDK dhe AAK, se nuk bëjnë koalicion me LVV-në si parti e parë, ka ngritur orekse të partitë e minoriteteve për të ngritur pazarin e tyre me kërkesa nga më të çuditshmet dhe më jonormale, gjoja në emër të të drejtave të tyre”, deklaron Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Haziri e quan të panevojshme kërkesën e Dude Baljes.

“E tillë është edhe kërkesa e Duda Balje për formimin e një komune boshnjake, e cila është kërkesë e panevojshme dhe do të ishte një komunë politike që nuk përkon me asnjë kriter, qoftë nëse kjo komunë do të mund ta mbajë veten në çështje administrative dhe financiare, pasi edhe për pagesë të shërbimeve komunale dhe të tjera, duhet të intervenohej nga buxheti i shtetit”, shton analisti Haziri.

“Në fund unë nuk do të dua që këtë kërkesë ta lidhë me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por mbetëm në atë që është një kërkesë e panevojshme, dhe që Kosova nuk ka pse të formojë komuna të reja politike me baze etnike”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat