Kosova ka mbetur peng i rezultateve të reja zgjedhore. Gati dy muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe ende nuk kemi rezultatet përfundimtare, e kësisoj as institucionet e reja.
Kosova aktualisht po qeveriset nga Qeveria Kurti, parti e cila fitoi sërish zgjedhjet e fundit. Mirëpo, mbetet të shihet se me kë do të bashkëqeverisë kjo parti në mandatin e ardhshëm.
Derisa është fokusuar tek krijimi i qeverisë së re, Kosova është në pritje për t'u integruar edhe në shumë procese ndërkombëtare shumë të rëndësishme.
Në situatën në të cilën ndodhet vendi ynë, a po ngec mbrapa në fusha të integrimit ndërkombëtar? A cenohet siguria në këtë rast, kur dihet botërisht se Serbia i shfrytëzon rastet e tilla?
Për këtë çështje kanë folur ekspertë dhe njohës të fushës së sigurisë. Kështu, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, ka thënë se procesi i formimit të institucioneve të reja në Kosovë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rrugëtimin e saj drejt integrimit ndërkombëtar.
Gecaj: Mungesa e institucioneve funksionale ndikon negativisht në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.
“Vonesat në krijimin e qeverisë dhe konsolidimin e Kuvendit mund të pengojnë zbatimin e reformave të nevojshme për avancimin në proceset integruese, siç është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA). Mungesa e institucioneve funksionale ndikon negativisht në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe në imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare,” vlerëson Gecaj.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë, ai thotë se periudhat e tranzicionit institucional mund të krijojnë vakum që mund të shfrytëzohen nga faktorë destabilizues.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë dhe janë të tensionuara. Incidente të ndryshme kanë ndodhur në të kaluarën, veçanërisht në veriun e Kosovës. Në vitin 2024, për shembull, janë raportuar incidente të dhunshme dhe sulme ndaj infrastrukturës kritike, duke ngritur shqetësime për stabilitetin rajonal,” vlerëson eksperti Gecaj.
Sipas tij, është thelbësore që procesi i formimit të institucioneve të reja të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë efikase, për të siguruar funksionimin e duhur të shtetit, avancimin në proceset integruese dhe ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend.
Berisha: Është imediate që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë sa më parë
Po ashtu, edhe eksperti tjetër i sigurisë, Fidair Berisha, duke folur për këtë situatë, thotë se qytetarët e Kosovës, me 9 shkurt, kanë shprehur vullnetin e tyre për katër vitet e ardhshme, ndërsa rezultatet evidente nga zgjedhjet e mbajtura reflektojnë dëshirat e tyre për qeverisjen e ardhshme.
Tani më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për institucione të forta, sepse ka një mori sfidash të cilat nuk presin shumë kohë për tu zgjidhur.
“Ndërsa pritet konstituimi i institucioneve të reja, është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkëpunojnë për të arritur një qeverisje që e meriton Kosova. Pra, vetëm përmes dialogut të sinqertë dhe konsensusit, vendi ynë mund të ecë përpara në të gjitha drejtimet. Dëshira e të gjithëve neve është që të shohim sa më parë Kuvendin e konstituar dhe një Qeveri funksionale e të qëndrueshme për zhvillim dhe stabilitet të vendit. Megjithatë, kësaj radhe si duket formimi i qeverisë nuk do të jetë i lehtë. Nga ajo që shihet, të gjitha partitë pa dallim po e zvarrisin procesin e koalicionit me qëllim që të formojnë koalicion të qëndrueshëm, me mundësi për të përmbyllur mandatin katërvjeçar të qeverisjes,” thotë ai.
Eksperti Berisha thotë se, për fat të keq, Kosova ende është nën masa të BE-së, vendim ky puro politik, masa këto të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kundërshtim të plotë me përkushtimin dhe të arriturat e dëshmuara të Kosovës ndaj vlerave evropiane, si dhe me përshtatjen dhe plotësimin e kushteve nga politikat e BE-së.
“Është imediate që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë sa më parë, me qëllim që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE, sepse Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim. E ardhmja e Kosovës është në BE, mirëpo momentalisht ajo gjendet në zonën gri, andaj është interes i dyanshëm që Kosova të integrohet në BE dhe të hiqet nga zona ku gjendet (zona gri). Problemi kryesor pse Kosova nuk mund të integrohet në BE, është gjendja e marrëdhënieve jo të mira me Serbinë, andaj e vetmja mënyrë për Kosovën për të ecur përpara në rrugën e saj evropiane krahas shteteve tjera të rajonit, janë bisedimet dhe normalizimi i marrëdhënieve ndër shtetërore Kosovë-Serbi,” vlerëson Berisha.
Mirëpo, në këtë situatë që ndodhet, a cenohet siguria e Kosovës, kur dihet botërisht se serbët shfrytëzojnë raste të tilla?
Eksperti Berisha thotë se tani duhet parë me kujdes zhvillimet gjeopolitike në nivel botëror, së fundmi ka luhatje dhe diskutime brenda BE-së, SHBA-së dhe NATO-s, andaj duhet llogaritur se siguria në Kosovë mund të cenohet, veçanërisht nga Serbia, e cila ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës, njëkohësisht ajo vazhdon ta forcojë ushtrinë me armë moderne, si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.
“Përveç kësaj, Serbia në vazhdimësi po bën përpjekje të dëmtojë Kosovën në rrafshin diplomatik, gjë që shihet se kohëve të fundit, përveç sulmeve terroriste tashmë të njohura, ajo vazhdon me diplomacinë dhe lobin e saj serb në shumë vende të botës për të paraqitur Kosovën si destruktive në marrëveshjet ndërmjet dy vendeve. Çfarëdo krize politike e ndodhur në Republikën e Kosovës, do t’i konvenonte Serbisë për të vazhduar me propagandën e saj kinse në Kosovë s’ka siguri për qytetarët serbë. Mendoj se partitë politike, veçanërisht tri partitë e para, duhet t’i tejkalojnë interesat partiake dhe të kenë vullnet për bashkëpunim të sinqertë, duke përfshirë edhe koalicionin, në mënyrë që shteti të ketë një Qeveri stabile për të mirën e përgjithshme,” vlerësoi Berisha për ‘Bota sot’.