Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por “ai nuk mund të anulohet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.
Me këtë vlerësim pajtohet edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili thotë se mund të lindin probleme sa i përket formimit të Asociacionit, nëse “një draft-statut jokushtetues i dërgohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.
Ai thotë se nuk duhet të pranohet asnjë draft nëse prek Kushtetutën dhe funskionimin e shtetit unitar.

“Varet nga konteksti në të cilin trajtohet, politikisht apo juridikisht, Asociacioni. Edhe nëse ai krijohet, është një çështje e Kosovës dhe është ekskluzivisht çështje e shtetit të Kosovës. Asnjë draft apo asociacion nuk mund të jetë antikushtetues. Shteti i Kosovës, në kuptimin ligjor, duhet ta rishikojë këtë draft nga aspekti ligjor dhe kushtetues. Nëse ai prek Kushtetutën dhe funksionimin e shtetit unitar, nuk mund të pranohet asnjë draft, pa marrë parasysh nga kush vjen. Drafti evropian mund të jetë një shërbim i mirë apo ndihmesë, por kjo e detyron Kosovën të mos e rishikojë pa e kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe pa u verifikuar juridikisht. Ky është një pikë, dhe nuk ka diskutim. Pra, këtu mbyllet çështja”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që politika dhe opinionet janë të lira, por veprimet politike në këtë drejtim duhet të jenë, së pari, kushtetuese, dhe më pas mund të diskutohet më tutje.
“Sa i përket deklaratave politike që janë bërë, ato janë thjesht të natyrës politike. Çështja nëse mund të ndryshohet ose jo është një çështje politike, por jo juridike, kushtetuese apo në lidhje me instrumentet e tjera ligjore. Asnjë draft nuk do të kalojë pa pasur një bazë kushtetuese. Deklaratat që janë bërë janë thjesht politike, dhe disa prej tyre janë anti-kushtetuese ose interpretime të lira. Politika dhe opinionet janë të lira, por veprimet politike në këtë drejtim duhet të jenë, së pari, kushtetuese, dhe më pas mund të diskutohet më tutje”, foli analisti.
Duke vazhduar bisedën më tej, analisti potencon janë instancat shtetërore ato që i japin kahje këtij dokumenti evropian.
“Çdo Asociacion që pranohet dhe është antikushtetues ka pasoja për rendin kushtetues dhe organizimin e shtetit. Nuk është fjala për anulim, por për ndryshim që mund të bëhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese për çdo dokument antikushtetues. Edhe ky dokument do t’i nënshtrohet ekspertizës nga Gjykata Kushtetuese. Deklaratat e këtij lloji janë dëshira dhe interpretime politike, ndonjëherë individuale dhe të ndikuara nga frika. Pra, Enveri ka deklaruar nga frika se, nëse Kosova vazhdon të rezistojë, mund të ketë probleme në procesin e integrimit. Kjo deklaratë, sipas meje, është thjesht një interpretim politik, madje natyrisht individual. Janë instancat shtetërore ato që i japin kahje këtij dokumenti evropian, i cili është kundërkushtetues dhe asnjëherë ky dokument, si i tillë, nuk do të miratohet nga institucionet vendore pa marrë një qëndrim interpretues nga Gjykata, dhe më pas nga Qeveria e shtetit të Kosovës. Si dokument i tillë, gjasat janë zero që të kalojë në këtë kontekst politik që mbizotëron në Kosovë”, foli juristi.
Në fund, ai përmend partitë të cilat janë kundër këtij drafti evropian mirëpo që SHBA dhe BE janë në pajtim që drafti të rishikohet nga Gjykata Kushtetuse.
“Për momentin, janë deklaruar kundër draftit evropian: PDK, LDK, AAK dhe VV. Pra, nuk ka asnjë mbështetje pozitive nga partitë politike. Për ta theksuar këtë, SHBA dhe BE janë gjithmonë të pajtimit që drafti të rishikohet nga Gjykata Kushtetuese. Pra, kjo është e qartë për të gjithë”, përfundoi juristi Burjani për “Bota sot”.