Kanë kaluar afër dy vite pa një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe i gjithë procesi duket se ka stagnuar. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët.
Mirëpo, në vazhdimësi bashkësisë ndërkombëtare i është kërkuar që ta shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.
Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.
Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet pas-zgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme.
Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.
Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi, tha se tani është koha që të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve.
“Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.
“Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartëell.
Kujtojmë se, Vuçiq këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Fokusi i tij është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë - gjë të cilën shpesh e nxjerr edhe si kusht për vazhdimin e dialogut me palën tjetër.
Mirëpo, sa ka gjasa që njohja reciproke të kthehet në qendër të negociatave?
Voca: Kërkesa për njohje reciproke nuk është thjesht një çështje diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë
E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.
Ai beson se njohja reciproke është zgjidhja më e mirë e problemeve dhe që garanton një stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Madje, përmendi faktin se si ndër vite shtetet e Ballkanit janë përballur vazhdimisht me zgjidhje të përkohshme dhe të pasigurta, që nuk kanë dhënë zgjidhje.
“Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është padyshim hapi i domosdoshëm për të përmbyllur njëherë e mirë konfliktin dhe për të garantuar stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Unë sugjeroj që kjo njohje të vihet në qendër të dialogut, sepse çdo formë tjetër e marrëveshjes, e cila shmang njohjen e ndërsjellë, vetëm sa do të vazhdojë ciklin e zgjidhjeve të pjesshme dhe të paqarta që kanë karakterizuar historinë e Ballkanit Perëndimor.
Në fakt, Kosova dhe rajoni më i gjerë i hapësirës ish-jugosllave janë përballur vazhdimisht me zgjidhje të përkohshme dhe të pasigurta, të cilat nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë krijuar situata të reja për zgjidhje të tjera në të ardhmen. Kjo qasje ka lënë hapësirë për destabilizim dhe ka penguar një paqe të qëndrueshme. Burimi kryesor i kësaj paqartësie dhe ambivalence ka qenë vazhdimisht regjimi serb, i cili ka luajtur një politikë të dyfishtë mes Perëndimit dhe Lindjes, duke mbajtur të hapura tensionet në rajon dhe duke refuzuar të përballet me realitetin e ri gjeopolitik”.
Po ashtu, Voca kritikoi dhe fajësoi shtetin serb për gjithë situatat tensionuese që ndodhin në rajonin tonë, derisa foli për pozicionimin mes Rusisë e Perëndimit.
“Regjimi aktual në Serbi mbetet një nga faktorët kryesorë të pasigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ai nuk ka treguar vullnet të sinqertë për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të ndjekë një politikë të dyfishtë, duke u pozicionuar mes Perëndimit dhe Rusisë. Kjo ambivalencë e Beogradit nuk është thjesht një çështje e brendshme e Serbisë, por një problem që ndikon në të gjithë rajonin. Sa herë që ndërkombëtarët kanë tentuar të negociojnë një marrëveshje me Serbinë, kanë hasur në këtë qëndrim të dyfishtë: nga njëra anë, Beogradi premton stabilitet dhe bashkëpunim me Perëndimin, ndërsa nga ana tjetër, vazhdon të kultivojë lidhje të forta me Moskën dhe Pekinin, duke refuzuar të angazhohet në një mënyrë të qartë dhe të sinqertë për paqen rajonale”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, njohësi i gjeopolitikës potencoi se nuk mjafton vetëm njohja reciproke, por duhet të adresohet edhe problem i regjimit të Serbisë, që vazhdimisht e pengon Kosovën.
Për këtë, shtoi se njohje reciproke nuk është vetëm çështje diplomatike mes dy palëve, por një domosdoshmëri.
“Prandaj, është e qartë se për të arritur një paqe të qëndrueshme, nuk mjafton vetëm që Kosova të kërkojë njohjen reciproke, por duhet të adresohet edhe problemi i regjimit në Serbi. Ky regjim nuk është vetëm një pengesë për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin, duke krijuar tensione me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe madje duke kërcënuar perspektivën evropiane të vetë Serbisë. Nëse Serbia nuk distancohet nga politika e saj e paqartë dhe nuk pranon një pozicion të qartë pro-perëndimor, atëherë nuk mund të pritet as stabilitet afatgjatë dhe as një marrëveshje që nuk rrezikon të minohet më vonë.
Ndaj, kërkesa për njohje reciproke nuk është thjesht një çështje diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë, por një domosdoshmëri për mbylljen e një cikli historik të pasigurisë në Ballkanin Perëndimor. Për ta bërë këtë realitet, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të tolerojë më politikën e dyfishtë të Beogradit. Nëse Perëndimi synon një Ballkan stabil dhe të integruar në BE dhe NATO, duhet të kërkojë qartë jo vetëm njohjen e Kosovës, por edhe një transformim të regjimit serb, që deri më tani ka mbajtur peng stabilitetin e rajonit. Vetëm një Serbi e orientuar qartë drejt Perëndimit dhe e distancuar nga nacionalizmi destabilizues mund të garantojë një marrëveshje që nuk do të mbetet në letër, por do të zbatohet realisht”, përfundoi Mirsad Voca për “Bota sot”.
Azemi: Diplomacia ndërkombëtare duhet ta foksuojë vëmendjen në Beograd dhe të kërkojë nga Vuçiqi njohjen e Kosovës
Kurse, publicisti Emin Azemi komentoi në përgjithësi ‘kushtin’ e njohjes reciproke, e cila ishte pjesë e diskutimeve, por që shkaktonte reagime të ashpra nga pala serbe, ku Vuçiq deklaronte se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Për këtë, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se pas gjithë kësaj qasje si ende Perëndimi dhe Sorensin kërkojnë qasje të balancuar mes Kosovës dhe Serbisë.
“Njohja reciproke do të ishte opsioni më ideal, por ju e dini se në politikë rrallë flitet për idealen, e më shpesh flitet për të mundshmen. Madje edhe zyrtarë të lartë evropiane kanë folur më tepër për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, se sa për ndonjë njohje reciproke. Ky diskurs ka dominuar edhe në vokabularin e disa diplomatëve amerikane, përfshi edhe ambasadorin Kristofer Hill, në Beograd.
Sintagma njohja reciproke ka prodhuar jo rrallë konfuzitete, por edhe kundërshtime të hapura në Beograd. Siç e dini, pas takimit në Ohër (18 mars 2023), presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka thënë hapur se ka dy vija të kuqe dhe se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do ta lejojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Nëse ka një qëndrim të prerë të Beogradit zyrtar për mosnjohje të Kosovës, madje ka vullnet për bllokimin e saj në arenën ndërkombëtare, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse diplomatët perëndimore, përfshi edhe z. Sorensen, insistojnë që të kenë një qasje të balancuar në raportet Kosovë-Serbi?”
Gjithashtu, Azemi sqaroi faktin se Kosova nuk e ka bllokuar njohjen e Serbisë, ose nuk e ka mohuar ekzistencën e këtij shteti, siç ka vepruar Serbia në raport me Kosovën.
“Diplomacia ndërkombëtare duhet ta fokusojë vëmendjen në Beograd dhe të kërkojë nga Vuçiqi njohjen e Kosovës dhe të mos humbasin kohë duke ardhur në Prishtinë, sepse ata po trokasin në dyer të hapura. Kosova asnjëherë nuk e ka refuzuar njohjen e Serbisë, prandaj më duket jorealist presioni që i bëhet Kosovës për një çështje që nuk ekziston. Në agjendën shtetërore të Kosovës, njohja reciproke ka qenë e përfshirë si një mundësi për të ardhur deri te një zgjidhje përfundimtare, dhe për rrjedhojë nuk ka qenë Kosova ajo që ka bllokuar njohjen e Serbisë, ose e ka mohuar ekzistencën e këtij shteti, siç ka vepruar Beogradi zyrtar në raport me Kosovën”, shtjelloi ai.
Tutje, publicisti kërkoi që të ndryshohet qasja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, të ketë reagime më të ashpra dhe presion më të shtuar.
“Komuniteti ndërkombëtar përfundimisht duhet të ndryshojë kursin ndaj Serbisë duke marrë qëndrime më të ashpra ndaj udhëheqjes aktuale në Beograd, jo vetëm sa i përket njohjes së Kosovës, por edhe krijimit të një ambienti më demokratik në Serbi, në kohën kur atje pakënaqësitë e studentëve dhe të strukturave të ndryshme shoqërore nuk po ndalen së protestuari kundër regjimit të Vuçiqit.
Nëse Serbia mban qëndrime të njëjta si Millosheviqi ndaj Kosovës, atëherë shtrohet një pyetje e logjikshme: Pse tolerohet Vuçiqi të përdorë metodat njëjta si të Milloshveqit ndaj Kosovës edhe pas 26 vjetëve të bombardimeve të NATO-s. Në mbështetje të kësaj teze shkon edhe konstatimi i ish-zëdhënësit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, i cili tha se është zhgënjyes fakti që, edhe pse kanë kaluar 26 vjet, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë”, nënvizoi Azemi.
Në fund, ai përmendi disa pika se si mund të arrihet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndër to edhe heqjen e masave ndëshkuese, njohjen reciproke…, ku tha se nëse nuk respektohen këto, atëherë paqe vështirë të ketë.
“Nëse gjithë kësaj i shtohet edhe fakti se në tavolinën e negociatave të zhvilluara në Bruksel, objektivi i dialogut nuk është njohja reciproke por normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë qasja e re evropiane e amerikane duhet të filloj aty ku ngec normalizimi, kurse normalizim mund të ketë atëherë kur hiqen masat ndëshkuese të BE-së, bëhet ekstradimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur, në krye me Radojçiqin, që sulmoi Kosovën në Banjskë dhe pranimi nga ana e Serbisë të të gjitha fajeve për krimet e kryera në Kosovë.
Nëse dikush normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi e kupton ndryshe, atëherë jo vetëm që nuk do të ketë asnjëherë njohje reciproke, por Serbia do të përpiqet në pafundësi ta mbaj agjendën anti-Kosovë si gomë rezervë për kusuritje të brendshme politike dhe si alibi për të vazhduar destabilizimin e Kosovës me mjete dhe metoda të ndryshme”, përmbylli Emin Azemi për “Bota sot”.