Aleanca ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar në Tiranë, është vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, në një prononcim për “Bota Sot”, ka folur për aleancën ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë
“Në kuadër të rrethanave të reja gjeopolitike dhe rritjes së rrezikut të sigurisë në Evropën Juglindore, gjegjësisht në Ballkanin Perëndimor, ministrat e mbrojtjes të tre vendeve – Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruan në Tiranë një marrëveshje të mbrojtjes që forcon bashkëpunimin trepalësh dhe forcon aleancën e këtyre vendeve, duke pasur parasysh se janë jashtëzakonisht të interesuar për stabilitetin dhe sigurinë në atë pjesë të Evropës, veçanërisht në Kosovë.

Marrëveshja rrit bashkëpunimin ushtarak, operacionet e përbashkëta dhe trajnimin midis forcave të tyre. Është e hapur mundësia që shtetet e tjera anëtare të aderojnë në këtë marrëveshje. Deklarata e përbashkët trepalëshe thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të kërcënojnë stabilitetin rajonal”, ka thënë Shabani.
Tutje, ai ka komentuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu .
“Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë tha se vendet e tjera janë të interesuara për t'u bashkuar me aleancën e tyre dhe se bashkëpunimi në siguri me qëllim të arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, do thellohet dhe se kjo konsiderohet një mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, ka potencuar ai.
Sipas tij, Serbia vazhdon të sfidojë partneritetet ndërkombëtare të mbrojtjes.
“Mirëpo, vendi i vetëm në rajon që e kundërshton këtë aleancë është Serbia, e cila e ka quajtur provokim të hapur duke e përshkruar aleancën si një "strategji që synon izolimin e Serbisë". Madje shkon edhe më tej, se Shqipëria është dashur të konsultohet paraprakisht me Beogradin zyrtar.
Ky pakt trilateral mund ta shtojë frikën te qeveria serbe, pasi Serbia vazhdon të sfidojë partneritetet ndërkombëtare të mbrojtjes së Kosovës, por Shqipëria dhe Kroacia shtyjnë për bashkëpunim më të ngushtë ushtarak brenda rajonit dhe se zhvillimet e tilla janë dëshmi e parandalimit të konfliktit të pandërprerë qoftë diplomatik apo ushtarak nga Serbia në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar Shabani.