Ditë më parë në Tiranë u nënshkrua aleanca ushtarake në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Në Deklaratën që u nënshkrua më 18 mars, bëhet e ditur se kjo aleancë ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike.
Në deklaratën e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, janë identifikuar 4 pika, nga investimi tek bashkëpunimi për blerjen e kapaciteteve mbrojtëse, shkëmbim të informacioneve të inteligjencës për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet përkatëse.
E këtë aleancë po e sheh të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen rajonale eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
"Kjo aleancë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes rajonale. Duke pasur parasysh që Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, kjo marrëveshje i hap Kosovës mundësi më të mëdha për të përfituar nga përvoja, kapacitetet dhe standardet e aleancës së Atlantikut të Veriut", shprehet Shala.

Më tej, Shala tregon edhe arsyet pse një bashkëpunim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën.
"Zhvillimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) – Partneriteti me dy vende të NATO-s mund të ndihmojë në modernizimin dhe aftësimin e mëtejshëm të FSK-së, duke e bërë atë më të gatshme për sfida të ndryshme të sigurisë. Rritja e stabilitetit rajonal – Një bashkëpunim më i ngushtë në fushën e mbrojtjes me dy vende fqinje rrit ndjenjën e sigurisë për Kosovën dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan. Përmirësimi i perspektivës euro-atlantike – Kosova synon integrimin në strukturat euro-atlantike, dhe marrëdhëniet e ngushta me dy vende anëtare të NATO-s e afrojnë atë më shumë me këtë objektiv", thekson eksperti Shala.
Ai thotë se kjo aleancë nuk është një provokim për Serbinë, ashtu siç janë shprehur nga Beogradi.
"Reagimet e Serbisë janë të pritshme, pasi çdo bashkëpunim i Kosovës me vende të NATO-s është parë tradicionalisht me skepticizëm në Beograd. Megjithatë, kjo nuk duhet të shihet si një provokim, por si një hap i natyrshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në një kontekst më të gjerë, një aleancë e tillë është në përputhje me interesat strategjike të NATO-s në rajon dhe përmirëson kapacitetet e mbrojtjes kolektive", shpejton Shala.
Pas kësaj aleance, Shala thekson se hapi tjetër do të jetë anëtarësimi i Kosovës në aleancën e NATO-s, gjë që sipas tij ndodhë në vitin 2028.
"Kosova në rrugën e saj drejt NATO do të behet pas 2028 ku të përmbyllet plani gjithëpërfshirës i transformimit FSK në FAK. Dhe këto marrëveshje janë profitabil për stabilitet", përfundon eksperti Drizan Shala për "Bota sot".