“Vetëm koalicionet e fuqishme e plotësojnë Kosovën”, Bekteshi thirrje partive politike – flet edhe për “vijat e kuqe”

Politika

“Vetëm koalicionet e fuqishme e plotësojnë Kosovën”, Bekteshi thirrje partive politike – flet edhe për “vijat e kuqe”

Nga: A.M. Më: 24 mars 2025 Në ora: 10:01
Kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK

Veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli në lidhje me formimin e qeverisë së rë të Kosovës, pas zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit.

Së pari, potencoi se partitë s’duhet të veprojnë sipas interesave politike dhe nuk duhet t’i harrojnë obligimet kombëtare në këto momente dramatike.

Megjithatë, tha se janë mjaft të shprehura inatet, interesat partiake që spostohen para interesit shtetëror.

“Vetëm koalicionet e fuqishme e plotësojnë Kosovën.

Koalicionet janë e drejtë e partive që të veprojnë sipas interesave të tyre politike, por partitë kurrë s’duhet t’i harrojnë as obligimet kombëtare në këto momente dramatike ku mund të rrezikojnë funksionimin e shtetit. Tani haptazi janë evidente inatet, interesat partiake që spostohen para interesit shtetëror. Opozita, me fanatizëm e mbron premtimin se s’do të ketë koalicion me LVV-në, duke vënë vija të kuqe. E vijat e kuqe duhet përdorur kundër hasmit e jo ndaj vëllait. Andaj, opozita kaotike, edhe pse humbëse e madhe vazhdon të mbroj qëndrime të palakueshme, sepse me numrat që posedojnë ata vetëm se mund të krijohet një qeveri e brishte e jofunksionale me ditë të numëruara”.

Image
Veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi

Po ashtu, Bekteshi potencoi faktin se partia fituese LVV mund të formojë qeverinë me pakicat, por që do ishte një qevri e brishtë.

Për këtë, ai vlerësoi se do duhej një koalicion më i gjerë, e që një i tillë mes LVV dhe LDK-së do ishte në interes kombëtar.

Mirëpo, në këtë pikë përmendi edhe përçarjet brenda LDK-së, derisa tha se kjo e fundit duhet të ketë kujdes nëse vendos që të bashkëpunojë me PDK-në, njëjtë si në të kaluarën.

“Fituesja, LVV me partnerët do të mund të krijoj një qeveri me pakicat por edhe ajo do të ishte e brishtë sidomos para një presoni të frikshëm ndërkombëtar dhe s’do të ishte e aftë të shtyj punë të mëdha që e presin. Do të ishte në interesin kombëtar sikur VV dhe LDK-ja apo PDK-ja të gjenin një kompromis për hir të rëndësisë jetike dhe interesave shtetërore. Por, LDK-ja ndodhet edhe para një çarje tjetër të panevojshme në këto momente dramatike për shtetin. LDK-ja sot duhet ta tejkaloj vetveten, të mendoj për stabilitet të vetvetes e të shtetit më shumë se me kënd do ta ndaj kulaçin, apo si e treta të kërkoj kryeministrin. LDK-ja nëse edhe kësaj radhe vendos të jetë patericë e PDK-së, le ta ndërroj akronimin e saj në LPDK, e që do të ishte dhe fundi i saj politik.

Lind pyetja, a ka vullnet në LDK/PDK që ta ndryshojnë diskursin politik dhe qasjen ndaj shtetit. Kjo për momentin është e paarritshme kur dihet se këta dy parti ende s’janë distancuar nga gabimet fatale të së kaluarës por kanë mbetë në pozita të njëjta. Ashtu si janë, gjeneroz me ndërkombëtarët, mund ta kthejnë veriun e vendit në gjendjen paraprake dhe s’ka shenja se do të rezistojnë ndaj kompetencave agresive të Zajednices që e aprovuan vetë”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, veprimtari nga SHBA kritioi partitë opozitare dhe skenarët që po i përgatisin në disa TV studio të caktuara.

“Forca momentale e opozitës është aq sa t’ia ‘shpoj’ gomat qeverisë Kurti, t’i nxis veteranët për ndonjë protestë, megjithëse, ata s’gëzojnë autoritet për shkak të shkeljeve të turpshme me veteranë fiktiv, apo do të tentojnë t’i manipulojnë sindikatat duke e dëmtuar arsimin padrejtësisht me obstruksione për greva duke humbur orë të vlefshme të mësimit. Mjerimi më i madh i partive opozitare është se vendimet e mëdha për shtetin dhe skenarët dhe planet e PDK-së, LDK-së, AAK-së sajohen në TV studio në kor nga analistë tendencioz e interesxhinjë, derisa, në prapaskenë pranë u qëndrojnë “vlladikët”; Batoni, Buzhala, kryeministri Rama, oligarket dhe mentorë të padukshëm nga brenda e jashtë”.

Tutje, Bekteshi tha se koalicioni LVV-LDK do ishte shpëtim për Kosovë, derisa një koalicion PDK-LDK-AAK do ishte fatal për vendin.

“Vetëm një koalicion i gjerë p.sh. LVV/LDK do ta shpëtonte Kosovën nga Zajednica e frikshme që cenon kushtetutën, që s’do të duhej më të kishte hapësirë pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, Bosnje e në Serbi. Një koalicion i fuqishëm do ta përmirësonte pozitën e Kosovës karshi ndërkombëtareve, nuk do të mendohej për zgjedhje të reja dhe do të pamundësohej grusht shteti ashtu si ndodhi në të kaluarën.

Do të ishte fatale për Kosovën që një koalicion i paqëndrueshëm dhe humbës si PDK, LDK, AAK me shifra sikleti ta udhëheqin shtetin gjatë sfidave të reja, kur këta janë të njohur që pos plaçkës i shkatuan shtetit plagë dhe tradhti kombëtare me dy demarkacionet fatale, me Zajednicën dhe me futjen e gërshërëve në harta, që askush nga këto parti as sot e kësaj dite nuk distancohet nga vendimet e tilla ogurzeza për vendin, derisa, përgjegjësit për vendimet fatale kanë mbetur të pandëshkuar”, theksoi veprimtari shqiptar.

Gjithashtu, ai vlerësoi ndër të tjera se në këto momente dramatike nuk i nevojitet as pozitës as opozitës që t’i venë njeri-tjetrit vija të kuqe.

“Zaten, opozita e sotme edhe pa pushtet ia kishte premtuar Zajednicën, Borrelit, Lajçakut, Escobarit, që sot fatmirësisht asnjëri më s’është në funksion, por që politikanët tanë janë joshur por edhe vullnetarisht kanë trokitur në zyrat e kancelarive të BE-së e SHBA-së për të qenë në shërbim të tyre.

As LVV me partnerë nuk e kanë luksin që të krijojnë koalicion të zorit me pakicat njësoj si opozita. Në këto momente dramatike nuk i nevojitet as pozitës as opozitës që t’i venë njeri-tjetrit vija të kuqe. A do të ketë fuqi LDK-ja që të shpëtoj vetveten nga përçarja e radhës dhe ta ndihmoj Kosovën si në të kaluarën, apo, inatet e Dullës dhe ‘fluturimet’ euforike të sa-Kicës me pushtet të pakufishëm do t’i dëmtojnë të dyja”.

Në fund, veprimtari shtoi se vendi ka nevojë për qeveri të qëndrueshme, që nuk do lejonte cenimin e sovranitetit.

“Sot, Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme me numra, një qeveri e reformuar që u përshtatet realiteteve të reja në BE e SHBA, një qeveri që cenimin e sovranitetit nuk do ta lejonte me asnjë “shpërblim” eventual që mund t’i premtohej. Kosova meriton më shumë se kaq sa ofrojnë momentalisht partitë politike dhe qasjet e reja do të duhej të ishin imperativ dhe obligative. Vetëm humbësit s’kanë legjitimitet të udhëheqin shtetin me numra sikleti, por as fituesi s’do të duhej ta lejonte një gjë tillë. Interesi shtetëror lyp qeveri të fuqishme, dhe derisa Kosova është në objektiv ndërkombëtar, mbetet të shihet sa janë pjek politikanët tanë dhe më në fund shteti ynë”, përmbylli Ramzan Bekteshi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat