Pas certifikimit të zgjedhjeve, në fokus formimi i qeverisë nga Kurti – cilët janë skenarët?

Politika

Pas certifikimit të zgjedhjeve, në fokus formimi i qeverisë nga Kurti – cilët janë skenarët?

Nga: A.M. Më: 26 mars 2025 Në ora: 21:26
Albin Kurti

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se të enjten në rend dite është certifikimi përfundimtar i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti.

Lidhur me këtë çështje, ka folur njohësi i çështjeve juridike e Kushtetuese, Blerim Burjani.

Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka treguar se cilat janë procedurat pas certifikimit të zgjedhjeve.

“Bëhet konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit. Pas betimit të deputetëve dhe formimit të grupeve parlamentare, bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të kërkojë nga mandatari që në këtë rast partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, që të bëhet formimi i qeverisë brenda 15 ditëve.

Image
Blerim Burjani

“Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja fillon bisedimet me partinë fituese dhe kërkon mandatarin nga VV. Afati është 15 ditë”, ka shpjeguar ai.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë mund të ndodhë në rast se mandatari nuk arrin të krijojë qeverinë e re.

“Nëse partia fituese nuk arrin ta realizojë këtë, atëherë kërkohet një tjetër mandatar në afat kushtetues prej 10 ditësh, me të njëjtën procedurë, me të njëjtën parti fituese, por me kandidat tjetër. Nëse edhe partia fituese nuk arrin ta bëjë këtë, presidentja organizon një takim me partitë që kanë fituar vende në Kuvend për të gjetur një zgjidhje. Nëse nuk ka zgjidhje, shteti shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh”, ka deklaruar Burjani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat