Bisedimet rreth qeverisë së ardhshme kanë filluar tash e dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje duhet të bashkëpunojë me një parti opozitare për të formuar qeverinë e re.
Ende nuk ka asgjë të qartë se cilat janë vendimet dhe propozimet e partive politike. Ajo që tashmë dihet, secila parti që synon pozitën, kërkon postin e kryeministrit. Për këtë pozitë kanë deklaruar se nuk bëjnë kompromise.
Mirëpo, a do të jetë edhe pozita e Presidentit pjesë e marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm qeverisës? A do të mundet Presidentja Vjosa Osmani të marrë edhe një mandat, apo një figurë tjetër politike?
Analistët politikë janë deklaruar lidhur me këtë çështje, nëse pritet të ketë unitet nga partitë politike të paktën për pozitën e Presidentit.
Hoti: Telashet kryesore janë se si të formohet qeveria, sepse askush s'i ka numrat
Kështu, analisti politik, Agron Hoti thekson se, problem kryesor është se si të formohet qeveria e re, shkaku i numrave.
“Për mendimin tim, telashet kryesore janë se si të formohet qeveria, sepse askush s'i ka numrat. Ri-kthimi i Trump në pushtet dhe ndryshimet e mëdha që ai është duke i ndërmarrë në shkallë globale kanë bërë që çdokush të hezitojë t'i dalë përballë”, vlerëson ai.
Analisti Hoti thotë se në ndryshimet e Trump nuk do të përjashtohen as politikanët e Kosovës.
“As Kosova dhe politikanët e saj s'përbëjnë fare përjashtim, sepse politika e Kosovës pak është e vetëdijshme se ç'e pret nga Trump, prandaj ngurrimet për të ardhur në pushtet janë nga të gjithë, por më shumë nga VV e cila e ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit dhe të cilën Perëndimi po na e kërkon tash ta zbatojmë. Në këtë funksion e shoh telashen për formimin e qeverisë e jo në funksion të zgjidhjes së kryetarit/es së vendit”, thekson Hoti për ‘Bota sot’.
Bexheti: Presidentja Vjosa Osmani, figurë e pranueshme
Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe analisti politik, Nexhat Bexheti thekson se detyrimisht nga pasqyra e numrave të rezultatit zgjedhor duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm të qeverisë.
“Ngase për tu kompletuar qeveria si funksionale, patjetër partnerët të cilët do ta përbëjnë qeverinë, do të kërkojnë ndonjë funksion të lartë në qeverisjen e shtetit. E dhimbshme por e dobishme për të formuar qeverinë e re, edhe pak është vonuar formimi i qeverisë, sepse në regjion shfaqen oscilime dhe aspirata hegjemoniste. Prandaj si detyrim funksional është sa më shpejtë të formohet qeveria me legjimitet të ri. Rrethanat janë të atilla që partnerët e koalicionit duhet të kapërdijnë kërkesat e tepërta për hir të funksionimit të organeve shtetërore në kushtet e sfidave globale”, thotë ai.
Ndërkaq, sa i përket asaj se, a do të marrë mandat presidentja Vjosa Osmani, varet krejt nga marrëveshja e koalicionit, se a do dakordohen që Vjosa Osmani të jetë figura e përbashkët e partive politike të koalicionit, sepse presidenti zgjidhet nga kuvendi.
“Në të ardhmen do ishte mirë që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, domethënë me votat e qytetarëve, që të çlirohet presidenti nga marrëveshjet politike të partive koalicionare, dhe të bëhet figurë popullore, jo partiake. Partitë e koalicionit nuk janë të detyruar që Vjosa Osmani pësëri të zgjidhet presidente, mundet të propozojnë kandidat tjetër, megjithëse se presidentja Vjosa Osmani ka qenë e pranuar nga qarqet e brendshme dhe sidomos nga ndërkombëtarët me reputacion ndërkombëtar të vlerësuar në konferencat e ndryshme ku ka marr pjesë me fjalimet superlative. Po ashtu ia ka ngritë reitingun Kosovës në arenën ndërkombtare, megjithatë nuk është e pazëvendësueshme”, thekson Bexheti.
Ai thotë se, Presidenti reflekton unitetin në shtet, nga të gjitha partitë në pushtet edhe të opozitës, por nuk është e hijshme që presidenti të bëhet objekt i kritikave për poena politike.
“Pikërisht presidenti është figurë uniteti dhe në shumë raste ai duhet t'i minimizojë antagonizmat politike të opozitës dhe pozitës. Presidenti e ka rolin e boshtit politik dhe zhvillimor të shtetit”, vlerëson analisti për ‘Bota sot’.