Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë pre e një thirrjeje me video nga dy komedianë rusë dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Dy humoristët rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus, publikuan në platformën Rumble një video të bisedës me kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se po flisnin në emër të presidentit të Letonisë, Edgar Rinkevics.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “ky incident” ndodhi më 11 shkurt dhe e arsyetoi rënien e kryeministrit pre e mashtrimit duke thënë se gjatë asaj kohe, Kurti po merrte telefonata të shumta urimi, pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, doli e para në zgjedhje me rreth 42 për qind të votave.
“Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate. Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve,” thuhet në deklaratën e Zyrës së Kryeministrit.
Ky incident mori vëmendjen e publikut dje, ndërsa ngjalli reagime të shumta. Madje u tha se raste të tilla mund të cenojnë edhe sigurinë kombëtare.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka deklaruar se dy humoristët rusë kanë përdorur një taktikë të njohur të "luftrave hibride", ku përmes humorit, intervistave të rreme dhe manipulimeve mediatike mund të krijojnë një ndikim të dëmshëm.
"Incidenti i kryeministrit Albin Kurti me komedianët rusë ka të bëjë me një situatë që ka nxitur shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare dhe ndërhyrjen e mundshme të aktorëve të huaj në çështjet e brendshme të Kosovës. Komedianët rusë, të cilët në fakt ishin pjesë e një grupi që ka lidhje me shërbime të inteligjencës ruse, kanë përdorur një taktikë të njohur të "luftrave hibride", ku përmes humorit, intervistave të rreme dhe manipulimeve mediatike mund të krijojnë një ndikim të dëmshëm dhe të fuqizojnë ndikimet e jashtme në një vend të caktuar", ka thënë Shala.
Sipas Shalës, ky incident tregon edhe një cenim të mundshëm të sigurisë kombëtare duke krijuar konfuzion dhe duke përhapur dezinformata që çojnë në rritje të tensioneve.
“Në lidhje me pyetjen tuaj për sigurinë kombëtare, ky incident tregon për një cenim të mundshëm të saj, pasi ka potencialin të krijojë konfuzion dhe të përhapë dezinformata. Po ashtu, kjo mund të kontribuojë në rritjen e tensioneve dhe destabilizimin e situatës politike brenda vendit. Ky është një shembull i përpjekjeve për të përdorur mjete të papërshkrueshme për të krijuar pasiguri dhe për të minuar besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore,” ka nënvizuar Shala.
Sipas ekspertit të sigurisë, lidhja me luftën hibride është shumë e drejtpërdrejtë.
“Lufta hibride, përfshirë përdorimin e dezinformatave dhe veprimeve të fshehta nga shtete të caktuara (në këtë rast Rusia), është një nga metodat më të përdorura për të shkaktuar destabilizim në rajone që janë të ndjeshme. Këto veprime mund të përfshijnë manipulimin e opinionit publik, përdorimin e propagandës dhe mbështetje për grupe që mund të shkaktojnë tensione dhe përçarje brenda një shoqërie,” ka potencuar ai.
Në lidhje me masat që duhet të merren, sipas Shalës, këtu përfshihet një angazhim i shtuar nga ana e institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës për të monitoruar dhe ndaluar këto aktivitete.
“Po ashtu, është e nevojshme një bashkëpunim më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të zbuluar dhe parandaluar këto lloj aktivitetesh. Një nga hapat që mund të ndërmerren është forcimi i legjislacionit në lidhje me përdorimin e internetit dhe mediave sociale, dhe rritja e kapaciteteve të shtetit për të analizuar këto kërcënime në mënyrë që të veprojë shpejt dhe efektivisht.
Pra, në fund, mund të konkludojmë se sensibilizimi i qytetarëve dhe edukimi për të identifikuar dezinformata dhe ndikimet e mundshme të agjentëve të huaj është një komponent shumë i rëndësishëm i mbrojtjes nga këto kërcënime,” ka përfunduar eksperti i sigurisë, Drizan Shala.