Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përpiluar nga Bashkimi Europian, “nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, as me normat dhe vlerat e BE-së dhe të Këshillit të Europës dhe as nuk është në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Asociacionin”.
Këtë e ka deklaruar Presidentja Osmani kur u pyet në lidhje me takimin që ka mbajtur me emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen dhe vërejtjet për këtë draft-Statut.
Mirëpo, pse Bashimi Evropian po kërkon një draftstatus të tillë? Kujt po i konvenon ky status për Asociacionin?
Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e ҫështjeve politike.
Kështu, Skender Zogaj thekson se, Kosova është vonuar në përmbushjen e obligimeve që i ka marrë prandaj, kjo ka target, sepse BE-ja nuk është shoqatë humanitare por është forum politoko-diplomatik që merr vendime në saje të marrëveshjeve që arrihen ndërmjet palëve që kanë probleme të caktuara mes vetes.
Zogaj: Kundërshtimin e Draftsatutit të BE-së nuk e ka bë kot por, në saje të rolit të saj nga kompetenca që ka dhe në bazë të njohurive që Vjosa i ka për Kushtetutën dhe vlerat evropiane

“BE është ndërmjetësuese e dialogut Kosovë Serbi dhe njëfarë garantuesje e marrëveshjeve që arrihen! Nëse marrëveshjet nuk realizohen dhe hetohen përpjekje për neglizhimin e tyre, BE aplikon tagrin ndaj palëve mosrespektuese! Kjo po ndodh me Kosovën dhe, sa po shihet BE- ja e ka ndërmend të jetë ndëshkuese”, thekson Zogaj.
Ai thotë ndër të tjera se, Presidentja Vjosa Osmani është njohëse e mirë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e fuqisë diplomatike, prandaj i besoj vlerësimeve dhe reagimeve të saj.
“Mendoj se kundërshtimin e Draftsatutit të BE-së nuk e ka bë kot por, në saje të rolit të saj nga kompetenca që ka dhe në bazë të njohurive që Vjosa i ka për Kushtetutën dhe vlerat evropiane! Për hirë të së vërtetës, më duhet të them se, roli i Presidentes është shumë funksional dhe jam i bindur se, janë meritë e saj disponimet prokosovare të faktorit ndërkombëtar që Kosova vazhdon të miklohet dhe të tolerohet edhe kur bën gabime! Rreth asociacionit Kosova duhet të veproj dhe ta përcaktojë qëndrimin, sepse zhagitja nuk na konvenon, biles na kushton gjithënjë e më shumë”, vlerëson analisti Zogaj për ‘Bota sot’.
Berisha: BE-ja mendon se një Asociacion do ta qetësonte këtë situatë, ndonëse përvoja tregon të kundërtën

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe profesori universitar, Fejzulla Berisha.
Ai thotë se, draftstatuti i propozuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS) ka krijuar një situatë të ndërlikuar politike dhe juridike në Kosovë.
Ndërsa, Serbia dhe disa aktorë ndërkombëtarë e konsiderojnë atë si një kompromis të nevojshëm për stabilitetin rajonal, Presidentja Vjosa Osmani dhe institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se ky draft bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat evropiane.
‘Bashkimi Evropian e ka propozuar këtë draftstatut për të shtyrë përpara dialogun Kosovë-Serbi dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023. Disa nga arsyet kryesore pse BE-ja po e promovon këtë draft janë: Ruajtja e stabilitetit në Ballkan – BE-ja synon të shmangë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë duke krijuar mekanizma që do të integrojnë serbët e Kosovës në sistemin institucional të vendit; Kompromis për të kënaqur Serbinë – Serbia vazhdon të kushtëzojë çdo progres në dialog me krijimin e Asociacionit, duke e përdorur këtë çështje si kartë politike për të mos njohur Kosovën; Presioni mbi Kosovën për të zbatuar marrëveshjet – Kosova është më e ekspozuar ndaj trysnisë ndërkombëtare, ndaj BE-ja e sheh si më të lehtë të ushtrojë presion mbi të; Frika nga destabilizimi i veriut të Kosovës – Incidentet e dhunshme, si sulmi i grupit të armatosur serb në Banjskë më 24 shtator 2023, tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme. BE-ja mendon se një Asociacion do ta qetësonte këtë situatë, ndonëse përvoja tregon të kundërtën”, thotë profesor Berisha.
Ai thekson se, strukturat paralele në veri të Kosovës, një Asociacion me kompetenca ekzekutive do t’u siguronte atyre një bazë legale për të vepruar jashtë sistemit të Kosovës.
“BE-ja dhe disa shtete anëtare – BE-ja do të mund të pretendonte një sukses diplomatik, ndërsa vende si Franca dhe Gjermania kërkojnë një kompromis që shmang konfliktin e ngrirë në rajon. Krijimi i një entiteti të tillë do të dëmtonte funksionalitetin e institucioneve të Kosovës dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për ndarjen etnike”, thotë ai.
Profesor Berisha përmend edhe disa raste konkrete që tregojnë rrezikun e Asociacionit.
“Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë – Ky entitet autonom, i krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit, ka minuar funksionalitetin e shtetit të Bosnjës dhe ka rrezikuar stabilitetin rajonal për dekada. Krimea në Ukrainë (para aneksimit rus) – Statusi i saj autonom u përdor nga Rusia si pretekst për ndërhyrje dhe aneksim. Një skenar i ngjashëm mund të ndodhë në Kosovë me ndërhyrjen e Serbisë. Transnistria në Moldavi – Një rajon separatist i mbështetur nga Rusia që funksionon si një shtet de facto brenda Moldavisë. Një Asociacion i ngjashëm në Kosovë do të krijonte kushte të përafërta për ndarje de facto”, tha ai.
Tutje, ai thotë se draftstatuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në formën e propozuar nga BE-ja, paraqet një rrezik serioz për sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës.
“Ai krijon një entitet autonom të ngjashëm me Republika Srpska, duke e bërë Kosovën një shtet të brishtë dhe të paaftë për të ushtruar autoritetin e saj në të gjithë territorin. Për këtë arsye, Kosova duhet të insistojë në një zgjidhje që respekton Kushtetutën dhe vlerat evropiane, duke shmangur krijimin e një mekanizmi që mund të çojë në ndarje etnike dhe destabilizim afatgjatë”, thekson profesor Berisha për “Bota sot”.