“Nuk ka arsye për kompromis”/ Analistët komentojnë deklaratën që Bosch bëri për Asociacionin

Politika

“Nuk ka arsye për kompromis”/ Analistët komentojnë deklaratën që Bosch bëri për Asociacionin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 mars 2025 Në ora: 12:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër çështjet më problematike në dialogun me Serbinë.

Një marrëveshje është arritur në vitin 2013, ndërkaq dy vjet më vonë është arritur marrëveshja tjetër për parimet e asociacionit. Marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë.

Sipas Kosovës, një asociacion i tillë njëetnik do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Mirëpo, për Asociacionin janë hartuar edhe drafte.

E së fundmi në lidhje me këtë çështje ka folur ish-ambasdori holandez në Kosovë, Rober Bosch.

Ai tha se nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë, ai tha se është e çuditshme që t’i kërkohet Kosovës të bëjë hapa, ndërkohë që Serbia nuk zbaton marrëveshjet.

“Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin. Së pari, Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë ‘nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë’. Por aktualisht është çështja e tillë që duhet të bëni diçka së pari dhe të shpresoni që pala tjetër mund të bëjë gjithashtu diçka, gjë që është e çuditshme”, thotë ai.

E duke u bazuar në këtë deklaratë, a mund të kemi tërheqje nga Serbia për Asociacionin nëse e njëjta kushtëzohet nga ndërkombëtarët?

Haziri: Marrëveshja është shndërruar në një nga kushtet si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se deklarata e Bosch nuk mund të ketë ndikim për Brukselin, pasi nëse largohet çështja e Asociacionit, atëhere bie e gjithë marrëveshja, gjë që nuk pranon as Brukseli dhe as ndonjë shtet tjetër vendimarrës.

“Robert Bosch tani është një diplomat i pensionuar dhe deklaratat e tij janë tërheqëse për shtypin, por jo edhe për qendrat e vendosjes, në këtë rast për Brukselin. Nuk ka pritje që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të largohet nga marrëveshja e Brukselit dhe sekuencimi i saj në Ohër, për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia. Çfarëdo pike që largohet nga kjo marrëveshje do të thotë se bie e tërë marrëveshja, dhe për këtë nuk ka disponim në Bruksel, as në ndonjë shtet me peshë në vendimmarrjen brenda bllokut”, u shpreh ai.

Më tej, analisti përmendi administratën e Trumpit e cila nuk është deklaruar qartë për këtë marrëveshje, mirëpo nga Brukseli kërkohet zbatim i saj.

“Është e vërtetë që ende administrata e presidentit Trump nuk është shprehur qartë për këtë marrëveshje, por në Bruksel ka një konsensus që kjo marrëveshje duhet zbatuar nga të dyja palët, pra nga Kosova dhe Serbia. Madje, marrëveshja është shndërruar në një nga kushtet si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën në aspiratën e të dy vendeve për anëtarësim në BE”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, ai tha që Asociacioni është i lidhur me sanksionet e vendosura nga BE ndaj Kosovës, e cila nëse nuk merr ndonjë hapë konkret ato do të qëndrojnë ende.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është ende në tavolinë, dhe çdo qeveri, përfshirë edhe atë që pritet të formohet, do të ketë presion për fillimin e zbatimit. Mosmarrja e asnjë hapi drejt përmbushjes së këtij obligimi lidhet gjithashtu me mungesën e iniciativës nga ana e Brukselit që Kosovës t’i hiqen sanksionet e vendosura. Nga ana tjetër, edhe Serbia nuk mund të bëjë përparim drejt anëtarësimit në BE pa fillimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Kosovën”, foli analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Hertica: Ajo që mbetet e paqartë është se sa gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare do të jetë kjo marrëveshje

Kurse, analisti tjetër politik, Ali Hertica në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, deklarata e Bosch që Kosova të formojë Asociaiconin në përputhje me Kushtetutën është e drejtë dhe nuk duhet të mendohet për serbët nëse janë apo jo të kënaqur.

“Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin. Së pari, Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë: “Nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë.” Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është një ndër çështjet më problematike në dialogun me Serbinë. Në lidhje me Asociacionin, deklarata e ambasadorit holandez Bosch ka theksuar se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me Kushtetutën e Republikës. Kështu që Kosova nuk duhet të shqetësohet fare nëse serbët janë të kënaqur me atë që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese, sepse kjo është një çështje që i përket Beogradit”, theksoi ai.

Më tej, analisti shprehet skeptik nëse marrëveshja gjithpërfshirëse nuk do të dëmtoj Kosovën dhe se prekja e kufijve do të sillte një kthim të gjendjes në Luginën e Preshevës, e cila ishte administrativisht ndarë nga Kosova në vitin 1945 nga komunistët jugosllavë.

“Marrëveshja për Asociacionin (të Komunave me Shumicë Serbe) është dhe do të mbetet problemi më i madh për Republikën e Kosovës. Kompromisi eventual ndaj kërkesave të Serbisë, përveç Asociacionit, do ta bënte Kosovën një shtet të brishtë, të cenueshëm dhe të lëndueshëm ndaj çdo veprimi dhe vullneti të Serbisë. Ne duhet të ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat dhe komunitetet joshumicë në Kosovë.

Ndërsa hyjmë në një fazë të pasqaruar të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, opsionet e kompromisit nga këndvështrimi i Kosovës janë të vështira. Është e qartë se ka një vullnet të ri nga ana e Bashkimit Evropian, kryesisht nga Gjermania, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis palëve. Ajo që mbetet e paqartë është se sa gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare do të jetë kjo marrëveshje. Gjermania tani, së bashku me Francën, ka marrë drejtimin për një qasje të re në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Në përputhje me rrethanat, ne e shikojmë me vëmendje këtë për të parë se cila do të jetë zgjidhja e kompromisit që ata do të shtyjnë. Bazuar në ato që kemi dëgjuar, kjo do të përqendrohet në ripaketimin e propozimit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Prekja e kufijve do të sillte një kthim të gjendjes në Luginën e Preshevës, e cila ishte administrativisht ndarë nga Kosova në vitin 1945 nga komunistët jugosllavë, në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviqin dhe Zubin Potokun, në vitin 1956. Këto komuna në atë kohë kishin popullsi shumicë sllave, dhe qëllimi i kësaj ndarje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tyre, si në aspektin politik, ashtu edhe nacional”, përfundoi analisti Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat